Joker ka disa gjëra për t'ju thënë

Joker ka disa gjëra për t'ju thënë

Joker interpretuar nga aktori Joaquin Phoenix

Gabimisht vajza në biletari na dha biletën për një tjetër film. Ndërsa prisnim të mbaronin reklamat e kuptuam vonë se ishim në sallën e gabuar. Por kjo ishte një e mirë. Duhet ta kishim kapur që në fillim e të mos shpiknim batuta për pritshmërinë e vakët të Joker-it të Todd Phillips në sallat shqiptare. Me të dalë vrullthi, me shpresën për të kapur filmin që na iku, përballemi me një fenomen që duket jo përhere në Cineplexx: Radhë që arrinin deri te dyqani i Intersportit në Teg. Kush frekuenton kinemanë në Tiranë, e di se për çfarë flas. Filmi i orës 19.00 iku, për fat kishin mbetur dy vende për atë të orës 19.50. Salla plot me të rinj.

Joker nis me të qeshurën therëse, në dukje false dhe të sforcuar të Joaquin Phoenix. Ka skena të forta, kamera "përplas" spektatorin me rrugicat plot minj e plehra të Gotham City (Nju Jorku imagjinar?), Arthur Fleck (Jokeri) nuk është mirë, vuan nga një sëmundje mendore që i shkakton të qeshura të forta, të papritura. Merr ilaçe dhe frekuenton periodikisht një ndihmëse sociale, të cilën më vonë do ta shkurtojnë si shërbim: nuk ka më para' për të ndihmuar shtresat në nevojë. Jeton me nënën e tij të moshuar në një nga ato apartamentet njujorkeze që kemi parë nëpër të tjerë filma; apartamente që duket se do të rrëzohen nga një tështimë. Mjedise të errëta, të pisëta, të lagështa. Ngjyra e vetme: Maska prej kllouni e Joker-it dhe kostumi ngjyrë e kuqe-tulle e jeleku i verdhë i tij. Regjisori, skenaristi, aktori, fotografia të mbajnë zhytur në llumin e qytetit, në mjerim dhe degradim, ndonjeherë lejojnë spektatorin të marrë frymë përmes ndonjë gjesit të ëmbël apo batutute të protagonistit kryesor, por pastaj ngjarja zhytet në çmenduri.

Ndërsa filmi projektohet, dikush lë sallën; ndoshta e kishte menduar Joker një film komik. Të tjerë spektatorë hyjnë me vonesë, përballen me disa që ndoshta i kanë zënë vendin ose ndoshta vajza e biletave ua ka dhënë edhe atyre biletën gabim. Përqëndrimi për të parë film në një sallë plot me bashkëatdhetarë është i vështirë. E megjithatë përpiqemi.

Qeshjet, në ato pak batuta që bëjnë për të qeshur, janë shpërthyese, jo në proporcion me çka po ndodh në film. Duket sikur ky krijim më i fundit i Hollivudit, kastile, përmes aktorit kryesor që është dobësuar 25 kilogramë, kërkon të tërheqë në siklet obezë fizikë e mendorë të kohëve moderne që janë bërë kaq dembelë për të parë, e sidomos, për të dalluar.

Joker është një shkundje për të zvogëluar humnerën e pabarazinë sociale në vendet e zhvilluara dhe në botën mbarë, e sidomos, indiferencën dhe paaftësinë për të vepruar. Autorët e bëjnë këtë me një kërcënim, gati të shndërruar në një makth psikologjik, me një alarm e paralajmërim se pavarësisht varfërisë, sëmundjeve mendore, shtypjes, manipulimeve, pakujdesisë sociale dhe shëndetësore, mund të vijë një ditë që Joker-at të zgjohen. Për rastësi historike apo rastësi të rëndomta, kjo mund të ndodhë vërtetë një ditë.

Filmi është i thellë, mesazhet fine dhe të ashpra. Në Shtetet e Bashkuara, para premierës së tij, bënë gati një terrorizëm psikologjik: Mund të ketë të shtëna, thanë, filmi nxit dhunë, policia në gatishmëri. Ende pa u projektuar nëpër salla kinemaje Joker e kishte kryer punën e tij. Joaquin Phoenix, si rrallë aktorë në histori, nuk interpretoi Jokerin. U bë ai.

Kur filmi mbaroi, radhët për turnin e mëpasëm ishin akoma më të gjata, ndërsa zona e ish-Bllokut bosh, jo si zakonisht. Një film, një pikturë, një instalacion artistik, një libër, një poezi, arti i vërtetë sheh gjëra që njerëzit e thjeshtë e kanë më të vështirë t'i dallojnë e kuptojnë, prandaj sa më afër tij, sa më shumë qytetarë e sidomos të rinj, aq më shumë dritë e ndërgjegje e formuar.

Joker po thotë disa gjëra edhe në Shqipëri, jam e bindur se mes atyre qindra të rinjve që e panë, tek disa është mbjellë fara për të pasur më shumë drejtësi, dinjitet e barazi.

 

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • lepri: 07/10/2019 19:47

    Film brilant. Ne Shtetet e Bashkuara eshte shume me i thelle hendeku mes shtresave te varfra dhe te pasurve bilionere, ndersa ne Shqiperi gjerat jane akoma me te perziera.Megjithate fakti qe te pasurit e rinj ngrene mure te larte per te krijuar distanca, fakti qe neper kinema nuk sheh asnje fytyre per be nga elita, te çon ne mendim se edhe ketu po krijohen te çara te thella qe nje dite do te sjellin rrezik.Shqiptaret do te jene te zgjuar vetem nese nuk krijojne keto diferenca te tmerrshme. Ky mund te jete mesazhi qe bashke me autoren e ketij shkrimi uroj edhe une qe te jete perfituar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja