Tiranë Një 64-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka kanosur një grup xhirimi të televizionit Ora News, gjatë kohës që gazetarët po realizonin një kronikë në fshatin Zbarqë.

Ngjarja ndodhi gjatë realizimit të një kronike mbi problematikat me një burim uji. Gazetari, operatori dhe drejtuesi i automjetit kallëzuan në polici se ishin kanosur për jetën nga një person që po kryente punime pranë burimit.

Pas kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë kanë bërë të mundur kapjen e 64-vjeçarit S. I., pak minuta më vonë, në një zonë malore të fshatit Zbarqë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë gjahu pa leje, municion dhe një shufër metalike, të cilat dyshohet se i përkisnin 64-vjeçarit.

Më herët, policia e Tiranës kishte nisur një hetim për një 70-vjeçar i cili kishte kërkuar punimet nga 64-vjeçari, për të hapur një pus pa leje si dhe ka kryer gërmime për hapjen e një rruge.

"Pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të 3 shtetasve, me detyra përkatëse gazetar, operator dhe drejtues automjeti, në televizionin Ora News, se gjatë realizimit të një kronike mbi problematikat me një burim uji (pus) në fshatin Zbarqë, Tiranë, ishin kanosur për jetën, nga një shtetas që kryente punime te ky burim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin S. I., 64 vjeç.

64-vjeçari u kap pak minuta pas kallëzimit të grupit të xhirimit, në zonën malore të fshatit Zbarqë.

Gjatë kontrollit të banesës së 64-vjeçarit, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë gjahu pa leje, municion dhe një armë e ftohtë( shufër metalike).

Më datë 11.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin për llogari të të cilit punonte 64-vjeçari, R. P., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprat “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”,  pasi dyshohet se ka hapur një burim uji (pus), pa leje, si dhe se ka kryer gërmime në mënyrë të kundërligjshme, për hapjen e një rruge", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës garanton gazetarët dhe përfaqësuesit e medias, se është maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar me ta, me qëllim trajtimin e menjëhershëm dhe prioritar, të çdo indicieje për cenim të së drejtës së tyre kushtetuese për të ushtruar detyrën në shërbim të interesit publik.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë