Ju flet BBC në shqip: Qeveria na kishte frikë, ja arsyet! Esencë-Report Tv (VIDEO)

Ju flet Londra! E mbani mend? Jo dhe aq besoj! I ftuar në Esencë ishte gazetari i BBC në Shqip Ilir Kadia. Ai flet për vitet kur BBC në Shqip shkëlqente, apo edhe kur ai vetë ishte dëshmitar i atyre ditëve që nuk kthehen më në Shqipërinë e viteve 90! Esencë në Report Tv, e premte dhe e diel ora 21:00.

Eljan Tanini: -Si nisi kjo punë e BBC në Shqip dhe kur u hap programi për gjuhën tonë?

Ilir Kadia: Unë dhe Aleksandër Furxhi kemi punuar në BBC Shqip, më pas u shtuam me Sokol Grudën, Fatos Ahmataj e më pas shtuam rrjetin në Shqipëri e më gjerë me Ilir Gurakuqin, Robert Goro në Greqi etj…

BBC në Shqip, lajmi ndiqej nga dy djem me biçikletë, më pas u bëmë me makina dhe me zyra të mëdha. Nga ora 19:00 që niste programi jonë, shkuam në 5 orë program me emisionin e mëngjesit e më gjerë.  

BBC e parë në Shqip është hapur në Londër, viti 1940, ndiqej goxha edhe në Tiranë në ato vite. Flisnin në të Tajar Zavalani dhe Said Toptani, u mbyll në vitin 1967. Ne jemi dëgjuar mjaft shumë në ato vitet e demokracisë, po ashtu edhe zëri i Amerikës.

Elez Biberaj për mua me stafin e tij në Amerikë dëgjohej shumë pas viteve 90 në Shqipëri, ai me stafin ishte promotor i ndryshimeve demokratike. 28 Shkurt i vitit 1993 u hap BBC në shqip, e dëgjonin dikur edhe barinjtë me gunë.   Interesi jonë për Tiranën kalon nga Beogradi, kështu më tha shefi i BBC, këtë e kuptova kur nisi lufta në Kosovë!

Eljan Tanini: Si nisën punët e tua të para? Kur u bë kronika e parë?

Ilir Kadia: -Në fillim shkuam në Londër, si staf. Kriteri ishte anglishtja, më pas kolegët në Londër bënë sugjerimet për Furxhiun dhe Kadinë, 28 Shkurt 1993. Edhe në Londër u hap në këtë kohë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rudi Bobrati kur erdhi nga Londra na solli pajisjet e gazetarit.

Kronika e parë ishte sherri i politikanëve dhe një anije me armë e nisur nga Durrësi. Anija ishte nisur nga Durrësi, ishte e vërtetë.  Meksi do të bënte një reagim, po ashtu edhe Zhulali që më dha një gotë raki për këtë gjë. Pas shumë vitesh jam takuar me personin që ishte në hambarin e saj. Zëri im ishte çudi e madhe kur e dëgjova. Armët shkonin nga Shqipëria për në Bosnjë, viti 1993.

Raportoja nga Parlamenti, me celular. Kam qenë i pranishëm kur Azem Hajdari u plagos. Gotën e parë e piva te Fideli, gotën e dytë do e pija në Parlament me Kiço Blushin. Unë aty pashë sherrin Hajdari Mazreku, Azemi e kapi për qafe Mazrekun pasi kish ndodhur sherri, kur pas pak kohe kërciti pushka sapo u ndanë, 5 të shtëna!

Shtypa butonin e manjetofonit menjëherë, kur dola nga salla pashë një grup deputetësh që po mbanin Azem Hajdarin. Rruga ishte bllokuar nga autobusi i transmetimit te RTSH-së. Në atë kohë Azem Hajdari i thotë Gramoz Ruçit që plumbin e kam në shpatull, Gramozi hoqi rripin që ti ndalonte gjakun në këmbë. Atje ishte Maks Cikuli me Anastas Angjelin dhe Tritan Shehun që kishin ndërtuar vigun, vigu i parë. Ata e mbajtën Azemin në duar.

Duke shkuar në zyrë takoj Blendi Fevziun i cili shkroi për këtë fakt. Atë shirit regjistrimi e kam ende në shtëpi. Por më pas, varrimi i Azemit nuk ishte mirë ashtu siç ndodhi. Populli poshtë xhupave të zinj kishte armë. Sa u cek pak dera e kryeministrisë shpërthyen armët nga toka drejt qiellit, njerëzit e mitingut u fshehën në arkivolin e Azemit.

Një gazetar i huaj na tha se nuk na gjen gjë nga tanksi sepse nuk i kishin hequr tapën e tytës së tij.

Mbaj mend Grevën e Minatorëve në Martanesh, atje kam parë çudira për herë të parë. Aq shumë degjohej BBC sa ai që mbante lidhjet me gazetarët prej minierës thoshte se ka ardhur BBC, Reuters e BBC, AFP e BBC… 

Eljan Tanini: Në cilin gjyq keni qenë tjetër i pranishëm? Si e mban mend Berishën dhe Agollin?

Ilir Kadia: -Kam qenë i pranishëm në Gjyqin e Ramiz Alisë, edhe në arrestimin e tij. I kam bërë një intervistë në shtëpi, kish veshur kostumin e Kongresit. Më priti në shtëpi ku  po punonte në kompjuter. Tirana nuk kishte drita, ndërkohë ai ishte i azhornuar. I kish mbetur ora te para 90, donte të tregonte pompozitetin e tij.

Ramiz Alia më tha me duart e lidhura në gjykatë: Shiko si është katandisur Presidenti yt! Kam intervistuar Vilson Ahmetin, Fatos Nanon gjithashtu. 4 minuta i kishte përgjigjet Fatos Nano, i thashë ndalu pak… Ndërsa me Ibrahim Rugovën u bëmë miq në Londër.

Vajta në Prishtinë kur hynë atje trupat e NATO-s, kam udhëtuar me një avion shumë të vjetër të Kombeve të Bashkuara, fjeta te Grandi në Prishtinë, në dhomën e Arkanit. I kërkova Rugovës intervistë, nuk pranoi. Rugova sapo kishte takuar Millosheviçin.Në Kosovë kam parë tmerre, pashë edhe Ish Miss-in e parë që e prezantonte Milaim Zeka.  

Kur Franko Egro ishte në Londër do i nisja materialet, ai më tha se kishin vrarë një gazetar bullgar që kishte pyetur në serbisht sa ishte ora. Në raportonim me celular, kam intervistuar edhe Rothchild-in e madh, Lordin që bëri marrëveshjen e Butrintit, materialet i merrte Diana Kola në Londër.

Dritëro Agollin e kam takuar disa herë, por e kam shkelur manjetofonin pa e ditur ai. Viti 1997 ishte shumë i vështirë për gazetarët. Erdhën dhe më trokitën me bombë në shtëpi te Varri i Bamit. Ishte koha kur fqinjët e rinj mbanin kallash dhe ziheshin mes tyre. Kanë trokitur në shtëpi me bombë!

Të dy djemtë që u zunë me mua me armë, u vranë të dy, i vrau një djalë 15 vjeçar, kush vrau e vranë. Viti 1997 ishte një vit ky rrugën ta tregonin gjurmët e gjakut. Berisha është karakter i fortë dhe udhëheqës i vërtetë, kam parë sheshe të mbushura si kurrë më parë në Tiranë. Dritëroi thoshte për devollinjtë: Hanë shumë, punojnë shumë dhe të tjerat i bëjnë shumë…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sëmundja e murtajës së derrave, vatër e re në Ishull-Lezhë! Asgjësohen 130 krerë bagëti

Sëmundja e murtajës së derrave, vatër e re në Ishull-Lezhë! Asgjësohen 130 krerë bagëti