Qeveria greke po çorienton votuesit. Kështu ka deklaruar kreu i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker. Deklarata e tij vjen menjëherë pasi kryeministri grek, Aleksis Cipras deklaroi në parlamentin grek se kreditorët ndërkombëtarë po përpiqen të poshtërojnë Greqinë.

Por, Junker tha se qeveria greke nuk po i tregon të vërtetën popullit grek dhe se bën me faj qeverinë greke që i ka thenë popullit grek gjëra që nuk janë konsistente me ato që i janë propozuar qeverisë greke në bisedimet e Brukselit.

Debati në Greqi dhe jashtë Greqisë, tha Junker, do të ishte më i lehtë nëse qeveria greke do të thoshte ekzaktësisht atë që Komisioni Europian propozon.

Akuzave të kryeministrit grek se në bisedimet e Brukselit është kërkuar që të rritet TVSH për elektricitetin dhe barnat, Junker deklaroi se ai nuk është dakord që kjo të ndodhë dhe se do të ishte një gabim i madh.

Por, kreut të komisionit europian i është përgjigjur ministri grek i financave Janis Varufaqis i cili tha se propozimet e komisionit përfshinin edhe rritjen e TVSH-së për elektricitetin.

Junker ose nuk e ka lexuar dokumentin që i dha Ciprasit, tha Varufaqis, ose e ka lexuar dhe ka harruar se ç’ka lexuar.


(v.gj/shqiptarja.com)