Juventusi mundi 1-0 Romën në superndeshjen e javës së 8-të në Serinë A dhe siguron fitoren e katërt radhazi duke u ngjitur në zonën e sipërme të klasifikimit. Golin e fitores e shënoi Moise Kean në minutën e 16-të. Sfida u shoqërua me polemika pasi Roma barazoi me Abraham në fundin e pjesës së parë por më parë arbitri Orsato kishte akorduar penallti. Goli nuk u quajt dhe penalltinë e humbi Veretout. Të dielën është në program derbi i Italisë Inter-Juventus.
Napoli realizon edhe mrekullinë e tetë. Napoletanët mposhtën me vështirësi 1-0 Torinon dhe qëndrojnë me pikë të plota në krye të klasifikimit. Tetë fitore në po kaq ndeshje për Napolin. Golin e vetëm ndaj Torinos e shënoi Osimhen dhjetë minuta nga fundi pasi Insigne kishte humbur penallti.
Ndërsa në La Liga Barcelona rikthehet tek fitorja dhe u afrohet rivalëve kryesor në zonën e sipërme të klasifikimit. Katalanasit përmbysën Valencian në “Camp Nou” duke fituar 3-1. Gaya kaloi miqtë në avantazh por Barcelona përmbysi që në pjesën e parë me golat e Ansu Fati dhe Depay ndërsa në fund llogaritë i mbylli Coutinho.Javën që vjen luhet “El Clasico”./ Përgatiti Andi Kapxhiu