Ekipi Elitë FC nga Kosova është shpallur fitues i kampionatit veror mbarëkombëtar për të rinj të mbajtur në Durrës. Në finalen për moshat U-15 ekipi Elitë FC mposhti 1-0 Fushë-Kosovën, por e rëndësishme në këtë aktivitet ishte testimi i të rinjve nga dy shtetet shqiptare.

Ndër ata që spikati më shumë në fushën e lojës ishte mesfushori 14-vjeçar Leart Murtezi.  

“Për këtë turne, jemi përgatitur 1 muaj, intensivisht për të ardhur dhe fituar kupën,”-tha fillimisht 14-vjeçari Leart Murtezi. 

Learti është pasionuar pas futbollit që në vogëli, ndërsa për Report Tv tregon objektivat që ka në çdo aktivitet.

“Gjithë këto vite jam munduar të përgatitem për të luajtur sa më mirë dhe të përmirësohem ndeshje pas ndeshje,”-deklaroi futbollisti i talentuar. 

“Leart Murtezi ka ardhur nga shkolla e futbollit ‘Kurda’, duke na ndihmuar shumë me paraqitje të mira. Fillimisht duke fituar titullin kampion në Kosovë, por edhe në këtë turne të mbajtur të Shqipëri,”-u shpreh trajneri Artan Rushiti.

Në këtë aktivitet mbarë kombëtar në Durrës morën pjesë 12 ekipe nga Shqipëria dhe Kosova.