Jo më në emër të Klodianit!

Jo më në emër të Klodianit!

Protesta në Shkodër

Nga Mero Baze

Prokurori i Shkodrës ka një problem me detyrën e tij. Në zyrën e tij, siç ka deklaruar publikisht, është paraqitur sot Voltana Ademi, e cila është organizatorja e protestës së sotme në Shkodër. Gazeta TemA ka botuar mesazhin e saj shpërndarë në grupin e whatsapp, ku faktohet që ajo është organizatorja e protestës.

http://www.gazetatema.net/2020/12/12/pergatitjet-per-proteste-zbulohet-mesazhi-i-voltana-ademit-per-demokratet-e-shkodres-do-shfaqemi-si-qytetare-dhe-jo-si-anetare-te-pd-ja-skenari-qe-duhet-te-ndiqni-per-te-protestuar/

Nuk ishte ndonjë protestë e madhe popullore që të ikte nga kontrolli. Nuk kishte dalë populli në rrugë, por një bandë e Voltanës. Nuk ishte 2 prilli i 1991, kur Shkodra ishte e gjithë në rrugë e revoltuar politikisht. Ishte një bandë e Voltana Ademit, që me urë zjarri në dorë shkatërruan aq sa mundën.

Pas kësaj, Prokuroria ka pasur një shans, pasi organizatorja e djegies së Shkodrës, u ka shkuar në zyrë. Dhe ata duhet ta mbanin aty. Telefoni i saj është provë e asaj se çfarë ka ndodhur në Shkodër sot.

Nuk është problemi se thyen xhama, dogjën një seli partie kundërshtare, apo thyen disa tabela. Shkodra nuk është hera e parë që digjet. Këto 30 vjet, Partia Demokratike e ka djegur rregullisht sa herë i duhet të ndjehet e gjallë.

Problemi është më shumë se kaq. Ajo që po kërkon Partia Demokratike tani, është një vdekje e re, një vrasje e re nga policia, që asaj t’i bëjë punë.

Vrasja tragjike të ndjerit Klodian Rasha nuk i bën më punë. Drejtësia po bën punën e saj dhe askush nuk po e pengon. Familja e të ndjerit, që i dhimbset djali më shumë se sa Voltanës, ka bërë thirrje të mos preket as një lule në emër të tij.

Kështu që Voltana, Saliu, Iliri, e kushdo bandit tjetër në këtë vend, janë të lirë t’i vënë zjarrin vendit, por jo në emër të Klodianit. Në emër të Klodianit sot flet drejtësia dhe familja e tij, dhe jo bandat e adoleshentëve që organizon opozita. Një opozitë që fshihet pas tutave të minorenëve dhe fustanëve të grave si Voltana, është një neveri.

Të ngelur pa viktima në këtë histori, ata po përpiqne të prodhojnë një fabulë tjetër, me vrasje dhe vdekje. Po e kërkojnë në çdo rrugë, në çdo qytet, në çdo rrethinë, me sforcimin e një bande të dëshpëruarish, që mendojnë se vetëm një vrasje e re u bën punë.

Kjo duket qartë tek veprimi instiktiv i Voltana Ademit. Ajo kërkon të padisë policinë pse nuk i vrau, pasi ajo ka ngelur pa realizuar objektivin e saj për një vrasje të re.

Problemi që ka PD dhe një ushtare e saj në Shkodër, është se policia që kanë përballë, nuk është policia që ata duan të kenë, nuk është policia e Saliut, që vret demonstrues, edhe pse ata thyejnë, shkatërrojnë e djegin qytetin e tyre.

Në historinë botërore, se shqiptare jo e jo, kjo fytyrë do të mbetet si e vetmja kryebashkiake e mbetur në zyrë, që udhëheq turmat të djegin qytetin e saj. Në çdo kohë, në çdo regjim, bile dhe në vende dikatoriale, kur ka trazira, bashkiakët bëhen simbole se mbrojnë qytetin e tyre përballë turmave. Kjo është e vetmja kryebashkiake që udhëheq turmat për të djegur qytetin e saj.

E bën këtë, se partia e saj do doemos një të vdekur. Sidomos nga Shkodra. Në mënyrë kriminale ata duan një 2 prill të ri, duan që t’i japin kuptim djegies së qytetit, dhe protestës së tyre të dështuar, që tanimë nuk ka lidhje më me Klodianin e ndjerë.

Tani Prokuroria e Shkodrës nuk e ka bërë detyrën e vet, por ndoshta dhe nuk ka qenë e qartë se çpo ndodhte në qytet. Tani për fat, e ka një denoncim për atë që ka ndodhur. E ka bërë vetë autorja e krimit. Ti sekuestrojnë urgjent bisedat telefonike të saj, mesazhet e shpërndara dhe të nxjerrin nga kamerat bandën zjarrvënëse që shoqëroi kryebashkiaken në qytet. Është puna më e  thjeshtë që mund të bëjnë, pa asnjë sforcim.

Shkodra për fat nuk e ka ndjekur pas. Dhe një djalë i ri 20- vjeçar kishte më shumë dashuri për Shkodrën sot, se sa kryebashkiakja e qytetit, që i vinte zjarrin. Ajo e ndizte dhe ai djali i ri e fikte.

Shkodra është djegur sot, jo në emër të Klodianit, po në emër të Voltanës, në emër të axhendës së saj politike, në emër të Saliut dhe Ilirit, për t’i shtuar Shqipërisë një viktimë të re, që të mbajë gjallë revolucionin e dështuar të tyre.

Përdoreni denoncimin e Voltanës, për të gjetur dhe arrestuar Voltanën tjetër, atë që me sms qysh në mëngjes grumbulloi një bandë zjarrvënësish për të djegur Shkodrën, me shpresë se policia do vriste dikë që të mbante gjallë shpresat e saj, për të qëndruar në polikë mbi kufoma.

Shkodra sot nuk ka kufoma, nuk ka të vrarë, por vetëm një polic të plagosur. Voltana Ademi tentoi të kthejë Shkodrën në një kufomë në dispozicion të Sali Berishës e Ilir Metës. Shpresoj që Shkodra ta përbuzë këtë kufomë politike dhe të dëshmojë qytetarinë e saj. Fytyra e Shkodrës edhe e djegur, është ku e ku më e bukur se e Voltanës.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artan: 20/12/2020 05:27

    Kane kohe qe saliu iliri dhe basha me ane te protestave duan nje viktime nga policia,,qe te perligjin vrasjet qe kane bere ne 1997,,,ne gerdec,,,dhe 21 hanar...

    Përgjigju
  • Veri: 20/12/2020 05:25

    BRAVO MERO BAZE,,JE I SHKEKQYWR NE FUSHEN RENDE,,MUND TE THEM PA FRIKE SE JE GAZETARI DHE ANALISTI NE I MIRE NE SHQIPERI,,NE VEND TE DYTE JANE FATOS LUBONJA DHE FRROK CUPI....fjalia e fundit ishte perle fare...

    Përgjigju
  • LORA: 12/12/2020 21:50

    Mero djali ,le te presim fundin e hetimit te ngjarjes dhe pastaj te nxjerrim konkluzionin e sakte se ne c'moment ishte kjo dhune e pashembullt ne emer te Klodiani Rashes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi