Juristët: Sashenka Jonuzi
nuk mund të jetë gjyqtare

Juristët: Sashenka Jonuzi<br />nuk mund të jetë gjyqtare
Dhurata" dyvjeçare, që i është bërë Sashenka Jonuzit pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me një rrogë prej 1.2 milionë lekë të vjetra në muaj afërsisht. ka "tronditur" komunitetin e juristëve në gjykatën kushtetuese e në gjykatën e lartë, por edhe në rrethin e gjerë të juristëve.
"Kjo do të thotë, se ata që drejtojnë sot KLD, po hedh në kosh të plehrave inteligjencën juridike të këtij ligji përderisa bëjnë interpretime të çuditshme lidhur me qëndrimin në detyrë të Sashenka Jonuzit", thotë për Shqiptarja.com një nga gjyqatarët e niveleve më të larta në vend.
Gjyqtarja Sashenka Jonuzi, ka mbushur moshën e pensionit, 65 vjeç. Automatikisht, në bazë të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, zonjës Jonuzi, i ndërpritet mandati i gjyqtares, sipas nenit 20, të ligjit 9877, "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor". Pra, që në kohën e mbushjes së moshës, zonja Jonuzi nuk mund të marrë pjesë në asnjë proces gjyqësor.
VENDIMI
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendim për shtyrjen e mandatit të Sashenka Jonuzit për dy vjet të tjera, vetëm dhjetë ditë më parë. "Vendimmarrja e Këshillit të lartë të Drejtësisë është ligjore", u shpreh pak kohë pas vendimit zv.kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, "madje, vazhdoi më tej zoti Spahiu, unë kam abstenuar".
Gënjeshtra e parë e zotit Spahiu, e cila tregon nivelin e talljes me postin, ndoshta edhe për shkak të marrjes së përgjegjësisë për drejtimin e një lëvizje si Aleanca Kuq e Zi, dhe lënies jashtë përgjegjësie për drejtimin e një organizmi të tillë që është qeveria e pushtetit gjyqësor, qëndron pikërisht tek deklarimi i tij për abstenim.
I pyetur dje nga "Shqiptarja.com" për deklaratën e votës abstenim, zoti Spahiu, i cili gjendej në Shkup thotë se nuk ka asnjë argument tjetër ndryshe nga ai që ka thënë. "Kur nuk je as pro e as kundër, si konsiderohet vota?" bën pyetjen zoti Spahiu. Kërkesës sonë se sipas ligjit të KLD nuk mund të ketë një votë abstenuese, Kreshnik Spahiu nuk i përgjigjet.
Ligji për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë të qartë dhe të prerë thotë se nuk ka votë abstenim në KLD. Vota në këtë trupë vendimmarrëse, mund të jetë vetëm pro, ose kundër. Neni 24 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përcakton qartë mënyrën e votimit, çka në fakt nuk lejon abstenimin. Juristët tregojnë se në rast se kjo gjë ka ndodhur në KLD, vetë mbledhja e cila ka marrë në shqyrtim dhe konsideratë rastin "Jonuzi" mund të konsiderohet nul për shkak të vendimmarrjes së padrejtë në të. Ose Kreshnik Spahiu, si nënkryetar i këtij organizmi, ka votuar ndryshe nga sa ka deklaruar, pro ose kundër.

SHKELJET LIGJORE
Ligji për organizimin dhe funksionimin e Pushtetit gjyqësor dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, janë dy akte ligjore që merren në kuvend me një shumicë të cilësuar, që do të thotë me 84 vota. Eshtë e vërtetë se në jurisprudencë, argumentojnë gjyqtarët, Kodet, kanë fuqi më të madhe ligjore sesa vetë ligjet, çka do të thotë se Kodi Zgjedhor mund të ketë fuqi më shumë sesa ligji "Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor". Por në rastin konkret, të mbushjes së moshës së pensionit, nga një gjyqtare e Vlorës e cila është zgjedhur që për një mandat katër vjeçar të kryejë edhe detyrën e anëtares së Kolegjit Zgjedhor, për shkak të referencave ligjore, një gjë e tillë nuk mund të merret në konsideratë.
Kështu, Ligji për "Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit gjyqësor" e thotë qartë dhe prerë se përfundimi i mandatit të një gjyqtari vjen prej disa arsyesh dhe një prej të cilave, në mënyrë taksative, është edhe mbushja e moshës së pensionit, 65 vjeç.
Juristët argumentojnë se abuzimi në rastin konkret është bërë me nenin 149 të Kodit Zgjedhor në të cilin thuhet se gjyqtarët, të cilët janë anëtarë të Kolegjit zgjedhor, gjatë kohës që kryejnë këtë detyrë nuk mund të procedohen nga Këshilli i Lartë i drejtësisë. Por ky nen i kodit zgjedhor, është i lidhur dhe ka referencë nenin 32 të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, që shprehet për largimin e gjyqtarëve nga puna për masë disiplinore, por që në asnjë rast këtu në ligj, nuk është përmendur argumenti i mbushjes ose jo të moshës së pensionit.
Në këtë mënyrë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në vendimmarrjen e tij, nuk mund të ketë asnjë kompetencë për zgjatjen e mandatit të një gjyqtari, pavarësisht se cilës vendimmarrje mund ti referohet, argumentojnë juristët.
ÇFARE DO TE NDODHE
Sashenka Jonuzi, paraqitet çdo ditë në zyrën e saj si gjyqtare, edhe pse është jashtë mandatit. Por, si gjyqtare e gjykatës së Vlorës, Sashenka Jonuzi do të marrë në shqyrtim edhe çështje të punës së përditshme të gjyqtarëve.
Në rast se ndonjë palë ndërgjyqëse gjatë proceseve gjyqësore me gjyqtare Sashenka Jonuzin, do të kenë pretendime për vendimmarrjen e gjykatës dhe të trupës gjyqsore me gjyqtare Sashenka Jonuzin, automatikisht do të kërkojnë shpalljen nul të vendimit, sepse është marrë nga një gjyqtare që i ka mbaruar mandati për të qenë e tillë.
Çështja automatikisht mund të shkojë për shqyrtim në kolegjin e bashkuar të Gjykatës së Lartë, madje pse jo, ndoshta edhe për interpretim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese. Në rastin konkret, këto gjykata, në asnjë rast, sipas juristëve, nuk mund të legjitimojnë Sashenka Jonuzin si gjyqtare, për shkak të mbarimit të mandatit të saj me daljen në pension.
LOGJIKA
Sashenka Jonuzi, është gjyqtare. I ra shorti, për të qenë anëtare e kolegjit zgjedhor. Pra, detyra e saj si gjyqtare e Kolegjit Zgjedhor, nuk prevalon mbi detyrën e saj si gjyqtare. Ajo pra është anëtare e Kolegjit, vetëm sepse është gjyqtare. Në rast se i përfundon mandati si gjyqtare, automatikisht, thonë juristët, ka përfunduar mandati edhe si anëtare e Kolegjit Zgjedhor. Ka pasur raste të shumta në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve si Kiço Ngjela apo Spiro Spiro, që e kanë lënë detyrën e tyre, për shkak të daljes në pension, edhe pse ishin zgjedhur nga parlamenti në këtë detyrë me një afatshumëvjeçar.
HESHTJA E OPOZITES
Përveç deklaratës së Edi Ramës në Tëitter për shpërblimin e gjyqtares Sashenka Jonuzi me dy vjet rrogë për shkak të vendimit të kolegjit Zgjedhor për Tiranën, nuk ka pasur asnjë iniciativë tjetër ligjore nga opozita për të kundërshtuar një vendimmarrje të tillë.
Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, deklaroi dje për "Shqiptarja.com" se socialistët nuk mund të kenë asnjë iniciativë në rastin konkret.
"Forca jonë politike, apo çdo subjekt tjetër, nuk mund të legjitimohet në çdo kërkesë që mund të bëjë në gjykatën e Lartë apo Kushtetuese. Janë të përcaktuara rastet kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Megjithatë, edhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt, sepse vetvetiu, zonja Jonuzi, do të përballet me procese gjyqësore. Dhe palët që do të jenë në gjyq, do të kërkojnë përjashtimin e saj nga trupi gjykues, për shkak se gjyqtarja ka dalë në moshën e pensionit. Automatikisht, çështja do të shkojë në gjykatën e Lartë, dhe pas kësaj, vendimmarrja do të jetë e kuptueshme për përfundimin e mandatit të zonjës Jonuzi" tha dje Xhafaj për "Shqiptarja.com".

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi