Cilat janë tre zonat e nxehta që mund të ketë kamera të paligjshme, nga rrethrrotullimi pranë TEG-ut, te 'Myslym Shyri' dhe '5 Maji'

Disa janë zonat që konsiderohen si të nxehta në kryeqytet ku eksponentë të botës së krimit mund të ketë të instaluar kamera sigurie të paligjshme. Sipas burimeve të Report Tv, policia ka dyshime se këto kamera mund të jenë të vendosura pranë rreth rrotullimit të TEG-ut, në afërsi të disa zonave rezidenciale, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, e cila konsiderohet si hapësira e ushtrimit të aktivitetit të Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij.

Këto zona, por edhe territore të tjera më të vogla në Tiranë pritet të verifikohen nga policia në vijim, pas urdhrit të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku të shpërndarë në të gjitha drejtoritë e qarqeve. 
Në fokus të veçantë në kryeqytet do të jenë edhe zonat e “Myslym Shyrit”, “5 Maji”, “21 Dhjetori”, e më gjerë.

Fillimisht, do të ketë verifikim të kamerave që konsiderohen pa Zot, dhe do pritet çmontimi i tyre. Por kjo do të bëhet në një fazë më të vonshme, kur bashkë me përfaqësues të pushtetit vendor të ketë përfunduar identifikimi i kamerave të vendosura në terren e që nuk dihet kush i ka vendosur.

Në Shkodër policia ndërhyri e para për heqjen e një pjese të kamerave të vendosura nëpër shtylla në lagjet e fiseve Bajri dhe Lici, teksa po kryhen dhe verifikime të tjera në të njëjtat zona, por edhe përtej tyre. Gjatë aksionit të parë policia çmontoi 21 kamera të lidhura nëpërmjet celularit, nga të cilat 8 të instaluara në vende dhe sheshe publike nga rreth rrotullimi "5 Heronjtë" deri tek rreth rrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës, dhe 13 të tjerat nga "5 Heronjtë" deri te rreth rrotullimi i Dobraçit. Pavarësisht shoqërimeve nga të dyja fiset, deklarimet e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit edhe pse dyshimet e këtyre të fundit janë për komandim të këtyre kamerave nga jashtë shtetit.

Ndërkohë operacioni i policisë së Shkodrës për heqjen e kamerave të sigurisë në 14 janar, pritet të vijojë edhe më tej ku përveç lagjeve Dobraç dhe Kiras, aksioni pritet të shtrihet edhe më tej pranë zonës së Kalasë së qytetit ku mendohet se po ashtu ka kamera të vendosura nga grupet kriminale.  

Operacioni i Policisë së Shkodrës për çmontimin e 21 kamerave të vendosura në shtylla elektrike në ato që konsiderohen si bazat e fiseve që janë në konflikt me njëri-tjetrin prej shumë vitesh, ka çuar në shoqërimin e disa personave. Report Tv raportoi dje se shoqërime ka pasur si nga anëtarët e fisit Lici edhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e personave përgjegjës për vendosjen e këtyre kamerave. Pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë, teksa po punohet për gjurmimin e serverit që ruan materialet filmike të këtyre kamerave të sigurisë. Gjurmimi i tyre pritet të jetë i vështirë për shkak të cilësisë së avancuar. Përmes internetit, ato mund të komandohen edhe jashtë shtetit dhe për këtë arsye hetuesit po punojnë për të pasur rezultate. Rëndësia e gjetjes së këtyre serverëve është e madhe, për shkak edhe të mundësisë së sigurimit të provave për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në këto zona në vitet e fundit, të mbetura të pazbardhura.

 

B.V/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • agim: 19/01/2023 10:42

    Shtet leshi,minister rendi muti,kamera sigurie te vendosura nga bandite,shume e cudishme kjo ne vitin 2923 !!!!!!?????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Holta Zaçajt në krye të Gjykatës Kushtetuese do të përfundojë më 10 mars 2025

Mandati i Holta Zaçajt në krye të Gjykatës Kushtetuese do të përfundojë më 10 mars 2025