Militantët e Sali Berishës shkaktuan jo pak situata të pakëndshme gjatë protestës së dhunshme të 8 janarit, mes të cilave edhe sulmi ndaj Sekretarit për Pushtetin Vendor në PD, Roland Bejkos të cilin edhe e goditën.

Por gjatë asaj dite me ngjarje të rrëmujshme duket se Bejko nuk ishte i vetmi që u sulmua nga mbështetësit e Berishës, pasi 'pre e tyre' ra edhe deputeti i PD, Ferdinand Xhaferri. Ai u rrethua nga një grup protestuesish që i kërkonin llogari përse mbështet kreun e PD-së, Lulzim Bashën, ndërsa dëgjohen teksa thonë: "Turp, ça demokrati je ti? Mbështet atë legenin atë injorantin".

Në një reagim për Report TV Xhaferri u shpreh se ai po debatonte me disa djem, gjysmën për të cilëve i njihte.

"Nuk ishte fare problem thjesht po debatonim me disa djem që gjysmën e tyre e njihja", tha ai.

E shtuna ishte një ngjarje dramatike për Partinë Demokratike por edhe për imazhin e vendit. Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi por rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës. Nga ana tjetër Sali Berisha shkoi vetë dje në selinë e PD, ndërsa i cilësoi 'dhunuesit' si heronj duke shtuar ato ruajtën gjakftohtësinë dhe rrëzuan dyert e blinduara të 'Lul Bravës'.

Ndërkohë, Report Tv mësoi se ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha do të merren në pyetje në lidhje me protestën e 8 janarit, ndërsa thirrja e tyre nga Prokuroria do të bëhet në ditët në vijim.