Afganistani nënshkroi sot një marrëveshje sigurie për t'i mundësuar trupave amerikane të qëndrojnë në vend deri në vitin 2015, të nënshkruar nga presidenti i ri Ashraf Ghani që synon të ketë marrëdhënie më miqësore me Uashingtonin.

Kjo marrëveshje që pritej prej shumë kohësh nga Uashingtoni, u nënshkrua sot në Kabul nga ambasadori i SHBA-së, James Cunningham dhe Hanif Atmar, këshilltar afgan për sigurinë kombëtare, një ditë pas marrjes së detyrës nga Ghani.

Presidenti Hamid Karzai, që u largua nga funksionet e tij dje, kishte refuzuar të nënshkruante këtë dokument, duke përkeqësuar marrëdhëniet mes Kabulit dhe Uashingtonit.

Sot, Cunningham dhe Atmar, nënshkruan dokumentin gjatë një ceremonie në pallatin presidnecial, dhe njëkohësisht edhe një marrëvehsje të ngjashme me NATO-m, "SOFA"-n (Statusi i Marrëveshjes së Forcave) që hedh bazat e pranisë së kësaj organizate në Afganistan për vitin tjetër.

Ushtarë gjerman, italian dhe të vendeve të tjera të NATO-s do t'i bashkhen rreth 9 800 ushtarëve amerikanë, duke formuar një total prej 12 500 trupash.
Pas përfundimit të misionit luftarak të NATO-s në dhjetor, misioni i ri i quajtur "Resolute support" (mbështetje e vendosur), do të përqëndrohet në stërvitjen dhe mbështetjen e forcave afgane që luftojnë kryengritësit talebanë.

Aktualisht janë rreth 41 mijë ushtarë të NATO-s në Afganistan, kundrejt 130 mijë që ishin në vitin 2012.

ATSH