Julian Deda: “Aktorët e humorit të paragjykuar”

Julian Deda: “Aktorët e humorit të paragjykuar”
I ftuar në rubrikën e përjavshme “Pink Report” në emisionin “Rreze Dielli” ka qenë këtë herë aktori i njohur Julian Deda. Këtë herë ai nuk është shprehur vetëm për “Apartamentin 2XL” ku ai është pjesë por edhe për komedinë e zezë “Dorëzimi”, e cila prej disa kohësh është vënë në skenë në teatrin e Metropolit. Me këtë shfaqje Juli rikthehet pas tre vitesh ne teatër duke iu kthyer kështu “dashurisë” së tij të vjetër. Gjithashtu aktori i njohur nuk ka lënë pa përmendur përditshmërinë dhe risitë e “Apartamentit 2XL”. Deda ka komentuar edhe largimin e aktorit Ermal Mamaqi nga ky format televiziv duke thënë se shpreson në një kthim të tij në të ardhmen.

Çmund të na thoni për komedinë e zezë “Dorëzimi”?

Kjo është një komedi e shkruar posaçërisht për Broadway. Shfaqja është përshtatur në shqip nga Gent Bejko dhe është hera e dytë që ai vë në skenë një komedi të zezë. Komedinë e parë të zezë e ka vendosur në skenë para 10 vitesh. Është një pjesë me katër personazhe ku sigurisht ka situata komike pasi është komedi por ka dhe situata horrori prandaj quhet komedi e zezë. Subjekti është i tillë, një tip i cili e ka humbur dorën e tij para shumë vitesh dhe nis e kërkon atë. Më pas ai ka kontaktuar dy persona një vajzë të bardhë dhe një djalë me ngjyrë, duke i kërkuar që të gjejnë dorën në këmbim të një pagese që ai u ofron. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku sportelisti jam unë. Të katërt personazhet janë të ndryshëm ndërmjet tyre, janë skajorë dhe kanë problematikat dhe hallet e tyre. Ndonëse sportelisti duket pa lidhje me veprën ai është strumbullari i gjithçkaje çka bëhet në atë hotel, sepse për hir të tij personazhet nuk vdesin, më vonë zbulohet lidhja e tij me djalin me ngjyrë. Në fakt është një personazh që në jetën e tij kërkon diçka pra i ka munguar të jetë protagonist në jetën e tij. Pra këtij personazhi nuk i ka ndodhur asgjë në jetë dhe pret që t’i ndodhë diçka dhe ajo çfarë po ndodh në hotel i duket diçka shumë e madhe.

Duke qenë se përmendët këto karakteristika tek personazhi , ishin këto që ju tërhoqën për të pranuar rolin apo ka diçka tjetër?

Çdo rol që do të më ofrohet nga fusha teatrore sigurisht që do t’a shoh me prioritet dhe me shumë dëshirë për t’a pranuar. Duhet të jetë shumë i dobët ai rol që unë mos t’a pranoj. Kam shumë dëshirë të luaj në teatër po ashtu edhe në televizion edhe në film dhe duke qenë se këto gjëra nuk janë të shpeshta nuk kemi luksin ti themi jo. Megjithatë ky rol më pëlqen shumë pasi nuk ka asnjë lidhje me mua. Unë nuk jam tipi që nuk ka ndodhur asgjë në jetë, pasi në jetën time kanë ndodhur shumë gjëra. Ishte diçka ndryshe dhe për këtë arsye më tërhoqi që në fillim si rol.



Çfarë ndjesish ju përcolli rikthimi në teatër pas tre vitesh mungese?

Kthimi në teatër është gjithmonë një kënaqësi e madhe pasi është dëshira e fshehur e çdo aktori. Kur bëhet fjalë për teatër nuk i shikojmë pagesat apo kushtet e punës, janë disa parametra, të cilat ne i anashkalojmë sigurisht pa e tepruar, por gjithsesi anashkalojmë shumë gjëra. Këtu në “Teatrin e Metropolit” është eksperienca ime e parë dhe mund të them eksperienca ime më mirë teknikisht por edhe profesionalisht ndonëse këtu jemi mësuar të çalojnë gjërat për shumë pak ndoshta edhe për një tapet këtu çdo gjë ka qenë në vendin e vet.

Cilat janë planet e ardhshme tuajat në lidhje me fushën e aktrimit?

Për momentin do vazhdoj me “Apartamentin 2XL” është një spektakël në vazhdim dhe nuk e di kur do të ndalet burimi i këtij lumi, pastaj do të vazhdoj me komedinë e zezë “Dorëzimi” jam dhe në përgatitje të një komedie tjetër me regji të Milto Kutalit aty do të luaj me Gent Zenelaj, partnerin tjetër në “Apartament” këto janë projektet që kam për momentin. Gjithashtu doja të theksoja diçka në lidhje me kohën pasi shume regjisorë mendojnë se nuk kemi kohë për t’u marrë me aktivitete të tjera si teatër apo filma, por në fakt nuk është e vërtetë pasi ne në qoftë se na paraqitet një projekt i mirë patjetër që do të bashkëpunojmë. Kështu që nuk është e vërtetë që ne nuk kemi kohë për të bashkëpunuar thjesht shoh dëshirën e munguar të shumë njerëzve që merren me këtë punë dhe që janë drejt dështimit absolut, për të mos i ingranuar këto djem dhe vajza që dalin javë për javë në televizion, si ne po ashtu edhe ata të spektaklit të humorit “Portokalli”. Jemi një brez me kaq energji dhe kaq ide si dhe me lirshmëri dhe përvojë të fituar në këto 10 vjet sikur të kishim shumë vite në skenë sigurisht pa ulur vlerat e çdo aktori që nuk është në këtë spektakël. Por shoh se me ne ka një lloj paragjykimi të tillë.

Kjo do të thotë që artin e shihni me një sy me pesimist nga më parë apo nga çfarë do të vij më pas?

Po t’a shoh në syrin tim nuk jam dhe aq pesimist pasi unë jam në kulmin e punës dhe jam shumë i lumtur që bëj punën që dua me gjithë zemër. Gjithashtu jam i lumtur që e realizoj me një volum të jashtëzakonshëm. Duke e parë nga këndvështrimi im mendoj se është mirë. Ndoshta duke e parë me sytë e ndonjë personi tjetër i cili nuk ka shumë punë, arti mund të jetë edhe në krizë. Nuk besoj se një regjisor apo aktor të punoj shumë, të jetë i talentuar dhe të mos gjejë punë, është e pamundur. Jeta e një aktori në përgjithësi është një audicion i madh. Ka vend për të gjithë mjafton të jesh kërkues dhe sigurisht të kesh talent.

Prej pak javësh ka rinisur “Apartamenti 2XL”, çfarë risish pritet të vijnë gjatë këtyre puntatave të reja?

Ky minisezon i “2XL” brenda sezonit të madh ka nisur pa Ermalin është një largim i tij duket t’a mirë kuptojmë pasi ai thjesht kishte dëshirë të merrej pak më jetën e tij private me biznesin dhe punët e tij. Kjo ishte arsyeja përse ai bëri një shkëputje një pauzë mund të ketë një rikthim ose jo. Megjithatë shpresojmë që të ketë një rikthim, pasi Ermali sigurisht që ka vlerat e veta në gjithë karrierën e grupit tonë dhe në grafikun e sukseseve të “Apartamentit 2XL”. Përveç kësaj programi vijon normalisht aty jemi një grup aktorësh shumë të mirë, energjikë me dëshirë për ta bërë atë punë. Ai është një spektakël shumë i vështirë dhe që kërkon shumë energji pozitive. Çdo gjë që do të bëhet në “Apartament” është e re pasi është një spektakël i përjavshëm dhe duke qenë i tillë ai është aktual dhe normalisht aktualiteti në Shqipëri lëviz. E reja në program është përmbajtja e tij.



Sa i fokusuar është Juli tek familja, duke gjykuar edhe nga angazhimet tuaja të shumta të lidhura me profesionin?

Sa herë që kam pak kohë të lirë “vrapoj” tek ata,(qesh) dhe me të vërtetë që kështu është pasi kur kthehesh në shtëpi i lodhur apo i mërzitur ata të relaksojnë. Unë e kam shumë kënaqësi të merrem me ata. Janë një energji tjetër për mua, më duket sikur më rimbushin me karburant sepse janë të dy shumë fëmijë energjikë. Duke qenë se vetëm një ditë në javë kam pushim dhe përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum duke dalë me ata, por brenda vendit sigurisht.

Duke qenë se vitet kalojnë dhe ju rriteni më shumë profesionalisht sa shtohet pesha e të qënit djali i aktorit të madh Zef Deda?

Mendoj se kur e fillova këtë profesion kishte më tepër kuptimin “unë jam djali i Zefit a do të më hapet rruga këtu” por tashmë kjo merr një tjetër përgjegjësi, pasi kam për detyrë morale dhe familjare të ruaj një lloj standardi me këtë mbiemër që unë përfaqësoj dhe kjo ndoshta nuk ma bën më të vështirë punën, por ma bën më të bukur. Mendoj se për ruajtur mbiemrin nuk është e thënë të bësh çudira, për ta ruajtur them se duhet bërë puna jote shumë mirë. Atë çka di të bësh duhet ta bësh mirë dhe kështu e ruan edhe imazhin e emrit apo të mbiemrit. Fakti që kam qenë djali i tij më ka ndihmuar shumë në brumimin tim si aktor, pasi që kur kam qenë i vogël ai më merrte shpesh në teatër në ambientin, ku ai punonte dhe pak a shumë isha i mësuar me këtë ambient që në moshën 5-vjeçare. Unë prej tij kam mësuar thjeshtësinë në skenë, e cila është baraz me shumë sukses. Aktori është si fëmija i vogël ai i bën gjërat me shumë sinqeritet dhe mjaft thjesht ashtu siç i bën një fëmijë. Këto sigurisht i kam të brumosura me vite ndoshta në mënyrë shumë indirekte dhe këtë ia di shumë për faleminderit



Mendoni se kjo trashëgimi do të vijojë edhe tek fëmijët tuaj? Shihni ndonjë dritë talenti tek ata?

Absolutisht janë dy fëmijë mjaft energjikë dhe kam përshtypjen se diçka do të bëhen. Sidomos djali është shumë pantonimik, por janë shumë të vegjël nuk mund të flas që tani. Unë do të doja që ata të bëhen çfarë të duan, por të jenë mjaft të suksesshëm në atë çfarë do të bëjnë si dhe të gëzojnë respektin e njerëzve.

Ju keni keni marrë pjesë edhe në spektaklin e kërcimit “Dancing With The Stars” ku jeni shprehur se keni disa “vrima” për të mbyllur. Sa janë mbyllur këto vrima?

Jo nuk janë mbyllur akoma vrimat(qesh). Jam shumë i lumtur që nuk janë mbyllur akoma këto vrima sepse njeriu duhet të ketë gjithmonë një arsye se përse duhet të punojë dhe jo vetëm të vemë pasuri pa fund. Duhet të ketë edhe gjëra për të shlyer qoftë një kredi. Sepse ne jemi njerëz shumë komun paguajmë drita, ujë etj. Janë shumë pagesa në jetën tonë, jeta jonë është e mbushur vetëm me pagesa përveç kredisë. Një shoku im për t’i bërë qefin vetes thotë se vetëm njerëzit e pasur kanë kredi (qesh) ok nuk jam dakort (qesh).

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

1/3
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Hodhën molotovë e shkatërruan në protesta e 7 tetorit, arrestohen edhe 2 protestues! 5 nën hetim

Hodhën molotovë e shkatërruan në protesta e 7 tetorit, arrestohen edhe 2 protestues! 5 nën hetim