Jorgo Bulo: Sami Frashëri, na takon
më shumë ne, ikona e Rilindjes

Jorgo Bulo: Sami Frashëri, na takon<br />më shumë ne, ikona e Rilindjes
TIRANE - Një histori që përsëritet. Pas refuzimit për kthimin e eshtrave të Sami Frashërit nga shteti turk në kohën e regjimit komunist në Shqipëri...shteti shqiptar i rikthehet kërkesës. Por duket se refuzimi është sërish gati, duket si punë e mbaruar që në atë kohë.

Pse nuk mund të kthehen në atdhe eshtrat e atdhetarit Sami Frashëri, autori i veprës themelore të Rilindjes “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, që njihet edhe si traktat i kësaj periudhe historike. Me akademik Jorgo Bulon, studiues dhe njohës i veprës së Sami Frashërit, diskutojmë sot për këtë  çështje, që duket se është sa madhore për shqiptarët, po aq edhe për turqit.

Profesor Jorgo Bulo na zbulon me këtë rast edhe një letër që flet për veprën e panjohur, një fjalor të madh të shqipes me mbi 6 mijë fjalë rrënjë, ose sicc llogarit Bulo gjithsej 15-20 mijë fjalë, që Sami Frashëri e kishte përfunduar e bërë gati për botim.

Zoti Bulo, si e dini ju historinë e mbajtjes së eshtrave të Sami Frashërit nga shteti turk. Dihet që një kërkesë për ardhjen e tyre është bërë edhe në kohën e Enver Hoxhës. Kërkesa është përsëritur sërish nga qeveria dhe Turqia sërish nuk pranon të kthehen eshtrat e tij në atdhe…


Kur erdhën eshtrat e Abdyl Frashërit nga Turqia dhe të Pashko Vasës nga Libani, qeveria shqiptare i bëri një kërkesë qeverisë turke për të sjellë edhe eshtrat e Sami Frashërit, por natyrisht që qeveria turke nuk ka qenë dakord se Sami Frashëri i përket edhe kulturës turke.

Ai është autori i disa veprave të rëndësishme siç është edhe Fjalori i Turqishtes moderne. Besoj se me të njëjtat argumente, qeveria turke kundërshton edhe sot kthimin e eshtrave të tij në Shqipëri.

Si e shpjegoni përpjekjen e kryeministrit për ta rikërkuar kthimin e eshtrave, ka ardhur si propozim i Akademisë, apo është iniciativë e tij? 
Nuk di të jetë bërë ndonjë përpjekje nga Akademia, por e shoh si një tentativë tjetër për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Sami Frashërit. Këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi mendoj që pala jonë ka të drejtë që vazhdimisht ta riaktualizojë këtë kërkesë.

Thuhet se ka bërë shumë për kulturën turke, siç është pretendimi i tyre, po ju si studiues si e na e prezantoni kontributin e Sami Frashërit për kulturën shqiptare?
Kontributet nuk maten me vendin për të cilin ka kontribuar, maten me rezultantet e kontributit kulturor dhe historik që ka dhënë një personalitet për historinë e një vendi e të një kombi. E në qoftë se i masim me këtë duhet të themi që Sami Frashëri është ai që ka themeluar manifestin ideologjik të kulturës kombëtare “Shqipëria, ç’ka qenë ç’është e çdo të bëhet”.

Sami Frashëri është autori i Gramatikës së Gjuhës Shqipe. Në këtë mënyrë Sami Frashëri ka dhënë disa kontribute themelore që ka vënë vulën në gjithë rilindjen e kulturës sonë kombëtare, në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve, për një shtet të pavarur kombëtar.

A ndikon në marrëdhëniet politike mes shteteve një përgjigje e “Jo”, apo ka një arsyetim tjetër...?
Nuk besoj.

Atëherë mos është çështje xhelozie mbi përkatësinë e personalitetit...Si shpjegohet kjo këmbëngulje e Turqisë?
Po dihet. Është i njohur fakti që në shumë shtete bëjnë luftë për të përvetësuar një personalitet të madh, siç ndodh me Homerin e me personalitete si Nënë Tereza etj. Dhe natyrisht edhe me Sami Frashërin që është një personalitet i përmasave kombëtare dhe më gjerë. Padyshim secili vend ka të drejtën që të përvetësojë emrin e tij, figurën e tij.

Natyrisht ne na takon më shumë, sepse ai është shqiptar, sepse është një nga figurat qendrore të një periudhe kulmore të historisë shqiptare, të Rilindjes Kombëtare, sepse ka dhënë kontribute themelore në historinë kulturore dhe politike të Shqipërisë.

Midis Abdyl Frashërit dhe Sami Frashërit, cila është figura më e rëndësishme për secilin vend?

Natyrisht Abdyli ka qenë deputet në parlamentin turk, dhe sigurisht edhe për historinë e Shqipërisë Abdyli ishte një figurë qendrore në historinë politike, por dihet roli që ka luajtur në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kontributin që ka dhënë në historinë publicistike të kohës.

Në këtë pikëpamje mund të themi se në historinë politike Abdyl Frashëri ka zënë një vend të rëndësishëm, por Samiu ka zënë një vend të veçantë në një plan më të gjerë, në historinë politike kulturore, duke pasur parasysh këtu veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, por edhe me publicistikën e tij me interes të veçantë për zhvillimin e mendimit politik shqiptar të kohës.

Siç e kemi studiuar ne është një ndërgjegje më e ndjeshme, më sensibilizuese për ta bërë atë themeluesin e Rilindjes?
Sigurisht, turqit thonë se bëri Fjalorin por mos harroni se Sami Frashëri është edhe themeluesi i një fjalori të gjuhës shqipe, që deri më tash nuk njihet dhe nuk dihet ku është. Shpresoj të mos ketë humbur dhe të kërkohet, por ka të dhëna të mjaftueshme, që ai e ka kryer dhe e ka dorëzuar këtë vepër.

Nga dalin të dhënat?
Të dhënat vijnë prej një letre të vitit 1885, që Jani Vreto ia dërgon Thimi Mitkos, ku midis të tjerave shkruan “fjalëtore ka zënë e bën edhe Sami Beu, edhe unë vetë ia numërova 6 mijë fjalë rrënjë, që me të dalat, me të përjashurat, të paktën bëhen dy a tri herë aq”.

Do të thotë që Jani Vreto që drejtonte botimet e letërsisë shqipe në Bukuresht ka pasur në dorë fjalorin shqip të Sami Frashërit, i cili ka pasur 6 mijë fjalë rrënjë, ndërsa po të bësh llogari ka apsur 15-20 mijë fjalë rrjedhëse fjalori.

Sigurisht leksikografia turke i ka mjaft detyrime Sami Frashërit, por do të ishte paradoks që Sami Frashëri të mos hartonte një fjalor për gjuhën e mëmës. Ashtu siç dëshmonte se Samiu i ka hyrë vërtet kësaj pune në ato përmasa, për të cilat dëshmon Jani Vreto.

Letrën e këtij të fundit e ndajnë 11 vjet kohë nga një fakt i mëparshëm që tregon për ekzistencën e fjalorit. Është letra e Naim Frashërit në vitin 1896 që thotë se “ne e kemi zënë edhe Fjalëtoren, po e bëjmë”. Fakti që Naimi do t’ia dërgojë fjalorin sa të mbarohet së shtypuri veprat e tjera,  do të thotë se puna me fjalorin nuk ishte në fillim, por në të mbaruar.
 

LETRA E JANI VRETOS DËRGUAR THIMI MITKOS


“Të 23 n’ e vjeshtës së tretë
1885 ndë Bukuresht

Mitkoja im**
(J.B: në krye letra është e dëmtuar)

Kartën tënde të së 10/22 këtij muaj e mora dhe u gëzova. Edhe Thimiu kartën që i kesh shkruar bashkë me të tjerat që i kesh mbyllur ndë atë. Edhe muarën vesh. Zoti A.Avramidh është jashtë, muajnë tjatër na tha vjen.

Shkronjëzat edhe s’na kanë ardhur që të zënë punë, po i presëm tani shpejt.
Gjithë ç’ke shkruar bëni gati dhe dërgoja Thimiut. Edhe nga ato që shtypen unë e shof të udhësë të të dërgohenë. Nuk duhen vetëm 50 cope po dhe 250.
 
Për fjalëtorenë që thua se ke shkruar harrin të jetë e pasurë me fjalë që ka gjuha dhe ndë dëftesë (emërtime) që i përdor gjuha pa punë e pragogjisë*** (J.B: anës letrës në krye është shkruar: Kartënë që gjen këtu brenda ,këndoje edhe mbylle e dërgojua) për ato që të merr mendja shkruaj, funt le të marrë prej atyre që të vinjënë pas (…) për punërat që ke frikë të mësonjë vëllezërish si ma merr mendja. Edhe më vjen mirë, ashtu të më mësojsh.

Për fjalët e  gjalla që përdor gjuha duhet të jesh i lirë t’i shkruash pas çdo të foli (dhialekteje) që ka gjuha. Veç të mos i ndryshojsh e të mos i mbrujsh siç nuk i ka asnjë të folë (e folme-dh.h). Edhe për ato që duhet të bëjsh të ra duhet të jesh i lirë t’i bëjsh si ta mer mendja më mirë se i do gjuha kur je i zot i gjuhësë. Pa në mos qençin të gjitha të goditura do të jenë ca. Edhe kështu ca njëri e ca tjetri bëjnë punë të madhe.

Fjalëtore ka zënë e bën edhe Sami beu, edhe unë vetë ia numërova mbi gjashtë mijë fjalë rrënjë që me të dalat, ndajshtimet të paktën bëhen dy a tri herë aqë. Nuk di Jotja pej sa fjalë është. Duhet të vësh ndë mos të ka rënë ndë mënt, fjalët e gjithë shkronjave që gjendenë gjer mbë sot shqip. Edhe merru vesh me Sami bejnë…”…..etj...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit