Jul Deda: Nostalgji për  kohën
e shkuar, hap “Trikotazhin”

Jul Deda: Nostalgji për  kohën<br />e shkuar, hap “Trikotazhin”
Pas një sezoni të suksesshëm të Apartamentit 2XL, Julian Deda, aktori i njohur i humorit ka vendosur të mos pushojë gjatë këtyre ditëve të nxehta.

 I joshur nga ideja e një mikut të tij, Juli ka vendosur që të marrë një vendim që nuk lidhet këtë herë me jetën e tij artistike, por me menaxhimin e një biznesi.

  Si një nostalgji, por edhe “malli” për diçka shqip në bllok, Julin tani do të mund ta shohim më shumë në “trikotazhin e  tij”.  

  Juli në këtë intervistë flet edhe për marrëdhëniet me fëmijët e tij dhe kritikat që i bëjnë ata. 

“Çdo fëmije në botë, babi i tij i duket më i miri dhe më i famshmi. Në fakt vajza reagon kur më shikojnë dhe më flasin të tjerët në rrugë.

Ajo më pyet gjithmonë: pse të pëlqejnë kaq shumë të tjerët? Për të është normale që të dilet në Tv dhe nuk gjen arsye që dikush të më dojë kaq shumë, sipas saj hahahhahah.

Kurse djali akoma nuk e ka mendjen te fama e babit. Ka punë të tjera.”,  shton me humor  Juli.



Juli si ka kaluar vera për ty?

Në fakt nuk ka kaluar akoma. Sipas temperaturave, ajo sapo ka filluar. Në të vërtetë jam pushim si aktor, por si Jul nuk i kam filluar akoma pushimet, sepse po merrem me disa punë personale dhe projekte të reja që do fillojnë të marrin jetë nga vjeshta.

I kënaqur me sezonin që u mbyll të AP2XL?

Shumë i kënaqur madje. Ishte një sezon i lodhshëm, sepse ishte i gjatë dhe si i tillë, na ka shkundur psiko-fizikisht. Por duhet pranuar se çdo gjë shkoi ashtu siç duhet. Me ardhjen e kryeministrit Berisha në finalen e sezonit, mbasi kishim kohë që i këndonim, besoj se i dha publikut një super finalizim sezoni.

Cilat do të jenë risitë e sezonit të ri?

Formula është e njëjtë, por gjithcka që do thuhet në atë spektakël do jetë e re. Vetë formula e tij të imponon diçka të tillë, sepse është e bazuar tërësisht në akualitetin tonë. Dhe është pikërisht e përditshmja ajo që ne e quajmë karburanti jonë. E si rezultat, nuk mund të ketë asnjëherë të vjetra, por gjithmonë të reja, sepse edhe Shqipëria është një vend që prodhon risi.

Dimë që po merresh me diçka tjetër këto kohë, një lokal….

Po është e vërtetë, “Klab TRIKOTAZH”. Bashkë me një mikun tim kemi marrë një lokal në zonën e ish-bllokut, i cili do hapet së shpejti gjatë gushtit.

Cilat janë arsyet që të çuan të merrje një vendim të tillë e të themi nga arti t’i futesh biznesit?

Unë në fakt nuk jam hedhur nga arti në biznes. Ose më saktë nuk e quaj hedhje. Por do t’i bëj të dyja. Duhet të kuptohemi, skenën nuk e ndërroj me asgjë. Po, pse të mos merrem edhe me një biznes. Thashë ta provoj njëherë.

Mendon se ka shumë lokale në Tiranë, çfarë do të ketë ndryshe i juaji?

Është e vërtetë, ka shumë lokale. Por siç shtohen, edhe mbyllen (qesh). Nejse, mendoj se “Klab TRIKOTAZH” është shumë ndryshe. Duke filluar nga emri; që është i vetmi emër shqip në të gjithë zonën e ish-bllokut. Pastaj dhe atmosfera do jetë mjaft e bukur aty. Do ketë gjithçka, nga një kafene deri te një night-club. Edhe kokteilet do kenë emra shumë interesant. Le të mos i themi të gjitha, sepse unë si aktor jam mësuar të mbaj ca sekrete, sepse e bën më interesant impaktin e parë.

Është paksa e modës që njerëzit e njohur të hapin biznese private, kemi parë shumë këngëtarë deri tani që e kanë bërë diçka të tillë?

Nuk e di sa e modës është. Por meqë e thua ti dhe në fakt edhe kam dëgjuar, mund të them se personat e njohur rendin drejt biznesin edhe për arsyen e thjeshtë se janë të njohur (qesh). Mund të them, që kjo ishte një ftesë e një mikut tim për t’ju bashkuar kësaj inisiative... Mu duk interesante dhe pranova, të shpresojmë që do shkojë mirë.

Pse “Trikotazh”, nostalgji për kohën e shkuar, apo për “Trikotazhin e Korçës”?

Na u duk interesant. Përveçse është thellësisht shqip, ka edhe pak humor si fjalë. Aq e vjetër, aq komike në vetvete dhe kam përshtypjen që do mësohet shpejt dhe do mbahet mend lehtë.

Si jetohet me artin Juli?

Ahhh, sa pyetje e bukur! Përgjigja duhet menduar mirë, sepse nuk mund të them as mirë, e as keq. Por mund t’i them edhe të dyja. Diçka është e rëndësishme që duhet ta dinë të gjithë; në Shqipëri, me art nuk bëhesh i pasur. Nëse ti ke një talent dhe mbi të gjitha punon shumë dhe me sinqeritet përballë spektatorit, atëhere ke shumë gjasa të jetosh normal financiarisht dhe mirë profesionalisht.

Nëse bën të kundërtën, tregu të nxjerr me shkelma përjashta e si rezultat jeton keq edhe profesionalisht edhe financiarisht. Unë nuk dua të tregohem hipokrit dhe të mos them që më ka ecur mirë në profesion. Kam patur shumë fat, por edhe kam punuar shumë për të arritur deri këtu. Ama kurrë nuk duhet thënë “BOLL”. E mira në art s’ka fund, është gjithmonë e rrethuar me një të panjohur që artisti e ka për detyrë profesionale ta zbulojë, e kështu të bëhet akoma më i mirë, e kështu të fitojë më shumë, e kështu të jetojë më mirë.



Çfarë të shqetëson në realitetin shqiptar?

Oohh, shumë gjëra. Që të mos i them të gjitha, sepse nuk do mjaftonte një natë dimri po përmend shqetësimet e fundit. Më shqetëson fakti që ne jemi akoma shuuumë gjaknxehtë dhe bëjmë veprime të pamenduara.

Po t’i hedhim një sy lajmeve apo gazetave, të gjitha janë të mbytura në lajme të zeza. E tmerrshme! Përveç keqardhjes që ndjej për çdo njeri që ndahet padrejtësisht nga jeta, më vjen po aq keq që imazhi i Shqipërisë sonë, që ne duhet ta duam shumë, po dëmtohet rëndë. E kjo nuk është e nevojshme.

Cilat janë ëndërrat e tua, që nuk guxon kurrë ti thuash me zë të lartë?

Nuk kam asnjë që unë nuk e them me zë të lartë. Kur e dua diçka, e them fort dhe me zë shumë të lartë dhe përpiqem ta arrij. Pastaj edhe si pyetje nuk qëndron, sepse po të kisha ëndrra që nuk dua t’i them me zë të lartë, nuk do t’i thoja këtu në intervistë, sepse pastaj nuk do ishim më ëndrra, por të thëna me zë ose me shkrim (qesh).


 
Tashmë fëmijët e tu janë në një moshë që kuptojnë gjithçka, përse të kritikojnë më shumë?

 (Qesh), vajza më kritikon ndonjëherë, sepse i shikon detajet. Më kritikon kur unë harroj të mbaj ndonjë premtim. Ajo nuk harron kurrë. Kurse djali, ahhh si është ai...Uragani që kërkon vëmendjen maksimale. Jam i lumtur dhe i dua shumë.

Si është raporti i një babai të famshëm me fëmijët e tij?

Njëlloj si të gjithë baballarët me fëmijët e tyre. Ka të qeshura, ka nerva, ka të bërtitura. Pastaj çdo fëmije në botë, babi i tij i duket më i miri dhe më i famshmi. Në fakt vajza reagon kur më shikojnë dhe më flasin të tjerët në rrugë. Ajo më pyet gjithmonë: pse të pëlqejnë kaq shumë të tjerët? Për të është normale që të dilet në Tv dhe nuk gjen arsye që dikush të më dojë kaq shumë, sipas saj hahahhahah. Kurse djali akoma nuk e ka mendjen te fama e babit. Ka punë të tjera hahaha.

 I ngjan ky raport ai që babai yt, Zef Deda ka pasur me ty?

Mendoj se po. Pak a shumë, gjërat përsëriten. Edhe pse mendoj se çdo gjë është në varësi të periudhës që ke jetuar. Unë s’kam pasur gjërat që kanë fëmijët e mi. Gjithashtu edhe babai im nuk më blente dot gjërat që unë mund t’i blej fëmijëve të mi. Në aspektin njerëzor, marrëdhënia prind fëmijë në thelbin e vet nuk ndryshon shumë.

Jeta ideale si do ishte për ty?

Nuk është mirë të lakmoj. Faleminderit Zotit, jam shumë i lumtur me këto që kam. Gjithsesi, jam gjithmonë në kerkim të më të mirës për mua dhe familjen time.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit “THASH&THEM” të gazetës “Shqiptarja.com”


Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)
 

1/3
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron