Të gjithë zëvendëskryetarët e gjykatave dhe prokurorive shqiptare, do të emërohen automatikisht si drejtues të këtyre institucioneve. Ky ndryshim vjen pas ndërhyrjeve të miratuara në seancën maratonë të 27 janarit në Kuvend, përmes së cilës mazhoranca socialiste kërkon të adresojë krizën e drejtimit të gjykatave dhe prokurorive. U deshën 85 vota në Kuvend për t’i hapur rrugë prekjes së dy ligjeve të reformës në drejtësi, të cilat synojnë të forcojnë edhe filtrat se si zgjidhen anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së, që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, nga avokatia, shoqëria civile apo bota akademike.
Emërimi i zv.kryetarëve pa garë, ishte pika që ka hasur më shumë kundërshti dhe debate. Nga opozita dhe Shoqata e Gjyqtarëve është parë si uzurpim i kompetencave të KLGJ, e cila ka miratuar tanimë një akt të posaçëm që i hap rrugë garës për drejtuesit e Gjykatave.
“Ditën kur KLGJ miraton rregullat që me garë të emërojë drejtuesit e gjykatave, ca bëjnë këta, sjellin një ligj dhe thonë, këta që janë aktualisht mjafton të plotësojnë dy kritere. Pra, të vazhdosh të jesh kryetar gjykate me ligj, jo me vendim të KLGJ, jo me garë siç e thotë ligji, por sepse sjellim një dispozita që i marrim kompetencat KLGJ ditën që thotë jam gati të bëj garë me rregulla. Ju doni të kontrolloni çdo emërim në KLGJ dhe KLP”, tha Bardhi.
Varianti i miratuar, pësoi disa modifikime nga propozimi fillestar, duke reduktuar në dy vjet mandatin e të emëruarve automatikisht, dhe duke e kushtëzuar po ashtu me procesin e zgjedhjes nga KLGJ.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja shpjegoi se me këto ndryshime, drejtuesit e gjykatave që do të emërohen automatikisht do mund të qëndrojnë në detyrë deri sa KLGJ të zgjedhë një drejtues të ri, dhe jo më vonë se dhjetori 2027.
“Rregulloja e re e KLGJ ka hyrë në fuqi në janar 2026. Ky proces duhet të përmbyllet nga KLGJ, por dhe KLP, brenda vitit 2027, por kjo s’do të thotë se nga data 1 janar 2026 këshilli të mos shpallë vakancat për emërimin e kryetarëve të gjykatave me mandat të plotë sipas ligjit”, tha Manja.
Votën kundër të opozitës, kreu i grupit të PD e kishte paralajmëruar që më herët gjatë seancës maratonë.
“Do votojmë kundër për fakton se çdo prekje e reformës në drejtësi duhet të jetë kujdesshme dhe duhet të synojë eficencën e sistemim të drejtësisë”, tha Bardhi.
Kritikave për këto ndryshime iu bashkua edhe socialisti Fatmir Xhafaj.
“Nuk jam shumë optimist për efektin e tyre në një rrafsh më të gjerë. A sjellin këtij amendamenti ndryshime, a arrijnë të zgjidhin këto ndryshime problemet e drejtësisë? Bashkohem me kolegët se problemi real është stoku i çështjeve, qytetarët ankohen se çështjet zgjaten me vite. Drejtësia e vonuar është e mohuar. Dosjet e prapambetura janë sfida më e madhe e sistemit sot, këto dy projektligje nuk arrijnë ta zgjidhin këto problem. Nuk janë të mjaftueshme dhe nuk kanë në fokus të adresojnë këtë shqetësim.
Legalizimi i situatës së drejtimit me zëvendës në gjykata dhe prokurori, zgjidhje qe kontestohet edhe nga profesionistët. Kjo situatë nuk ka ardhur nga boshllëqe ligjore, por nga papërgjegjshmëria e këshillave, veçanërisht në mandatin e tyre të parë. Nuk e zgjidhim këtë problem në thelb, por e formalizojmë këtë situatë paligjshmërie në sistem”, tha Xhafaj.
Më këto ndryshime parashikohet që pasuria dhe pastërtia e figurës së kandidatëve të verifikohet më thellësisht nga Avokati i Popullit, duke përfshirë tatimet, prokuroritë dhe institucione të tjera. Deputeti socialist i cili propozoi edhe amendamentet shpjegoi në Kuvend nevojën për këto ndryshime në reformën në drejtësi.
“Janë evidentuar një sërë problematikash, vakanca në drejtim e gjykatave dhe prokurorëve, mungesë procedurash për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve magjistratë, paqartësi në statusin e inspektorëve të ILD. Këto mangësi kanë prodhuar vonesa dhe bllokime që dëmtojnë besimin e publikut tek institucionet. Adreson krizën e drejtimit të gjykatave dhe prokurorive ku shumicat drejtohen nga zv.kryetarët.
Parashikon mekanizëm kalimtar për vazhdën e drejtuesve aktual deri në zgjedhjen e drejtuesve të rinj, sipas ligjit por jo më vonë se deri në 2027 me qëllim shmangien e një paralize institucionale. Përmirësimi i funksionalitet i ILD përmes qartësim të statusit të inspektorëve dhe zgjatjes së afatit të komandimit të magjistratëve deri në 10 vite”, tha deputeti Komici.
Gjithashtu forcohet një kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm, mendimi i së cilit duhet të merret në konsideratë nga KLP kur zgjedh drejtuesit e prokurorive.
“Pr.ligji parashikon përfshirjen e Prokurorit të Përgjithshëm në dhënien e opinionit, vetëm për drejtuesit që kërkojnë mandat të dytë për tu zgjedhur në krye të prokurorive, jo kur gara zhvillohet mes prokurorëve rishtazi”, shpjegoi kryetari i Komisionit të Ligjeve, UIsi Manja.
Ndryshimet në dy ligjet, “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve” dhe “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, u miratuan me 85 vota pro dhe 10 vota kundër.
Kliko këtu për të lexuar pr.ligjin për Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë
Kliko këtu për të lexuar pr.ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve
Komente











