Përballë sfidave të reja globale, udhëheqësit e Kinës dhe Kanadasë u zotuan të premten të përmirësojnë marrëdhëniet midis dy kombeve të tyre pas viteve të tëra mosmarrëveshjesh .
Xi Jinping i tha kryeministrit Mark Carney, i cili vizitoi Pekinin, se është i gatshëm të vazhdojë të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy shteteve, duke vënë në dukje se kanë filluar bisedimet për rivendosjen dhe rifillimin e bashkëpunimit që kur të dy palët zhvilluan një takim fillestar në tetor, në kuadër të një konference ekonomike rajonale në Korenë e Jugut.
"Mund të thuhet se takimi ynë i vitit të kaluar hapi një kapitull të ri në përmirësimin e marrëdhënieve Kinë-Kanada", tha udhëheqësi më i lartë i Kinës.
Carney, kryeministri i parë kanadez që viziton Kinën në tetë vjet , tha se marrëdhëniet më të mira do të ndihmonin në përmirësimin e një sistemi qeverisjeje globale që ai e përshkroi si "nën presion të madh".
Ai bëri thirrje për një marrëdhënie të re “të përshtatur ndaj realiteteve të reja globale” dhe bashkëpunim në bujqësi, energji dhe financë.
Këto realitete të reja pasqyrojnë në një pjesë të madhe të ashtuquajturën qasje “Amerika e para” të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Tarifat që ai ka vendosur kanë goditur si ekonominë kanadeze ashtu edhe atë kineze. Carney, i cili është takuar me disa kompani kryesore kineze në Pekin, tha përpara udhëtimit të tij se qeveria e tij është e përqendruar në ndërtimin e një ekonomie më pak të varur nga SHBA-ja në atë që ai e quajti “një kohë përçarjeje të tregtisë globale”.
Komente







