Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ajo e BE-së Christiane Hohmann ka zhvilluar sot një takim me kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashin për kandidatët e 14 majit. Takimi në zyrat e KQZ-së vjen ditën kur Celibashi do të nisë miratimin e kandidatëve për kryebashkiakë të propozuar nga partitë politike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Celibashi thekson se diplomatja amerikane ka folur gjatë takimit për keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatën, problemin e blerjes së votave, transparencën e financimin e zgjedhjeve dhe integritetin e kandidatëve që do të konkurrojnë për t'u zgjedhur. Celibashi thekson se i ka siguruar ambasadoret se KQZ do të mbetet etikisht e paanshme dhe do të funksionojë vetëm në përputhje me ligjin.

'U takuam sot në KQZ me ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann dhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim. Ambasadorja Yuri Kim, foli përgatitjet për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 14 Maj 2023, keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatën, problemin e blerjes së votave, transparencën e financimin e zgjedhjeve dhe integritetin e kandidatëve që do të konkurrojnë për t'u zgjedhur. Ambasadorët Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 majit janë një lakmus i vërtetë për avancimin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë drejt këtyre zgjedhjeve.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kjo periudhë parazgjedhore e vitit 2023 tregon dyfishim të raportimit të subjekteve shtetërore në KQZ, ndalim të rreth 20 ngjarjeve publike dhe trefishin e numrit të sanksioneve të KQZ-së. I sigurova ambasadorët Kim dhe Hohmann se KQZ do të mbetet etikisht e paanshme dhe do të funksionojë vetëm në përputhje me ligjin. I shpreha mirënjohjen time ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së për mbështetjen e tyre të fortë dhe të vazhdueshme KQZ-së dhe kontributet e tyre në institucion.'- shkruan kreu i KQZ-së.

Ndërkohë një ditë më parë shefja e diplomacisë amerikane bëri deklarata të forta duke thënë se shqiptarët meritojnë kandidatë të pastër dhe me integritet dhe partitë politike duhet të kujdesen për këtë.

Yuri Kim i bëri thirrje qytetarëve edhe të mos votojnë personat “Non Grata” nga SHBA, duke shenjëstruar drejtpërdrejtë Sali Berishën.