RROGOZHINË - Ndeshja mes Vllaznisë dhe Egnatias u mbyll pa gola, por jo pa polemika dhe tension në fushën e lojës, pas një episodi të diskutueshëm në pjesën e dytë. Gjithçka ndodhi në minutën e 71-të, kur arbitri Florjan Lata ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e Egnatias, Xhemajli, pas një dueli me sulmuesin e Vllaznisë, Bekim Balaj.

Vendimi shkaktoi reagim të menjëhershëm te lojtarët e Egnatias, të cilët për disa çaste braktisën fushën në shenjë proteste. Pas incidentit, gjyqtari verifikoi aksionin edhe në sistemin VAR dhe konfirmoi vendimin për kartonin e kuq ndaj mbrojtësit të Egnatias.

Tensionet vazhduan edhe në pankinë, pasi trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq për protesta. Skuadra e Egnatias u rikthye në fushë pas rreth shtatë minutash ndërprerje, ndërsa takimi vijoi deri në fund pa ndryshuar rezultat. Në përfundim, sfida u mbyll me barazimin 0-0. Të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, me Vllazninë që qëndron në krye me 52 pikë, dy më shumë se Egnatia.

Dueli hapës i raundit të 28-të në Superligë i lë vendin dy ndeshjeve të sotme, Tirana - Bylis dhe Flamurtari - AF Elbasani.

Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 28-të:

E premte, 13 mars 2026

19:00 Egnatia 0-0 Vllaznia

E shtunë, 14 mars 2026

15:00 KF Tirana - Bylis

18:00 Flamurtari - AF Elbasani

E diel, 15 mars 2026

15:00 Vora - Partizani

18:00 Dinamo - Teuta

Renditja: