Policia Kufitare e Kakavijës ka sekuestruar sasi mishi e peshku kontrabandë, të cilat ishin futur në Shqipëri përmes linjave ndërkombëtare të autobusëve që vinin nga Athina.
Në autobusin e linjës Athinë-Gjirokastër që drejtohej nga një 54-vjeçar tashmë i arrestuar, u gjetën 685 kilogramë mish viçi, të prerë në formë bërxollash.
Rasti tjetër ishte në autobusin e linjës Athinë-Shkodër ku në 4 kuti kartoni ishin futur 82 kilogramë e 900 gramë peshk. Shoferi, një 46-vjeçar, është vënë nën hetim.
Njoftimi i plotë:
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy autobusë të linjave ndërkombëtare, uniformat blu zbuluan sasi të konsiderueshme mishi dhe peshku, të cilat dyshohet se ishin futur kontrabandë në territorin shqiptar.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit të autobusit të linjës Athinë-Gjirokastër, me drejtues shtetasin A.B., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan 685 kilogramë mish viçi, të prerë në formë bërxollash.
Për këtë rast, drejtuesi i autobusit u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij u referuan veprimet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal.
Ndërkohë, rasti i dytë u evidentua gjatë kontrollit të autobusit të linjës Athinë-Shkodër, me drejtues shtetasin D.M., 46 vjeç, banues në Elbasan.
Në këtë autobus u gjetën katër kuti kartoni, brenda të cilave kishte një sasi prej 82 kilogramësh e 900 gramësh peshk, e cila dyshohet se ishte futur kontrabandë në territorin shqiptar.
Në lidhje me këtë rast, u kryen veprimet hetimore në ngarkim të shtetasit D.M., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”. Ai do të ndiqet në gjendje të lirë.
Sasitë e mishit dhe peshkut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për vijimin e hetimeve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.










Komente
Komento