Deputetët demokratë, anëtarë në Këshillin e Mandateve, nuk u përfshinë në kaosin në Kuvend me qëllim që mos të përjashtoheshin pasi nesër do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku në orën 10:30 do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Pasi përgëzoi deputetët për kaosin, Gazment Bardhi tha se vota e tyre do të jetë pro heqjes së imunitetit të Ballukut, për të cilën SPAK kërkon të caktojë masë sigurisë arrest me burg ose arrest shtëpie.
“Shqiptarët nuk mund të jenë peng i një qeverisje të korruptuar dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Prandaj unë dua t'i shpreh mirënjohjen secilit deputet të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që sot u ngrit në lartësinë e detyrës së tij për t'i shërbyer interesit publik. Së dyti, po, ne do të marrim nesër pjesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve, ku vota jonë dhe qëndrimi jonë është i qartë, pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë të një zyrtari të korruptuar, zyrtari më të korruptuar pas Edi Ramës, që është Belinda Balluku. E kam thënë edhe dje, nuk do të ketë asnjë mundësi askush në atë Kuvend që ta mbyllë korrupsionin e Belinda Ballukut në kasafortë”, tha Bardhi.
Gazment Bardhi u ndal gjatë edhe në përplasjen me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi të cilin e akuzon se po fsheh provat kundër Belinda Ballukut. Kjo akuzë e Bardhit vjen pasi provat e SPAK për Ballukun, një USB që është depozituar në Kuvend, ende nuk iu janë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Materialet që përmban USB-ja janë konsideruar sekret hetimor nga Peleshi dhe janë kyçur në kasafortën e protokollit. Peleshi thotë se mbledhjen që do të mbahet nesër do të diskutohet në prani të prokurorëve të SPAK nëse materiali sekret do t’iu vendoset në dispozicion deputetëve.
Por, Bardhi hodhi akuza në drejtim të Peleshit se ka shkelur procedurën parlamentare dhe atë ligjore duke e mbajtur USB-në me prova të kyçur në kasafortë. Akuzat i vijoi edhe më tej duke thënë se Peleshi ia ka vendosur në dispozicion provat Belinda Ballukut dhe jo anëtarëve të Këshillit. Sipas kreut të grupit demokrat, gjithçka po bëhet pasi urdhëruesi për shkeljet me tenderët del Edi Rama.
“Dua të dënoj në emër të grupit parlamentar, shkeljen e procedurës parlamentare, procedurës kushtetuese dhe ligjore, që ka kryer kryetari i Kuvendit, Nikoll Peleshi. Ky nuk është rasti i parë, siç ju e dini, që vjen një kërkesë nga Prokuroria e Posaçme për të kërkuar autorizim për të hequr lirinë e një deputeti apo një ministri. Dhe procedura kushtetuese, ligjore dhe parlamentare është krejt e qartë. Sot që flasim, ju do të duhet t'i drejtoni pyetjen kryetarit të Kuvendit se ku e ka urdhrin e prokurorit që i ndalon deputetëve të njihen me materialet e plota të sjella nga Prokuroria e Posaçme. Ju garantoj që nuk ka asnjë urdhër të tillë, sepse nuk mund të ketë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, një urdhër të tillë. Pra, deputetët, anëtarë të Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, nuk janë njohur, pra jo vetëm provat, po dhe urdhri i prokurorit që pretendohet që ekziston, nuk i është vënë në dispozicion deputetëve. Dhe e dini pse? Sepse urdhri nuk ndalon deputetët të njihen me materialet, se s'mund t'i ndalojë deputetët të njihen me materialet.
Urdhri ndalon të pandehurën Belinda Balluku të njihej me materialet e sjella në Kuvend. Dhe Niko Peleshi bën të kundërtën, Belinda Balluku ka marrë kopje të provave, sepse do të vijojë të intimidojë dëshmitarët, si dosja e Prokurorisë e ka provuar. Ndërkohë që deputetët që do të shqyrtojnë rastin në Këshillin e Mandateve, nuk lejohen të njihen me dokumentet. Pra ky proces ka nisur me një shkelje të rëndë nga ana e kryetarit të Kuvendit. Dhe e përsëris, do jetë i detyruar t'i pajisë deputetët me informacionin e plotë të përcjellë nga SPAK-u. Sa i takon atyre akteve që na kanë dhënë, sigurisht që kush ka interes prej jush mund të njihet me ta sepse aktet janë dokumente parlamentare, s’ka sekret në kërkesën e prokurorisë. I ka shpallur sekret Peleshi dhe Rama, se del qartë edhe për tenderët tej tunelit të Llogarasë, se për Llogarinë është qartësuar se urdhëruesi është Rama, por rezulton që edhe për tenderë të tjerë, firmat fituese i ndante Rama në bashkëpunim me Ballukun dhe Berberin. Niko Peleshi e ka betejë të humbur, nuk e mbyll dot në kasafortë korrupsionin e Ramës”, tha Bardhi.
Ndonëse parimisht kjo ishte seanca e fundit plenare për këtë sesion, Bardhi tha se do të kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme për të votuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Këtë të fundit e akuzon se po intimidon dëshmitarët që pasi u kthye në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Rama.
“Balluku ka marrë kopje të provave se do të vijojë të intimidojë dëshmitarët. Ditën që Balluku është rikthyer në detyrën e saj, SPAK përmes metodave speciale të hetimit, përgjimi ambiental, videot apo fotografitë, ka konstatuar që është duke intimiduar vartësit e saj. Çdo ditë që qëndron në zyrë, prish hetimet, intimidon dëshmitarët dhe ka urgjencë të jashtëzakonshme trajtimi i kësaj çështje dhe dhënia e autorizimit në kohën më të shpejtë të mundshme. Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, tha Bardhi.
Në mbledhjen e nesërme, e pandehura Balluku mund të shkojë vetë ose me avokatë, dhe mund të kërkojë kohë shtesë për tu mbrojtur. Në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti.
Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën. Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë. Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës Madhe, projekt për të cilin janë prokuroruar 450 mln euro.

Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut











