Kamza, qyteti me çmimin më të
lartë të ujit, Tirana më të ultin

Tirana është një nga qytetet me çmimin më të ulët të ujit të pijshëm në Shqipëri, edhe pse një pjesë e tij shpërdorohet përmes lidhjeve të paligjshme në zonat periferike, kryesisht nga Kamza dhe Babrruja, për t’u përdorur më pas për vaditje tokash bujqësore.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se aktualisht Tirana e ka çmimin e ujit të pijshëm 45 lek/m3, ndonëse është qyteti me numrin më të lartë të popullsisë në Shqipëri, rreth 1 milion, ku nevoja për ujë është më e madhe dhe kostoja e mirëmbajtjes së rrjetit është tepër e lartë.

Por, çmimi i ujit të pijshëm në kryeqytet është 20 lek/m3 më i ulët se ai i Bashkisë së Kamzës, banorët e të cilës sot paguajnë 65 lek/m3 ujë. E njëjta situatë vërehet edhe në Korçë, Durrës apo në Lezhë, ku çmimet në këto tre qytete janë më të larta, ndonëse shtrirja e rrjetit të transmetimit është më i vogël.

Në Durrës qytetarët paguajnë 61 lek/m3 ujë, në Korçë 65 lek/m3 ujë dhe në Lezhë 58 lek/m3 ujë.

Edhe Pogradeci, një qytet tepër i pasur me rezerva hidrike ka një çmim disa herë më të lartë se në Tiranë. Nëse në Tiranë ky çmim aktualisht është 45 lek/m3, në Pogradec është 17 lek më shumë, pra 62 lek/m3.

Tirana është qyteti me popullsinë më të madhe, ku sipas statistikave dhe regjistrit të gjendjes civile, numri arrin në 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Por, rritja e popullsisë shtron edhe nevojë për një menaxhim më të mirë të rezervave hidrike që përdoren për ujin e pijshëm, si dhe investime të rëndësishme në gjithë sistemin e transmetimit.

Me reformën administrative, tashmë qytetit i janë bashkuar edhe njësitë administrative që dikur ishin komuna më vete, infrastruktura e të cilave lë shumë për të dëshiruar, ndërsa puset dhe depot e ujit kishin vite pa iu nënshtruar rikonstruksionit dhe që kërkojnë investime të rëndësishme për disiplinimin e burimeve, ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrjeteve të vërteta të shpërndarjes, si dhe për rritjen e cilësisë dhe të shërbimit si në qendër të qytetit.

Por, për normalizimin e plotë të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit dhe për vitet e ardhshme, nevojiten dhe një sërë investimesh. Sipas planit të Bashkisë së Tiranës, investimet e reja që po realizohen me shpejtësi projektojnë Tiranën për 20-25 vitet e ardhshme, ku pritet rritje e mëtejshme e popullsisë, ndërsa një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe shfrytëzimit të burimeve të reja si burimi i Guri të Bardhë me kapacitet vjetor 18 milionë/m3 ujë në vit.

Edhe kapacitetet e Bovillës do kenë rritje me 30%, nga 1800 l/sec – në 2400 l/sec, ndërsa do të rikualifikohet edhe burimi i Shënmërisë që pritet të rrisë furnizimin me ujë në kryeqytet.

Falë këtyre investimeve, pritet që të marrë zgjidhje përfundimtare edhe problemi i furnizimit me ujë të pijshëm i zonave problematike si në Yzberisht, si dhe do të rikonceptohet faturimi i ujit përmes, leximit të matësit në distancë, sikurse ndodh në vendet europiane.

Grafik
Grafik, sa paguajne banoret per ujin ne disa qytete te Shqiperise

Redaksia Online 
E.S / shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq