Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, ka bërë një paralajmërim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se presidenti Donald Trump po “kalon vijat e kuqe” dhe se marrëdhëniet tradicionale mes Europës dhe SHBA-ve rrezikojnë të hyjnë në fundin e tyre historik.
“Deri tani, ne u përpoqëm të qetësonim presidentin e ri në Shtëpinë e Bardhë. Ishim shumë tolerantë, edhe me tarifat doganore. Ishim tolerantë me shpresën se do të merrnim mbështetje për luftën në Ukrainë”, u shpreh kryeministri belg.
Ai theksoi se situata ka ndryshuar ndjeshëm, duke shtuar se po kapërcehen gjithnjë e më shumë kufij që, sipas tij, cenojnë dinjitetin politik të Europës.“Tani po kalohen kaq shumë vija të kuqe, sa duhet të zgjedhësh mes dinjitetit tënd. Të jesh një vasal i kënaqur është një gjë. Të jesh një skllav i mjerë është diçka tjetër”, deklaroi De Wever.
“Mesazhi që duhet të dërgojmë është ky: po kaloni vijat e kuqe. Ose qëndrojmë bashkë, ose do të qëndrojmë të ndarë. Dhe nëse jemi të ndarë, atëherë është fundi i një epoke, fundi i 80 viteve atlantizëm”, u shpreh kryeministri belg.
De Wever iu referua filozofit Antonio Gramsci, duke paralajmëruar për një periudhë pasigurie globale.
“Kur e vjetra po vdes dhe e reja ende nuk ka lindur, jetojmë në kohën e përbindëshave. I takon atij të vendosë nëse do të jetë një përbindësh apo jo”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Von der Leyen i përgjigjet Trumpit: Tarifat e reja doganore janë një gabim, BE do të japë përgjigje të vendosur








