Një grabitje e ndodhur në një taksi në aksin Tiranë-Elbasan ka nxjerrë në dritë atë që policia dyshon se është veprimtaria e një grabitësi serial që prej javësh godiste në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Në pranga ka rënë Trazhgim Maçi, 27 vjeç, i arrestuar fillimisht si autor i dyshuar i grabitjes së një taksisti. Sipas hetimeve, ai kishte hipur si pasagjer në automjet dhe më pas kishte kanosur shoferin me mjet prerës, duke i marrë para dhe një varëse floriri.
Pas arrestimit të tij, hetuesit kanë lidhur 27-vjeçarin edhe me pesë raste të tjera të regjistruara gjatë muajit qershor.
Dyshohet se më 5 qershor ai ka vjedhur para nga portofoli i një qytetari në tregun e Fushë Krujës. Pak ditë më vonë, më 10 qershor, sipas policisë, ka hyrë në një biznes në Tiranë ku, nën kërcënimin e një mjeti prerës, ka marrë para dhe një varëse floriri.
Një tjetër episod është regjistruar më 12 qershor në kryeqytet, ku ai dyshohet se ka kërcënuar me një send të ngjashëm me armë zjarri pronarin e një subjekti, duke i marrë varësen e floririt dhe duke e goditur me grusht.
Hetimet e lidhin gjithashtu me grabitjen e një taksisti në Fushë Krujë më 15 qershor, ku dyshohet se u morën para, dy telefona dhe një orë dore, si edhe me një tjetër rast në Shënavlash të Durrësit, ku viktimë ishte sërish një drejtues taksie.
Policia thotë se hetimet vazhdojnë për të verifikuar nëse 27-vjeçari ka lidhje edhe me ngjarje të tjera të ngjashme.
Njoftimi i plotë i policisë
"Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Taksimetri”.
Operacioni, nga Komisariati Nr. 1, në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me kanosjen e djeshme, me mjet prerës, të drejtuesit të një taksie, nga pasagjeri, i cili i vodhi paratë dhe varësen. Autori u kap dje, menjëherë pas krimit, i fshehur në territorin e fshatit Qeha.
Nga hetimet rezultoi se ai është autor edhe i 5 vjedhjeve me armë/dhunë, kryer gjatë muajit qershor, në Tiranë, Krujë dhe Durrës. Sekuestrohen varësja e vjedhur dhe 1 celular.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas njoftimit për një vjedhje në një taksi në lëvizje në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, ku pasagjeri kishte kanosur drejtuesin, me mjet prerës, dhe i kishte marrë një shumë parash dhe varësen që mbante në qafë, u mundësua ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit T. M., 27 vjeç, i cili u lokalizua në fshatin Qeha, në afërsi të zonës ku kishte kryer krimin.
Më tej, në kuadër të operacionit të koduar “Taksimetri”, u kryen hetime të thelluara, me objektiv dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Nga hetimet dyshohet se 27-vjeçari:
-më datë 05.06.2026, në tregun e Fushë Krujës, ka vjedhur një shumë eurosh, në portofolin e një shtetasi;
-më datë 10.06.2026, në një biznes në rrugën “Llazi Miho”, Tiranë, nëpërmjet kanosjes me mjet prerës, ka vjedhur një shumë parash dhe një varëse floriri;
-më datë 12.06.2026, nëpërmjet kanosjes me një send të ngjashëm me armë zjarri, ka vjedhur varësen e floririt që mbante pronari i një subjekti në rrugën “Skënder Kosturi”, Tiranë, dhe e ka goditur me grusht, këtë shtetas;-më datë 15.06.2026, në fshatin Derven, Fushë Krujë, dyshohet se nëpërmjet kanosjes me mjet prerës, i ka vjedhur drejtuesit të një taksie, një shumë parash, 2celularë dhe 1 orë dore;
-më datë 17.06.2026, në fshatin Shënavlash, Durrës, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë, drejtuesit të një taksie, portofolin me para, si dhe celularin.Hetimi vijon për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të shtetasit T. M., në fushën e vjedhjes së pronës/pasurisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme."
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








