Konsulli grek në Venezuelë, u gjet i vdekur mëngjesin e ditës së sotme në Caracas.  

Angelos Haritos, 55 vjeç, ndërroi jetë në dhomën e tij të hotelit, aty ku po qëndronte i shoqëruar nga dy femra.

Sipas mediave fqinje, femrat kanë njoftuar fillimisht sigurinë e hotelit "Altamira Suites" sapo kanë konstatuar se ai ishte pa ndjenja. Më pas, ato kanë dëshmuar për policinë se Angelos Haritos kishte konsumuar alkool dhe se rreth orës 1 të natës kishte ndjerë dhimbje të forta në gjoks. 

Bazuar në informacionin paraprak, vdekja e diplomatit 55-vjeçar i atribuohet shkaqeve natyrore, megjithatë autoritetet venezueliane po hetojnë të gjitha mundësitë.

Diplomati grek, Angelos Haritos ishte i martuar dhe me fëmijë.