Gjergji Gjata, i cili u vendos nga Partia Demokratike si kandidat për Bashkinë e Korçës u tërhoq nga gara një ditë më parë bashkë me kandidatët e këshillit bashkiakë, ndërsa ai ka bërë një tjetër reagim në të cilin sqaron arsyet e largimit të tij nga gara. Gjergji Gjata thotë se kryetari i Komanduar Enklelejd Alibeaj bashkë me një ish-deputet kanë ndryshuar listën për Këshilltar bashkiakë në mesnatë, pak para se listat të depozitoheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ai thotë se ndryshimi i listës për këshilltarë u bë nga Alibeaj pa informuar as anëtarësinë e partisë, as kandidatët për këshilltarë, apo pa njoftuar as kandidatin për kryebashkiak, pra vetë Gjergji Gjatën. Për një vendim të tillë, për t’u tërhequr nga Gara, Gjata thotë se ka informuar drejtuesit e PD-së se do të largohet bashkë me kandidatët për këshilltarë nëse lista e propozuar nga baza e demokratëve do të ndryshohej.

“PDSh në formë arbitrare, puniste, pa vendimmarrje kolegjiale, por me vendimin e dy personave (një ish deputet dhe kryetari Alibeaj), në mesnatë ndryshuan listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak dhe e dorëzuan atë të ndryshme nga lista e dërguar nga baza e demokratëve dhe kandidati i Korçës, pa informuar as kandidatin, as anëtarësinë e partisë dhe as kandidatët.

Kjo ishte arsyeja e vetme e largimit. Kujdes! Mbrëmjen e djeshme krerëve të PDSH i është bërë me dije prej meje personalisht që nëse ndryshohet lista e kandidatëve, do të largohemi, si unë, ashtu edhe kandidatët e Këshillit Bashkiak”, shkruan ai.

Enkelejd Alibeaj ka prezantuar emrat e 19 kandidatëve për kryetar Bashkie, mirëpo kanë nisur tërheqjet e para dhe refuzimet. Teksa Alibeaj përpiqet të bindë demokratët se vendimet e tij, u bënë për të mos thelluar përçarjen, lista ende e panjohur e kandidatëve të tij nisi të tkurrej. Kandidati i Korçës, Gjergji Gjata njoftoi se është tërhequr nga gara bashkë me 40 kandidatët për këshillat bashkiakë. Po ashtu, nga gara u tërhoqën edhe kandidati i Lezhës Sandër Marku, e ndërsa nuk u miratuan nga kryesia, Bujar Vreto  në Librazhd, Ibrahim Bruka  në Vorë dhe Genc Doçi  në Kurbin.