TIRANE- Gjatë pushimeve të Pashkëve isha tri ditë në Tiranë dhe tri ditë në Stamboll për të prezantuar “Akustikë e Përkryer”, i sapopublikuar në Shqipëri dhe në Turqi. Humba rikthimin e Berluskonit në televizion, por në këmbim takova shumë njerëz interesantë.
 
Në Tiranë u njoha me shkrimtarin shqiptar Ardian Vehbiu, që jeton prej më shumë se 20 vjetësh në New York, por që ishte kthyer për të marrë pjesë në Festivalin letrar ku isha e ftuar edhe unë. Më tregoi që në 1974 – në Shqipëri atëherë ishte komunizmi – gjeti një kopje të Gazzetta dello Sport të tre viteve më parë dhe e ruajti për dhjetë vjet si një relike.
 
Në ato kohë kishin vetëm një të përditshme, organi zyrtar i partisë dhe të mund të lexoje një gazetë të lirë, edhe pse fliste për sport, ishte dehëse. Duke e lexuar, lexuar e lexuar e mësoi përmendësh: më kujtoi titujt e faqes së parë, fliste për një ndjeshje mes Interit dhe Borusisë që kishte dalë 7 me 1. Më tha, se kur ishte djalosh, një shok, fshehurazi, i tregoi një saksofon, instrumenti ”i djallit” i ndaluar nga regjimi dhe ai u emocionua sikur të kishte parë një grua nudo.
 
Prej shtatë muajsh në Tiranë kanë një Kryeministër të ri, Edi Rama, piktor dhe intelektual i huazuar politikës i cili thotë se i zgjedh ministrat dhe ministret në bazë të mungesës së eksperiencës së tyre politike, sipas tij, garanci ndershmërie dhe freskie. I uroj gjithë mbarësinë e mundur: Shqipëria sot është një vend i ri, plot me mendje brilante dhe të gjalla ku ndjen një atmosferë të mrekullueshme. Takova gra shumë të zgjuara, nga botuesja Arlinda Dudaj, te gazetarja e Top Channel Rudina Xhunga, drejtoresha e Free and Fair Media Alba Malltezi, te ylli, shumë e re, Arbana Osmani. Në Shqipëri të gjithë janë rritur duke folur italisht dhe duke ëndërruar lirinë tonë dhe tani e shohin Italinë me besim dhe shpresë si vendi që do të duhet t’i ndihmojë për të hyrë në Evropë.
E meritojnë.
 
 
Ndërsa ditën e dytë të qëndrimit në Stamboll hasa një grup të madh të rinjsh studentë dhe studente të mbuluara me shami të një shkolle islamike me parrulla: “Duam kalifatin”. Kalifët u hoqën nga Ataturku, babai themelues i Republikës Turke në 1927.
 
Turqia është një vend i madh me një histori të madhe dhe sot do të duhej ta shqetësonte Europën: arrestimet e gazetarëve dhe opozitarëve të Erdoganit, kryeministri aktual islamist, janë me mijëra. Pashë në mure shkrime të të rinjve në Jerzy Park që përgatiten për protestat e 1 Majit, të ndaluara nga Qeveria: maska për t’u mbrojtur nga gazet lotësjellës që do të hedhë policia, ilaçe për stomakun kundër gazit, syze për zhytje.
 
Takova edhe në Stamboll gra interesante, por nuk do t’i shkruaj emrat e tyre: nuk jam e sigurtë nëse mund t’u shkaktoj probleme. Vështrimet e tyre ishin me siguri më pak të ndezura se ato të grave shqiptare, shumë të ngjashme me tonat të pak kohëve më parë, kur kishim në qeveri ministra si Gasparri, La Russa, Giovanardi. Nuk dua natyrisht të krahasoj atë qeveri me këtë të Erdoganit, por depresioni që perceptohej në ajër, po.
 
Edhe një udhëtim i shkurtër të mëson se sa me fat jemi që jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik dhe sa e rëndësishme është të ruash demokracinë dhe lirinë. Dhe jo “Jo Europës”
 
*Gazetarja e mirënjohur italiane publikon përshtypjet nga udhëtimi në Shqipëri në blogun e saj Barbablog në revistën prestigjoze Vanity Fair.

Shkrimi u publikua sot 1 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)