Jusuf Vrioni/Një "takim" i ëmbël me 
vdekjen në plazhin e Durrësit në '84

Jusuf Vrioni/Një vdekjen në plazhin e Durrësit në '84">
Pjesa e dytë e kujtimeve për mjeshtrin e përkthimit Jusuf Vrioni, Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 15 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta... Kujtimet janë botuar në librin "Përkthimi një histori pasioni", nga Eshref Ymeri. 16 marsi i këtij viti shënon 100 vjetorin e lindjes së Jusuf Vrionit, Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës dhe, për shqiptarët, kalorës i legjionit të Letrave moderne shqipe . Po ky vit shënon edhe 15 vjetorin e shuarjes dhe humbjes së tij të pazëvendësueshme.

Në nderim të kësaj figure të lartë, shembull paepshmërie, modestie e fisnikërie, erudit dhe Mjeshtër i shkollës përkthimore shqipe, që me punë vetëmohuese përcolli në botë vlerat e Letrave shqipe dhe që shumëkush i ka një borxh të madh, ditën e diel, ne sollëm pjesën e aprë të kujtimeve të studiuesit Fotaq Andrea, kujtime, që janë përfshirë në librin e Prof. Dr. Eshref Ymerit "Përkthimi, një histori pasioni", një libër me vlera enciklopedike, një monument i artit të përkthimit. Vijimin e kujtimeve, e sjellim në numrin e sotëm, si më poshtë.

*********
(Vijon nga numri i kaluar)

 
TIRANËAi ishte i pari, Ai ishte mbi të gjithë ne. Por çka dua të vë këtu në dukje është se shpesh Jusufi, kur konsultonte letërsi franceze - politike a artistike qoftë -, me një lexim të mahnitshëm gati vertikal, dinte të pikaste pikërisht një shprehje të veçantë, një strukturë të bukur gramatikore, një elegancë gjuhësore. Dhe atëherë nuk mungonte të vendoste në margjinë diezisin e tij të famshëm #, për të tërhequr vëmendjen, një zakon që unë vetë e kam ruajtur prej tij, krahas shkurtimit nb (nota bene) me atë vizimin e tij të lehtë me laps, anash.

Nga ana tjetër, kishte në përkthimin e Mjeshtrit një siguri dhe një përgjegjësi të plotë për atë që nxirrte nga dora. Shpesh e dëgjonim, të mahnitur, tek e lexonte me zë të ulët tekstin që kishte përkthyer ai vetë, sidomos kur bëhej fjalë për tekste letrare, konkretisht për përshkrime peizazhesh a portretesh, apo për dialogë intensivë me tonalitet të lartë dramatik. E lexonte tekstin me zërin e tij murmuritës, për të ndjerë me veshë bukurinë muzikore të rrjedhshmërisë në frëngjisht, ritmikën e rreshtimit të fjalëve në fjali, dhe në çast ndalej kur një term nuk ishte në vendin e vet; shpejt e korrigjonte dhe rifillonte sërish leximin; ndalej përsëri, për të vënë një presje të shpejtë, presjen e famshme jusufiane, aq elegante, dhe që hapi aq telashe meskine kur vuri me guxim në kopertinë titullin frëngjisht "l'Eurocommunisme, c'est de l'anticommunisme", sipas modelit prudonian "La propriété, c'est le vol". Po për këtë histori, me sa më kujtohet, ka folur edhe ai vetë në librin e tij Kujtimet e një europiani, libër gjithë përkorë e modesti jusufiane.

Veçse ia vlen këtu të përmend një episod të veçantë, tepër domethënës. Me rastin e një turneu jashtë shtetit të Ansamblit të Këngëve e Valleve, P.K., që e njihte disi Profesorin, i jep një tekst të përkthyer në frëngjisht që do botohej si fletëpalosje (historiku i shkurtër i Ansamblit) dhe i thotë: "Hidhi një sy, do paguhesh". Aq u desh që Profesori të shpërthente: "E çfarë do të thotë "hidhi një sy"? Që t'i jap një të lexuar e shko tutje? Kaq të sigurt jeni për përkthimin që keni bërë? Atëherë, pse ma jepni mua? Po qe për të më paguar, ja ku po ju paguaj unë ju, më parë, dhe shkoni gjeni një përkthyes tjetër që t'i "hedhë një sy". Jo, kjo punë s'bëhet në këmbë.

Ose do ulem e ta punoj, ose gjeni një tjetër, dhe e paguaj unë". I zënë ngushtë, tjetri u përligj se "nuk kishin kohë, se ishin në minutë të fundit dhe se priste shtypshkronja", ashtu sikurse ndodh gjithmonë te ne edhe sot e kësaj dite kur gjërat bëhen alla shqiptarçe.

Ndonëse ky episod më bën të vë edhe sot buzën në gaz për fuqinë e arsyetimit të Jusufit, që e kapte shpesh mat, me logjikë të shëndoshë, bashkëbiseduesin kur e kundërshtonte, ka në të dy elementë për t'u vënë në dukje: së pari, mendimi "po e pa Jusufi përkthimin, e ka parë Perëndia", domethënë po vuri dorë ai, është siguria dhe përsosmëria vetë; së dyti, mendimi "ç'e ka Jusufi një përkthim, është kaq i shpejtë dhe kaq i saktë, sa ta jep "llokum" në dorë".

E vërteta  e thjeshtë është se ai kishte edhe shpejtësi, edhe saktësi, pikërisht atë çka përbën një tipar gjeniu. Po ama, vullneti dhe këmbëngulja e tij për të arritur më të mirën e mundshme ishin vërtet për t'u admiruar.

Ngulmonte për të bukurën përherë i pakënaqur nga vetja, tek e ripunonte një tekst si ta qendiste, dhe variantet përkthimore vinin valë-valë te ai, gjer te bocat e shtypshkronjës. Aq sa u qiste "telashe" linotipistëve të papërtuar, duarartit Gjergji me shokë, faqosëses së qeshur Lejla me shoqe. Dhe një gjë mësuam më së miri në shkollën e tij: bocat ishin pasqyra e vërtetë e librit, përpjekja e fundit dhe përfundimtare për të arritur maksimalen (gjithnjë të mundshme), si vetë ajo provë gjenerale për një shfaqje të suksesshme. Andaj dhe u bëmë mjeshtër të lexonim në shtypshkronjë paragrafë të tërë së prapthi, nga fundi në fillim të rreshtave, drejt e në plumb, qoftë gjatë radhimit, qoftë gjatë faqosjes, madje të pikasnim në çast gabimin tipografik, makar një spacio tepër.

Nga puna në shtypshkronjë atyre viteve, më kujtohet një pasdite vonë kur përgjegjës Stathi më thërret në kthinën e tij për të më dhënë fashikuj në frëngjisht dhe, në prani të Shqipes, një grua e fortë dhe e zonja në profesion, më pyet me zërin e tij të ngrohtë por të trashë, si t'i gërryente honinë e grykës: "Si e shpjegon ti që Jusufi bën gjithë këto ndryshime në boca? Pse s'i keni bërë më parë korrigjimet, po i lini për t'i bërë këtu te ne?

Na e keni bërë gjithë punën çorap! Kaq të pazotë jeni?" I zënë në "faj", për më tepër që duart e buavitura dhjamore të Stathit po më tmerronin me ato plagë gjak të psoriazisit që i kishte shkaktuar rrezatimi i plumbit për 30 vjet në shtypshkronjë, u mundova të shpjegoj se të bësh ndryshime papushim - jo vetëm në përkthim, por edhe në shqip - nuk është paaftësi, përkundrazi, është zotësi, aftësi që tregon se përsosja s'ka të sosur.

Dhe kjo arrihet vetëm kur ke njohje të thellë të gjuhës dhe të profesionit. Pasandaj u ripërsërita shprehjen e Zaferit kur thosh: "Bocat janë si ai thesi i zbrazur i miellit, që shkunde sa të duash, prapë miell do qisë". Zaferi, në mos gaboj, ishte pinjoll i familjes fisnike të Vila-Frashëllinjve me emër, një burrë elegant tek të gjashtëdhjetat, simpatik e me mustak të bardhë, mik i hershëm i Jusufit, që korigjonte e konfrontonte bocat me të ëmblën Eli, e cila do martohej më pas me kolegun dhe mikun tim aq të mirë e të zotë Eqerem Mete.

Zaferi, me humor të hollë, të cilin e mbulonte me një pamje serioze prej babaxhani, çdo qui të shpeshtë të frëngjishtes e shqiptonte shkarazi gjatë konfrontimit në mënyrën e vjetër dialektore të shqipes qi, dhe ne mezi mbanim buzëqeshjen, edhe pse ai gjoja vërenjtej e rrudhosej si për të na thënë: "Po ju, ç'keni, pse zgërdhiheni?"

Po le t'i rikthehem Mjeshtrit, pa u hallakatur kujtimeve. Eh, Jusuf përsosmëria! Sa do desha sot, o Zot, të më binte në dorë një faqe daktilografimi mbushur me redaktime jusufiane, një tekst krejt të nxirë nga portamina e tij, ku formohej ajo perla e përsosur përkthimore brenda guaskës së vet të nxirë! E ta merrja atë faqe daktilografike ta vija në kornizë që ta kisha përherë të shenjtë para syve, si hajmali përkthimi!

E vërteta e thjeshtë është që unë vetë mësova të përkthej thjesht nga korrigjimet e Jusufit. Qindra, mijëra faqe të redaktuara, të nxira krejt nga dora e Mjeshtrit, më është dashur t'i kaloja në makinë ato vite të para pune, të dekriptoja shkrimin e tij të imët si ata murgjit mesjetarë që kopjonin e rikopjonin tërë jetën tekstet e shenjta. Falë asaj pune të dorës së dytë, të dorës së tretë, të korrektorit letrar a teknik, punë disi "bedeli", por sidomos falë punës intensive gjatë netëve të tëra në shtypshkronjë, në prani të Mjeshtrit, do mund të ecja fillimisht këmbadorazi profesionalisht, për t'u ngritur shpejt e me siguri në këmbë. Sepse, përmes varianteve të njëpasnjëshme gjuhësore të Jusufit, do pikasja forcën, saktësinë dhe bukurinë e veçantë të përkthimit të tij.

Ja një episod tjetër i atyre viteve, përsëri aq domethënës (dhe episode të tilla do thoja, kam plot, që do t'ia vlente një ditë t'i hidhja në letër). Kërkohej nga lart, aty nga mesi i viteve tetëdhjetë, një listë shprehjesh të vështira në shqip për çdo botim, për të ditur se si ishin përkthyer ato në gjuhë të huaj, e në radhë të parë në frëngjisht. Ishin shprehje të tipit "bëj be e rrufe" (jurer les grands dieux), "nxis urat" (jeter de l'huile au feu), "t'i rikthehet copa në diell"" (regagner sa place au soleil), "mbërritën si kofini pas të vjelave" (ils arrivèrent comme la moutarde après le dîner), e plot të tilla, që për fat të mirë i kam ruajtur.

Dhe ja ku shfaqet në shqip, si shprehje e vështirë për përkthim, shprehja "të shtrëngojmë rripin". Dhe Mjeshtër Vrioni që e përkthen bukur: serrer la ceinture d'un cran (të shtrëngojmë rripin një vrimë). Po pyetja drejtpërdrejt nga lart në margjinaturë të fletës daktilografike ngulmonte: "përse një vrimë?" I sikletosur për të dhënë përgjigje, Profesori vjen e më takon në shtëpi (sa kënaqësi për time më kur e përshëndeste ëmbël: "mirëdita Zonjë!", ndërkohë që fjala "Zonjë" ishte zhvlerësuar krejt në thelbin e vet të fisnikërisë).

Dhe më "qahet": "Fotaq, të lutem, një a dy vrima, zgjidhe këtë muhabet ti vetë, po unë kam dashur të japë idenë e sakrificës, se të shtrëngosh rripin gjer në fund të barkut është si të bësh hara-kiri." Ia ktheva me buzëqeshje, ëmbëlsi e mirëkuptim, e qetësova tek folëm gjatë në dhomën time modeste që ai e pëlqente, ku mbisundonte një bibliotekë faqe muri me serinë e librave klasikë të Garnier Flammarion. E sigurova plotësisht se do bëhej siç e kishte përkthyer ai. Dhe ashtu ndodhi: profesori im i dashur u çlirua edhe nga ai siklet!...

Vihej re përgjithësisht një dallim midis intelektualëve shqiptarë të formuar në Perëndim para çlirimit dhe atyre të formuar në ish Bashkimin Sovietik, dallim që e kanë pasqyruar në librin e tyre 57, Boulevard Stalin, Paris, 1990 edhe çifti i pedagogëve frëngj në Shqipëri  në atë kohë Elisabeth e Jean Pierre Champseix: intelektualët e grupit të parë shfaqeshin më sportivë, më elegantë në trup, më "bons viveurs". (Ja ku po ndesh këtu në vështirësi përkthimi shqip. Jo, kjo shprehje nuk është thjesht në kuptimin "qejflinj", siç e jep Prof.Vedati në Fjalor, me njëfarë konotacioni negativ që e ka vetë shqipja; një "bon viveur" a një "bon vivant" (le të kujtojmë që nuk ka sinonimi absolute!) është përherë një njeri me humor të gëzueshëm, që shijon kënaqësitë e jetës, pa shpërdorime, është pra një njeri i dashuruar pas vetë artit të të jetuarit – pikërisht kjo që na ka munguar historikisht.)

Pra, në atë grup intelektualësh të shquar, nga të parët që kanë bërë me biçikletë itinerarin Tiranë-Durrës (plazh) gjatë sezonit të verës kanë qenë Petro Zheji, Sherif Delvina, Dhimitri Pilika, vëllezërit Kokona, Jusuf Vrioni, Riko Konica, Zafer Vila, etj. Shpirti i tyre sportiv shfaqej në tërë format dhe natyra (det, mal, pyje, rërë, liqen, diell) mbetej burim i pashtershëm për energji jetësore.

Dhe ja ku aty nga fundi i viteve 70, Jusufi më kërkon një ditë qershori, me shumë drojë, në mund të flija netëve në shtëpinë e tij për nja dy javë gjatë verës, si për t'i  ruajtur shtëpinë, kur vetë do shkonte familjarisht në plazh të Durrësit. Pa e vrarë shumë mendjen dhe nisur nga adhurimi që kisha për të, i premtova, dhe ashtu bëra: fjeta në shtëpinë e Profesorit dhe mbrëmjet e gjata i kaloja në kabinetin e tij të vogël të punës, ulur në tryezën e punës të Mjeshtrit, duke shfletuar libra nga etazheri i tij i vogël me pesë rafte, e sidomos fjalorë të vyer që ndodheshin të rreshtuar në të.

Më është ngulur në mendje që nga ajo kohë një fjalor analogjik i trashë, një fjalor i vështirësive gramatikore, një manual për pastërtinë e gjuhës frënge (me përshtatje të foljes dhe emrit), libra këto të vjetër, ashtu sikurse edhe ca vizatime në format të vogël, me fletë të zverdhura nga koha e me korniza të holla metalike varur në murin e sallonit të pritjes mbi një tryezë të madhe që, vërtet ishin antikuare, por flisnin për luks të dikurshëm dhe për dhuratë të vyer. Dhe një ditë prej ditësh, kur unë "bëja roje" në shtëpinë e vogël dykatëshe të prof. Vrionit, venë e i thonë tim eti, duke i fryrë gjërat, se "yt bir shkon në shtëpinë e filanit, se kështu e ashtu", për ta tmerruar. I qetë, im atë jep përgjigjen: "Po mirë, ai bën punë të nderuar, e dini ju?" Dhe andralla, për fat të mirë, u mbyll me aq.

Flet me hollësi Profesori te libri i tij Kujtimet e një Europiani për atë ditë gushti 1984 kur në moshën 68 vjeçare i ra infarkt në plazh në 30° C (u fol se kishte luajtur volejboll me një grup të rinjsh dhe se, më pas, kish bërë me not pash 100 metrat e tij të përditshme.) Vetë Jusufi e përshkruan me detaje dhe gjithë dramaticitet atë shuarje graduale të pulsit dhe atë "ikje" të mjegullt lehtake, si një "ngritje" e ngadaltë në ajër e trupit të tij, me atë pëshpëritje e lutje të fundit në buzë: "më lini, mos më ngacmoni, më lini të ikë kështu", apo siç shprehet ai vetë mrekullisht bukur në libër: "më lini t'i bëj reverencën e fundit kësaj jete".

Edhe sot e kësaj dite, Sherif Delvina, miku dhe adhuruesi im, më kujton herë-herë, me atë të folur të tij elegante e të gjallë prej poeti, se si ia kishte përshkruar skenën e infarktit vetë Jusufi në shtratin e reanimacionit, ku nuk mbeti shok e mik pa i vajtur në spital. "Isha - kujton Sherifi fjalët e Jusufit -, si në një ëndërr të bukur. Ah! Ajo re e trëndafiltë që po më merrte me vete, po më çonte përpjetë, aq ëmbël, puhizë e vërtetë qiellore. Sa e desha, sa e kërkoja një ëmbëlsi të tillë, një fund të tillë, një shpërblim të tillë, pa pikë vuajtje!"...

Por flet me adhurim Profesori te libri i tij jetëshkrimor edhe për dy miqtë e tij të dashur të punës: lopata, në vitet e prangosjes së lirisë së tij dhe makina e shkrimit Triumf, me të cilën triumfoi betejave të vështira të përkthimit. Dhe më kujtohet fare mirë ajo ditë kur mbollëm pemë kolektivisht në kopshtin e vogël para godinës së Shtëpisë Botuese: ca shkurraje gjelbrane si gardh përgjatë trotuarit dhe disa ligustra me trung të brishtë e të shtrembër, përkrah dy pishave të larta të hershme, njëra prej të cilave ekziston edhe sot e kësaj dite. Admirova atë ditë mënyrën si e manipulonte mjeshtërisht lopatën Jusufi, tek e mbushte me dhé pa sforcim, me një ritmikë të rregullt, dhe tek kalonte lehtë majën e gjuhës në buzën e poshtme, si për ta njomur, tepër i përqendruar e serioz, si t'i jepte jetë pemës nga vetvetja, nga djersa e tij.

Sot, pas kaq vjetësh, sa herë që më bie rruga të kaloj nga ish Shtëpitë Botuese, nuk përmbahem pa u ndalur një hop me admirim përpara të vetmes ligustër që ka mbetur aty, pa kaluar dorën përgjatë trungut të saj dhe pishës së lartë, tek i përkëdhel lehtë si për të përshëndetur tërë atë plejadë përkthyesish, redaktorësh, korrektorësh, tërë atë kolektiv që gjallonte e gumëzhinte në atë godinë për vite të tëra, me ato mbrëmje vallëzimi "Te Xhaja" dhe fytyra të qeshura që më janë skalitur në mendje.

Pikërisht, në një nga ato mbrëmje, më 1981, me rastin e 65 vjetorit të lindjes së tij, pata fatin dhe nderin t'i vendosja në gjoks Mjeshtrit një dekoratë (Urdhërin Naim Frashëri) dhe duart po më dridheshin nga emocionet. Nuk po arrija dot të mbërtheja nga pas telin e sertë me majë të dekoratës, dhe një çast u shpova në gisht. Tek pa pikëzën e gjakut në gishtin tim, i emocionuar sa dhe unë, Jusufi më pëshpëriti në vesh, me një buzëqeshje të ëmbël, nga ato që shkëmbenim shpesh me shumë domethënie: "U la me gjak edhe kjo punë, mon cher".

Vite më vonë, me ardhjen e demokracisë, u takova me Jusufin kur drejtonte Komitetin shqiptar të Helsinkit për të drejtat e njeriut. U interesua me se merresha, më këshilloi të mos hiqja dorë nga përkthimi, duke më përmendur përvojën e fituar. Më pas, do takoheshim në Pallatin e Europës në Strasburg në maj 1998, do admironim bashkërisht statujën e Poseidonit në lëndinën përpara Këshillit të Europës, ku më shpjegoi gjithë finesë të pazakontë se "statuja origjinale me siguri duhet të ketë pasur edhe heshtën tredhëmbore, përderisa dora e djathtë e statujës është mbledhur rrumbullak, si të mbajë diçka, dhe kur krejt pozicioni i saj është ai i një heshtari".

Shëtitëm krah për krah të lidhur, nën një diell të rrallë pranveror alzasian, ku vozisnin në ajër një çiflt lejlekësh të Parkut të Oranzhërisë dhe ndjehesha i lumtur, fatlum që vazhdoja të kisha përkrah Mjeshtër Jusufin.

Ruaj nga ai takim, si kujtim të çmuar, një fotografi me të në holin qendror të Këshillit të Europës, ku në mes kemi vënë Meritën, time shoqe. Por kujtimin më të vyer nga Profesori kam pikërisht librin e tij me autograf, ku më përshëndet Frater – Paternellement (Vllazërisht e Atërisht) atë nëntor 1998.

Vite më pas (2009), i kushtova Mjeshtrit antologjinë time Pena të arta franceze për shqiptarët, me rreth 150 autorë, duke e mbyllur vëllimin me kapitullin "Shkrime rreth jetës dhe veprës së Jsuf Vrionit" nga miqtë e tij francezë, Eric Faye, Jacques Lang, Marc Semo, Vincent Hugeux, Alain Salles, Yves Mabin, etj. Dhe, ashtu si në vëllim, po e mbyll edhe këtë shkrim për Mjeshtrin dhe Profesorin e nderuar me përshëndetjen tonë, të përditshme e të përhershme: "Bonjour Jusuf".


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Iu vra vëllai nga gruaja e tij, motra e 34-vjeçarit shqiptar: Ajo tradhtoi dashurinë dhe besimin e tij! Familja ime u shkatërrua

SHBA/ Iu vra vëllai nga gruaja e tij, motra e 34-vjeçarit shqiptar: Ajo tradhtoi dashurinë dhe besimin e tij! Familja ime u shkatërrua