Jorida Tabaku: Buxheti që harron hallet e tavolinës së bukës, braktis të varfrit dhe mbështet oligarkët! Simboli i dështimit të kësaj mazhorance

Për vite me radhë, në çdo buxhet faktik apo projektbuxhet në qendër të kërkesave të mia, së paku që nga viti 2017, ka qenë tema e “Borxhit të Fshehur”. Kjo mazhorancë që megjithëse u zotua që do të ulte borxhin publik në 60% të PBB-së dhe që siç tregojnë po shifrat e tyre ka shkuar në 70% të PBB-së ka rritur gjithashtu edhe borxhin e fshehur që në fakt aty mes shifrave dhe vetë e pranojnë e gjurmët i ka të dukshme për sytë e çdokujt. Në nenin 7 të projektbuxhetit 2023 secili nga ju mund të lexojë qartësisht të zezë mbi të bardhë se qeveria shqiptare zotohet që të kalojë nga fondi i rindërtimit prej 5 mld lekësh për të paguar kontrata të firmosura por që në fakt nuk janë buxhetuar.

Një vit më parë, nga kjo foltore kam pasur një debat të fortë me qeverinë pikërisht për këtë temë. Qeveria, e njëjta pak a shumë, zotohej që ka ikur koha e borxhit të fshehur ndërkohë që të dhënat dëshmojnë të kundërtën e asaj që goja e qeverisë propagandonte. Dhe meqenëse neni në fjalë në projektbuxhetin 2023 flet pikërisht për çështjen e rindërtimit dhe vlerën prej 5 mld lekësh që i kalohet nga fondi i rindërtimit për të paguar punë të kryera dhe të papaguara po e nis me projektin e rindërtimit. Që në të vërtetë është një recetë suksesi për një korrupsion specialistësh.

Nga viti 2019 e këndej në porotofolin e qeverisë u shtua një ministri e re e cila do të drejtonte procesin e rindërtimit për fatkeqësinë që ra në vendin tonë pas tërmetit 2019.  Për fatin e keq, ministria e rindërtimit ishte as më shumë e as më pak se një tjetër tërmet i natyrës ekonomike në buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha në transparencën për publikun.

Sot e kësaj dite, megjithëse ministria nuk ekziston më, ne nuk kemi asnjë transparencë për fondet e rindërtimit se si janë tërhequr, ku është aplikuar për këto projekte dhe mbi të gjitha nuk kemi asnjë raport se si është punuar për këtë proces.  I trumbetuar nga të gjithë, përfshirë edhe superministrin e asaj kohe, se procesi i rindërtimit do të përfundonte në vitin 2022 ende ky proces ka mbetur rrugëve.

I vetmi raport serioz mbi këtë proces që kam lexuar është ai i OSBE-ODIHR që e përcaktonte procesin e rindërtimit dhe pagesat nga buxheti i shtetit gjatë fushatës 2021 si abuziv dhe në kundërshti me ligjin elektoral. Të përfitosh nga fatkeqësia, të bësh shoë me fatkeqësinë, të bësh spektakël me jetët e njerëzve live në TV se po afrohen zgjedhjet, se kam parë në asnjë vend tjetër që ka kaluar fatkeqësi. Fatura e rindërtimit sipas asaj çfarë shqiptarët mësuan publikisht ishte mbi 1 mld euro që në fakt u përkthyen në mbi 300 mln euro grante që u manaxhuan eksluzivisht nga Bashkimi Europian dhe me të cilat u ndërtuan shkolla dhe kopshte ndërkohë që pjesa e mbetur mbi 700 mln euro ishin dedikuar për kredi të butë.

Mirëpo qeveria e cila ka për detyrë të pasqyrojë ecurinë e projekteve të saj si në grante dhe në kredi ka vendosur të mbajë në errësirë këdo që kërkon informacion. Në regjistrin e kredive rezulton që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë kredi të butë të siguruar nga konferenca e famshme prej 1 mld eurosh në lidhje me rindërtimin.

Sakaq, kontratat e zbuluara nga KLSH tregojnë se qeveria shqiptare ka firmosur kontrata për punë për të cilat nuk ka pasur asnjë fond në buxhetin e shtetit.  Për rrjedhojë jo vetëm që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë nga kreditë e buta me vlerë 700 mln euro por ka shtuar gjithashtu edhe një faturë ekstra me vlerë 300 mln euro që mbahet nga buxheti i shtetit ndërkohë që vlera reale e borxheve dhe detyrimeve vetëm nga rindërtimit nuk bëhet publik, e mbi të gjitha qershia mbi tortë “raportet nuk publikohen qeveria ende nuk e ka përfunduar këtë proces”.

Dhe sot që diskutojmë projektbuxhetin 2023 ku shqiptarët po presin të kuptojnë se si qeveria do të angazhohet t’i mbrojë ato nga varfërimi, rritja e infacionit, rritja e kësteve të kredisë, rritja e çmimeve të produkteve të tavolinës, ata duhet të mësojnë se 400 mln euro janë detyrime të prapambetura pikërisht nga procesi i rindërtimit.  Ndërsa mijëra familje shqiptarësh të mbetur të pastrehë nga një fatkeqësi natyrore që presin ende nga qeveria për të ndërmarrë hapat që të aplikojë për kreditë e buta sot mësojnë se qeveria ka fryrë një faturë dhe ka krijuar detyrime të prapambetura dhe që do të thotë se për to procesi i rindërtimit është kthyer në një pazar.

E nuk mbetet me kaq, përtej rindërtimit është detyrimi nga gjyqet e arbitrazhit që sipas raportit të KLSH kap shifrën e mbi 388 mln eurove dhe jo aq sa pretendon ky projektbuxhet. Shihini shifrat dhe tabelën e detyrimeve që do të duhet të paguajmë në një formë apo në një mënyrë tjetër sikundër po ndodh sot me çështjen Beketi. Dhe kjo shifër e cituar prej meje është një vlerë në të cilën janë përfshirë gjyqet e nisura që nga viti 2015 e këndej dhe në proces janë dhe 5 gjyqe të tjera që sipas të njëjtit burim kanë një vlerë ekstra prej mbi 227 mln euro.

Vlera e 388 mln eurove është tanimë një detyrim që buxheti i shtetit do të duhet ta paguajë, një shifër që në fakt dëshmon mënyrën abuzive dhe të pandershme se si kjo qeveri ka manaxhuar arkën e përbashkët të shqiptarëve. Kësaj shume nëse i shtohen rreth 20 mln euro detyrime nga GjEDNJ dhe më tej rreth 160 mln euro që njihen nga vetë qeveria si detyrime atëherë shuma totale e borxhit të fshehur dhe detyrime të prapambetura është thuajse 1 mld euro. Një kosto që çdo shqiptar do të duhet ta paguajë njësoj siç paguan sot e kësaj dite kostot e rritura të projekteve të PPP-ve në buxhetin e shtetit si fjala vjen Rruga e Arbrit që nisi me 250 mln euro dhe po përfundon me 500 mln euro

Apo siç përfundon inceneratori i Tiranës që në vitin 2019 ishte parashikuar që në vitin 2021 do paguhej 76 mln euro ndërsa faktikisht është paguar 102 mln euro sipas të dhënave të tabelës së buxhetit të shtetit. Pra projekte që rriten vit për vit duke dëshmuar realisht se për çfarë është përdorur borxhi të cilin qeveria e ka marrë dhe që sot do të duhet çdo shqiptar të paguajë më shtrenjtë duke hequr dorë nga ushqimi në tavolinën e tij për të paguar këstet e larta.

Akoma më keq, presioni i rritjes së çmimeve është lënë tërësisht të bie mbi xhepin e qytetarëve që nga muaji në muaj duhet të luten që qeveria të shtyejë me nga një muaj dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike edhe pse sot çmimi i energjisë në bursat e Hungarisë është më i lirë se sa një vit më parë. Edhe pse qeveria për energjinë elektrike ka vendosur në dispozicion sipas saj 100 mln euro për vitin 2022 sërishmi shqiptarët shohin me sytë nga ekrani me shpresën që qeveria përmes Noterit ERE të shtyejë vendimin për fashat dhe për rritjen e energjisë. Mishi sot është thuajse 15% më shtrenjtë se sa një vit më parë, produktet e bulmetit dhe qumështit janë shtrenjtuar në thuajse 25% në raport me një vit më parë. Ndërsa vezët dhe yndyra në thuajse 30%.

Pra peshën kryesore të rritjes së çmimeve e ka shporta e produkteve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, pra çdo produkt që shqiptarët blejnë përditë në marketet e lagjeve për të konsumuar në tavolinën e tyre. Shumica e familjeve të shtresës së mesme në vend ka nisur të ndjejnë peshën e tepërt të kësteve të kredisë ndërkohë që shtrenjtimi i jetesës do të thotë që ato duhet të fusin gjithnjë e më shumë dorën në arkën e tyre të kursimeve për të mbajtur ritmin e çmendur të çmimeve që rriten.

Tragjedia reale e Shqipërisë sot është se ka ndërtuar një sistem të pandershëm ekonomik jo të bazuar mbi meritokracinë por mbi kleptokracinë. Një sistem ekonomik ku taksat dhe tatimet janë ndërtuar asisoj që shtresa e mesme të paguajë barrën kryesore të të ardhurave dhe ku biznesi të shtyhet të përdorë të gjitha mënyrat dhe format për t’i ikur taksimit të pandershëm socialist. Me një normë taksimi që rritet dhe në krizë. Një taksim që godet shtresën e mesme për t’ia dhënë oligarkëve. Një sistem taksimi që godet shqiptarët që punojnë dhe mbeten po aq të varfër për t’i ofruar gjithnjë e më shumë lehtësi klasës së oligarkëve që gjithnjë e më shumë miklon buxhetin në kurriz të shqiptarëve.

Edhe për këtë vit historia e trishtë përsëritet ndërsa taksat do të rriten me 130 mln euro duke i rënduar po xhepave të shqiptarëve ndërsa shpenimet për PPP-të dhe koncesionet kanë shkuar në 120 mln euro që do të paguhen po në 2023. E njëjta filozofi edhe sot pas 10 viteve në pushtet. Godit punën, godit dijen, godit investimin e çdokujt për të qenë një profesionist i zoti. Godit aftësinë e qytetarëve për të qenë të pavarur nga paratë e qeverisë pasi kështu mund të mbahet me tubin e oksigjenit biznesi i oligarkëve që u janë falur portet, aeroportet, fshatrat turistikë, termocentrale, rrugë, manaxhim mbetjesh dhe jo vetëm.

Me pak fjalën Taksimi Progresiv sot ka vdekur sepse specialistët kanë ndërtuar një Sistem Special ku taksohen 95% e shqiptarëve ndërsa tenderohen 5% e tyre. Ky nuk është qartësisht as një buxhet dhe as një paketë fiskale për familjet shqiptare, për bizneset e familjeve shqiptare.

Në fillim të këtij viti, qeveria mori dy masa në dëm të bujqësisë. E para, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%. E dyta vendosja TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, nga zero për qind që ishin deri në fund të vitit 2021. Kur shumëkush priste të ndryshohej kjo, ndodh pikërisht ajo që nuk mendohej. Qeveria vazhdon të gabojë me vetëdije. Bujqësia, ende aty në paradhomën e qeverisë në karrigen e fundit për t’u dëgjuar.

Nuk është aspak një buxhet dhe një paketë fiskale e fermerëve  të cilët sot përballen me rritjen e kostove për çdo input bujqësor.  Nuk është një buxhet që buxheton naftën në total për fermerët por vazhdon ende të buxhetohet një shumë e vogël për naftën dhe më pas kjo shumë u ndahet disa fermerëve që kuptohet i janë falur përpara deputetit socialist.  Vetëm duke lexuar raportin e 8-mujtorit shihet se nga thuajse 50 mijë aplikime janë pranuar 33 mijë të tilla ndërkohë që pjesa tjetër nuk ka marrë asnjë mbështetje për të marrë subvencionin e naftës. Nuk ka para për shqiptarët, kemi krizë, nëna Shqipëri shndërrohet në Njerkën Shqipëri. 

Edhe këtë e dëgjoj thuajse kudo ku takoj fermerë, si fjala vjen kur isha në qytetin e Korçës ku munda të takohem me disa nga fermerët e asaj zone dëgjoja se si vetë ata shpreheshin të shqetësuar jo vetëm për rritjen e çmimit të inputeve bujqësore apo për probleme të tjera të një natyre më strukturore si fragmentarizmi i tokës.

Por ajo që dëgjova ishte mungesa e mbështetjes financiare për ato bujq që punojnë tokën dhe që kur molla e tyre prishet në fqinjin lindor u paguhet 8 cent/kg ndërsa në Shqipëri jo. Asnjë ndihmë në buxhet nuk pashë për faktorët madhorë që dëmtojnë bujqësinë dhe asnjë incentivë ekstra që bujqësia të jetë faktor kyç në rritjen ekonomike.

Sa shpresë mund të kemi që kjo do të realizohet kur të dhënat e 8 mujorit të këtij viti flasin për një rritje të importeve të zarzavateve pikërisht se toka e punuar sot është gjithnjë e më e pakët. Pasi vetë fermerët e pranojnë që bujqësia sot po varfërohet ndërsa toka mbetet djerrë sepse njerëzit kanë vendosur të mos shpenzojnë më kohën e tyre për një sektor që është lënë në harresë.

Në një harresë që bëhet gjithnjë e më e madhe sa herë që qeveria rreh gjoksin se ka rritur fondet për bujqësinë. Sa herë që qeveria rreh gjoksin se po bën për bujqësinë më shumë se sa është kryer në këto 30 vite dhe paraqet në sfilatën e shifrave të dhëna që as vetë nuk i besojnë kur shohin me sy realitetin e vendit.

Bujqësia shqiptare ka mbështetjen më të ulët buxhetore në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, ndaj prodhimet shqiptare po bëhen gjithnjë e më pak konkuruese.

Nuk kam dashur ta përdor sepse hemorragjia që po i ndodh vendit tonë në të vërtetë është certifikata reale e 3 mandateve të mazhorancës. Vula e dështimit përtej çdo fasade dhe marketingu ekstrem që nuk gënjen më askënd, as ato që e ideojnë dhe vendosin në jetë.  Ky është në fakt vlerësimi më korrekt përtej çdo raporti nga partnerët tanë strategjikë, vlerësimi më real. Vlerësimi më i ndershëm. Përtej kësaj të vërtete, kjo ikje e heshtur bën më shumë zhurmë se sa fjalimi i çdokujt prej nesh që nuk i thotë gjërat ashtu siç janë, plotësisht dhe sinqerisht.

Jam plotësisht e bindur si çdo kush me pak mend në kokë që nuk mund ta ndalojmë këtë hemoragji duke vendosur gardhe për t’i ndaluar shqiptarët që të ikin. Pasi në fakt bashkëatdhetarët tanë ikin nga ky vend jo sepse nuk e duan por sepse mundësitë atyre po u rrëmbehen. Duan mundësi ekonomike, e cila për fatin e keq nga viti në vit po zvogëlohet: Shumica dërrmuese e shqiptarëve largohen nga mungesa e sundimit të ligjit dhe kjo duhet të jetë thirrja që duhet të dëgjojë më së pari SPAK.  Largohen sepse shohin se si korrupsioni është kthyer në normë, në vlerë, në një biletë që të ofron suksesin në shoqëri

Prandaj ky ndër të tjera është dhe problemi ynë. Opozitës që për kaq vite nuk mundi të ofrojë atë që duhet siç duhet! Nuk mundëm të ishim në pritshmëritë e juaja ndaj ju po shihni zgjidhjen jashtë sepse jeni të bindur që ne nuk ndryshojmë! Motra dhe vëllezër, ndjesë! Kjo është më e pakta që mund të them. Ne nga kjo gjendje do të dalim, madje do duhet të dalim më së pari që mos humbasim më shumë shqiptarë.

Atje ku ka jetë, ka edhe shpresë! Ndaj për sa kohë në këtë vend të ketë një grimë jete do të ketë më shumë se një fije shprese. Po a ka zgjidhje përtej një buxheti? A ka një zgjidhje që mund t’i ofrojmë shqiptarëve ne si opozitë që nuk kemi në dorë të bindim këtë mazhorancë të ndryshojë kurs? Natyrisht që ka!

Ftesa ime e parë është që Europën ta ndërtojmë këtu. Ta ndërtojmë këtu duke mos u larguar dhe duke mos e lënë vendin tonë të degradojë në një gerontokraci ku nuk sundon ligji, ku nuk ekzistojnë institucionet, ku demokracia është një term po aq i panjohur sa mobiliteti social. Prandaj do të dëshiroja shumë që të rinjtë të jenë pjesë e procesit të integrimit, të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse duke i dhënë mundësi demokracisë të funksionojë.

Çdo palë zgjedhje janë një mundësi për këtë vend që të kalojë nga moçali i tranzicionit që nuk mund të japë më shumë se sa kaq, tek e ardhmja e përbashkët europiane. Le të jetë procesi i integrimit europian një Brain Gain, për të përthithur së paku një pjesë të vogël të shqiptarëve që kanë zgjedhur të largohen.

Koha ka ardhur që ti rikthejmë këtu. Këtu ka diçka që nuk shkon dhe padyshim ajo që nuk shkon nuk janë shqiptarët. Nuk mund ti mbyllim sytë e mos ta shohim realitetin! Sot është primare të rikthejmë shpresën te politika si instrument për të ndryshuar; tek buxheti si mjet për të investuar aty ku duhet e si duhet, te puna e ndershme, te ndershmëria e sistemit fiskal, te drejtësia e barazia përpara ligjit, nuk mund të kemi një ligj për të fortin e një për të dobëtin, nuk mund të kemi një buxhetin për të pasurin e një për të varfrin!

Nuk mund të kemi një Nënë Shqipëri për oligarkët dhe Njerkën Shqipëri për të tjerët. Emigracioni është sot sfida e politikës shqiptare që duhet të nisë nga buxheti. Buxheti është sfida që duhet të përmbushë çdo nevojë të familjeve shqiptare në kohë krize.

Prandaj përpara se të votoni për këtë buxhet dhe paketë fiskale. Uluni përpara tavolinës së bukës si çdo shqiptar, merrni një laps dhe një letër dhe nisni të bëni llogaritë e shpenzimeve. Llogarisni se çfarë keni blerë këto ditë, sa kanë ndryshuar dhe se si ky buxhet që premton si çdo vit rritje bombastike ka ndonjë zgjidhje për hallin e 95% të shqiptarëve? Ka ndonjë zgjidhje për këstet e kredive? Për inflacionin 4.3%? Për fuqinë blerëse më të ulët në rajon ende pa ardhur kriza?

Mos i hapni rrugë një buxheti të mangët.  Ka ardhur koha që të miratojmë së bashku një kod fiskal me rregulla të qarta për të eleminuar përjashtimet e padobishme nga taksat. Një Kod Fiskal që të mos ua ngecë barrën e taksës që hiqet nga një palë, grupin më të dobët që nuk i hapet dera e ministrisë.

Ka ardhur koha të jemi më të mençur që mos përfundojmë të shpenzojmë për këstet e Eurobondit po aq sa investojmë në arsim.

Inovacioni nuk ndërtohet nga hiçi vetë. As teknologjia dhe arsimi nuk prodhojnë rritje ekonomike vetiu por ata kanë nevojë për një treg të lirë. Mungesa e tregut prodhon hemoragjinë që ne po vuajmë sot, emigracionin. Ndaj gjithë këto minuta të shpenzuara këtu për demagogji mund të ishin shpenzuar ndryshe, nëse do kishte vullnet për një buxhet për qytetarët. Keni 10 vite që flisni për ekonominë më të mirë dhe jemi ende në vendnumëro. Pa zgjidhje, pa ofertë por vetëm me një batutë në xhep.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • KRRIÇI BULES REXHEP KASAP LEKA [ KEPI ]: 09/11/2022 14:12

    Balona Tabake goca e hajdutit që nga brek grisur i kriminelit Enver Hoxha na u bë miljoner me euro duke vjedhur sëbashku me të bijën Balonën Tabake kur ishte zëvëndëse e dylit Lyl. E kjo tani del e gërthet gjoja që mbron njërzit e varfër në një koh që kjo palaço i ka vjedhur kta njerëz pa pushim. Pty rac pise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë