KAKAVIJE - Policia Kufitare ka sekuestruar ditën e sotme në Kakavijë një numër të konsiderueshëm vepra arti, të vjedhura në objektet e kultit në vendin tonë, ndërsa në prangat e policisë ka rënë Edion Abazi, 24 vjeç nga Durrësi.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Gjirokastrës, veprat e artit të vjedhura u gjetën në bagazhin e makinës së 24-vjeçarit që udhëtonte nga Tirana në drejtim të shtetit grek.

“Më datën 31.01.2013, rreth orës 15.00, Efektivat e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije rreth orës 12.30 gjatë kontrollit në vijën e dytë të bagazheve të pasagjerëve që udhëtojnë në makina të vogla në drejtim të shtetit grek, Edion Abazi, 24 vjeç nga Durrësi që udhëtonte si pasagjer në një autoveturë, në çantën e tij iu gjetën një numër i konsiderueshëm vepra të kulteve fetare, si kryq, piktura, pjesë të ikonostasit, të epitafit etj., vepra të vjedhura në kisha të ndryshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Gjirokastrës.

Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, si dhe origjinën e këtyre veprave apo pjesëtarëve të tjerë të implikuar në këtë trafik.

Operacioni i mëngjesit të sotëm nga Policia Kufitare u drejtua nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër Admir Abrija.

Materialet në ngarkim të 24-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)