Në një raport të gjatë mujor, shkruar në qershor të 1945, komisari politik Isuf Keçi i bën një skaner veprimtarisë së tyre në krahinat Ferizaj, Shimlje e Lipjan në Kosovë dhe Ohër, Strugë, e Resan në Maqedoni. Raporti zbulon gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare të këtyre viseve që kishin rënë pre e shovinizmit sllav. Në këtë periudhë brigadat sllave kishin bërë shumë spastrime e vrasje në masë të popullsisë shqiptare, duke përfituar nga trazirat e atyre muajve të pasluftës. Një pjesë të detajeve se si i kishin gjetur këto zona partizanët shqiptarë, përshkruar në pjesën e parë të raportit të Isuf Keçit, i publikuam dje në Shqiptarja.com. Sot sjellim pjesën e dytë të këtij dokumenti.
(Vijon nga dje…) 6.- Gjendja e kuadrove. – Gati të gjithë kuadrot e Divizionit VI-të janë të reja si ato ushtarake ashtu dhe ato politike. Me përjashtim të një numuri të paktë të gjithë janë fshatarë të thjeshtë dhe të pa zhvilluem. Nuk kanë eksperiencë në punë masash dhe nuk janë të sprovuem në luftën politike. Nga kjo rjedh se gjendja e tyre është e ulët. Por që të gjithë këto kuadro nuk kanë pikë-pamje të gabueme për vijën e luftës t’onë. Janë të thjeshtë, por kurrë nuk bajnë gabime politike. Përsa i përket kësaj pike janë shumë të skjaruem dhe mund t’a spjegojnë me dy fjalë nga se nuk kanë zotësi të folunit. Pastaj ajo që karakterizon kuadrot t’ona asht se teorikisht nuk kanë haber fare. Të paktë janë ata që dinë nga teorija Marksiste-Leniniste. Dhe asht pikërisht kjo që kish shkaktue mërzitin e shumë kuadrove. Në disa ka qenë formue ideja se komunizmi u harit në Shqipni dhe se s’ka gja tjetër për t’u haritur. Mirpo këto u skjaruen dhe sot njohin gjendjen e ulët të tyre.
7.- Rinija në Divizionin e VI-të. – Siç e ka raportue dhe përgjegjësi i Rinis Divizionit, puna me Rinin në Divizion po ecën përpara. Brumi i të rinjve ësht shumë i mirë. Janë të pa djallëzuem dhe kanë oreks për të shkue përpara. Dallohet për punën e saj Rinija e Brigadës III-të. Me gjithë se kuadrot e rinisë janë lëvizur shpesh, prap se prap puna me rininë ka dhanun rezultate të kënaqëshme. P.SH. punën me analfabetët e kanë marrun përsipër të rinjtë dhe ja kanë dalun me sukses. Për të patur një idé të kjartë mbi punën e Rinis në Divizion po ju dërgoj dhe raportin që i asht dërgue Komitetit Qendror të Rinis Komuniste. Aty keni rast me konstatue punën e rinis së Divizionit VI-të.
8.- Puna politike për ngritjen e kuadrove dhe të reparteve në Divizionin e VI “S”. – Për të naltësue kuadrot edhe repartet t’ona politikisht e teorikisht, janë përpilue dy plane punimi: njëri teorik për naltësimin e kuadrove dhe tjetri për të naltësue repartet. Për të skjarue repartet dhe për të krijue koshiencën e luftës ndër ‘ta janë bamun përpjekje nga të gjithë shokët t’anë përgjegjësa. Asht punue me ‘ta landa e caktueme në planin nga Komiteti i Divizionit me 10 Maj, por rezultatet nuk i kemi patur të mira nga se zhvillimi i landës ka qenë artificial. Përgjegjësit kanë shikue më tepër të plotësojnë planin se sa të vrejnë përfitimin që del nga ky plan. Pastaj përveç kësaj, landa e caktueme në këtë plan pune sikurse u kemi pas vue në dijeni ka qenun e vështirë dhe jo e përshtatëshme për repartet e Divizionit VI-të. Në mbledhjen e Komitetit të Divizionit me 25 Qershor kemi vendosur si plan pune për repartet këtë landë: librin “nga Jeta e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare”, Shqipnija fizike, politike, ekonomike tue vumun në dukje vendet ku janë bamun luftimet ma t’ashpra kundra okupatorëve e tradhtarëvet, tue vuemun në dukje vendet më të djegura e shkatërruara nga armiku si dhe shkatërimin e ri-ndërtimin e vijave të komunikasionit e të urave. Si konferenca politike për t’u zhvillue janë caktue: “Vëllazërimi i popujve të Ballkanit garanci paqeje n’Europë” (këtu do të theksohet vëllazërimi i popujve Shqiptar e Jugosllav). Një meting mbi reformën agrare në çdo Brigadë.
Për naltësimin e kuadrove për muejin Korrik asht caktue punimi i broshurave: “Rusija Sovjetike në paqe e në luftë” dhe broshurën “disa çështje të Partis ndër masa”. Duhet theksue se neve nuk jemi mjaftue me caktimin e planit të punës në letër, por i jemi vumun punës vetë për t’u spjegue kuadrove udhëheqësa në mbledhje të zgjeruara. Në muejin Qershuer për kuadrot udhëheqësa janë punue në mënyrë të kënaqëshme tre Kapitujt e parë të Historis të Partis Komuniste Bollshevike t’U.R.S.S.-it dhe u garantojmë se kuadrot t’ona kanë përfitue shumë dhe se asht ritur dëshiri i kuadrove për studime mbi teorinë Marxiste-Leniniste. Përveç kësaj, sikurse u kemi ba me dijtur edhe në raportin e muejit Maj, reth Shtanit të Divizionit ësht zhvillue një kurs teorik drejtue nga Komisari Divizionit. Në këtë kurs kanë marun pjesë 25 deri 30 oficera udhëheqës politikë e ushtarakë dhe janë punue tre Kapitujt e Historis të P.K.B. t’U.R.S.S. si dhe asht kuptue prej një pakice të kursistave. Duhet me dijtë se ky kurs nuk ka qenë ndonjë kurs i rregullt, por asht formue me të vetmin qëllim që të naltësohen kuadrot nga pikë-pamja teorike. Për këtë u themi me siguri se të gjithë ata që kanë marun pjesë kanë përfitue shumë. Për të patur një idé edhe ju, po u dërgoj listën e pyetjeve që kam përpilue unë mbas referateve të tre Kapitujve të Historis P.K.B. t’U.R.S.S.-it.
9.- GJENDJA USHTARAKE. –
a)- Disiplina ndër kuadrot oficera. – Tue qenun se oficerat e reparteve t’ona kanë qenun gjithmonë në lëvizje bashkë me partizanët nëpër fshatra, nuk kanë shkëputur akoma atë marëdhënjen e vjetër të jetës partizane, si kunseguencë e kësaj, rjedh se edhe respekti reciprok i oficerave prej partizanëve nuk ka marrë formën që i duhet ushtrisë t’onë në modernizim. Me gjithë se u asht shpjegue shpesh herë kjo gja prap se prap shenjat e partizanllëkut shifen e sidomos ndër oficera. Shumë oficera kur bisedojnë me superiorë, mbajnë po atë sjellje që kanë patur kur ishin në mal. Në këto kohët e fundit ësht bamun një ndryshim i dukshëm, por ka akoma vese të vjetër për t’u zhdukur.
b)- Disiplina ndër partizanë. – Vihet ré një ndryshim i madh ndërmjet oficerave dhe partizanëve. Ndërsa ndër oficerat egziston sa do e paktë forma e vjetër e partizanllëkut, ndër partizan asht zhdukur fare. Kjo spjegohet edhe prej faktit se masa e madhe e partizanëve që formojnë Divizionin vijnë nga ish Ushtrija e rregullt Jugosllave e si konseguencë ka tërheqë me vehte edhe atë sasi të vogël partizanësh të vjetër që kanë mbetë ndër reparte. Për këtë bindje e këtë disiplinë autoritare që kanë partizanët jemi tue u mundue që t’ja bëjmë koshiente. Por fare pak pune asht bamun, pse disiplina koshiente asht funksion i nivelit politik të repartit.
c)- Shpirti luftonjës e sulmonjës i reparteve. –
Me përjashtim të partizanëve të vjetër dhe deri diku të repartit të Brigadës III-të, shpirti luftonjës nuk ësht i zhvilluar, mbasi sikurse asht thanun edhe më nalt janë shumë të ulët politikisht. Kështu që sot për sot mund të shtijmë në luftë vetëm Brigadën e III-të. Me punën e vazhdueshme që është tue u bamun, mund të themi me siguri se mbrenda një kohe të shkurtër do të jemi në gjendje me fut gjithë Divizionin në luftime frontale. Sigurohemi për këtë, pse dashurija e partizanëve Kosovarë kundrejtë Komandantit t’onë të Përgjithëshmë sa vjen po shtohet. Nga ana tjetër edhe dezertimet që përpara ishin të shumta e në muejin e Qershorit kemi patur vetëm 22 dezertorë. Këto dezertime nuk kanë patur karakter politik, por kanë rjedh nga lidhja primitive që elementi Kosovar ka me familjen.
Sa për shpirtin sulmues dhe moralin e reparteve, kjo ka lidhje gjith’ashtu me nivelin politik. Pra tue qenë se niveli politik asht i ulët, rjedh se edhe shpirti sulmues asht i pa zhvilluem. Morali i reparteve nuk asht i keq. Mërzitja nuk egziston ndër partizanë. Parulla për de-mobilizim nuk ndihen fare. Nga ana tjetër edhe përmirësimi i konditave të jetesës, ka influencue për ngritjen e moralit të partizanëve.
10.- Funksionimi i seksioneve.
a)- Mbrapavija e Divizionit. – Deri më sot Komanda e Mbrapavijave të Divizionit nuk ka funksionue fare. Ky mos funksionim vjen se Komanda e Mbrapavijave nuk ka kuptue akoma kompetencat e veta, dhe nga ana tjetër Komandantët e Mbrapavijave si në Divizion ashtu dhe në Brigada nuk kallzojnë asnjë interesim për këtë seksion kaqë me rëndësi për mbarë-vajtjen e Divizionit. Nga mos interesimi i Komandave të Mbrapavijës, ka rjedh monopolizimi i këtij seksioni në duartë e Komandantave të Divizionit e Brigadave. Për të evitue këtë të metë po punohet që Komandantët e Mbrapavijave të ecin me këmbët e veta, e mund të themi se diçka asht përmirësue në këto kohët e fundit.-
b)- Seksioni Operativ. – Deri 20 ditë përpara veprimet e këtij Seksioni nuk ndiheshin fare në Divizion e Brigada. Ka qenë formue përshtypja se egzistenca e tyre është e kotë, mbasi punën e Operativit e kryenin Komandat e Divizionit e të Brigadave sikurse u kryeshin kur ishin me formacione më të vogla. Kështu që edhe puna e Operativit ishte monopolizue nga Komandat. Mirpo me ardhjen e oficerave operativ nga një kurs që u ba në Tiranë, puna ka ndryshuar fare. Ata kanë kuptuar kompetencat e tyre dhe në këto kohët e fundit Seksioni operativ ka fillue të funksionojë fare mirë.
c)- Seksioni Informativ: - Edhe ky Seksion me shumë rëndësi nuk funksionon mirë në Divizionin e VI-të. Shkaku duhet kërkue se oficerat informativ, si i Divizionit si edhe ata të Brigadave nuk dinë me punue, dhe as që mundohen me gjithë se shumë herë u është folë për rëndësinë e këtij Seksioni. Nga ana tjetër as Komanda e Përgjithëshme nuk kishte dërgue ndonjë oficer për të skjarue informativët t’anë për detyrat e tyre. Tash së fundi me ardhjen e brigadave në Tiranë, informativët u skjaruan dhe besohet se do të shhkojë përpara. Një gjë tjetër që ka lanë jashtë rëndësisë informativin, ka qenë seksioni i Mbrojtjes, i cili ja ka marrë nga duart kompetencat informattivit.
d)- Oficeri i Mbrojtjes. – Mbrojtja në Divizion ka funksionue fare mirë, gjithmonë, dhe sikurse u tha ma naltë ka monopolizue detyrat e informativit. Por me skjarimin që mori informativi j’onë pranë Komandës së Përgjithëshme kjo e metë me siguri do të zhduket.
e)- Seksioni Shtypit e Propagandës. – Ky seksion me gjithë se është krijue tani rishtas, ka funksionue mirë dhe jep shpresa se do të shkojë akoma përpara. Rivistat e Brigadave dhe e Divizionit dalin në rregull çdo muaj. Veç këtyre del edhe një broshurë në Divizion me artikuj të marrun nga “Bashkimi” dhe nga “Borba”. Gazetat e xhepit dhe të murit dalin në të gjitha repartet. Çfaqjet teatrale dhe organizimi i Grupit koral vazhdon në mënyrë të kënaqëshme.
f)- Artilerija. – Grupi Artileris në Divizion ka një jetë prej dy muajsh. Gjatë kësaj kohe është bamun një farë pune e kënaqëshme. Oficerat që formojnë këtë Grup Artilerije nuk janë kompetenta, me përjashtim të 4 oficerave. Por me anën e një kursi që ka vazhdue rregullisht, oficerat t’anë kanë përfitue shumë dhe sot për sot kanë haber nga Artilerija. Numri i këtyre Oficerave harin 18. Puna e Partis në Artileri nuk ka qenë e mirë, mbasi nuk dimë akoma se si do të funksionojë. Me gjithë atë plani i punës ësht punue edhe atje.
Për t’a pastrue Artilerinë nga një element i dobët që quhet Niazi Bimi, mendojmë që këtë t’a heqim fare nga Artilerija jonë, me gjithë se ky punon shumë. Largimin e tij do t’a bajmë kur të na vijë një kompetent nga Komanda e Përgjithëshme. Më von do të dërgoj një listë të kuadrove që shkojnë përpara, t’atyre që rinë në vend si dhe t’atyre që ecin mbrapsh. Do t’ju dërgoj gjith’ashtu edhe listën e kuadrive që na mungojnë si dhe propozime për t’i zëvendësue.
PËR KOMITETIN E DIVIZIONIT VI “S”
KOMISARI POLITIK
(ISUF KEÇI)
(vula, firma)
[gallery]24580[/gallery]
d.c./shqiptarja.com