TIRANE- Një konflikt adoleshentësh i ndodhur në 1 dhjetor pranë shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet ka sjellë arrestimin e djalit të deputetit të PD Mhill Fufi. Ndalimi i G.Fufit është bërë nga policia e Tiranës ku mësohet se bashkë me adoleshentin në pranga ka rënë dhe shoqja e tij 17-vjeçare me inicialet M.B.

djali i fufit

Ndaj djalit të deputetit Fufi është ngritur akuza e “Armëmbajtjes pa leje” pasi i është sekuestruar një armë zjari pistoletë e prodhimit “Ekol Special”. Vetë deputeti Fufi i kontaktuar nga “Shqiptarja.com” nuk ka pranuar të japë një koment për arrestimin e djalit të tij, duke u shprehur se ishte larg dhe se nuk kishte dijeni për ndalimin. Ndërkohë që e njëjta akuzë është ngritur dhe për shoqen klasës së G.Fufit, pasi siç mësohet arma e zjarrit ka hyrë në ambjentet e brendshme të gjimnazit “Besnik Sykja”, pasi është fshehur mes librash në çantën e 17-vjeçares me inicialet M.B.

Për prezencën e armës në shkollë kanë qenë disa nxënës që kanë raportuar tek mësuesit të cilët më pas kanë njoftuar dhe efektivët e policisë së Tiranës, të cilët sapo kanë shkuar në gjimnaz kanë bërë ndalimin e shtetases M.B për akuzën e “Armëmbajtjes pa lejë” dhe “Moskallëzimit të krimit”. Kjo akuzë është shtuar për adoleshentet pasi ajo ka pasur dijeni për praninë e armës në çantën e saj dhe nuk ka treguar në organet ligjzbatuese. Ndërkohë për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” po ndiqet në gjëndje të lirë dhe 16-vjeçari me inicialet A.H.

Sherri mes adoleshentësh
Tre të rinjtë janë proceduar penalisht pasi në datë 1 dhjetor 2015, shtetasi me iniciale G.Fufi nxënës në gjimnazin “Besnik Sykja” ka shkuar në mbështetje të disa shokëve të tij të cilët ishin duke u konfliktuar me disa persona pranë shkollës “Vasil Shanto”. Me pretendimin për t’u sqaruar ky shtetas pasi është përfshirë në këtë konflikt, ka gjuajtur me grushta njërin nga personat e palës tjetër, kundërshtare.

Në këto kushte shtetasi G.Fufi, është frikësuar pas kësaj situate të ndodhur, për këtë arsye ai ka shkuar në qytetin e Laçit, prej nga ka dhe origjininën dhe ka marrë një pistolete “Ekol Special”, duke e mbajtur me vete në shkollë për vetëmbrojtje nga personat të cilët kishte goditur me grushta.

Ndërkohë gjatë procesit të mësimit, ai ja ka dhënë pistoletën shoqes së shkollës shtetases me iniciale M.B, për ta mbajtur në çantë, e cila u arrestua nga policia, pasi disa prej nxënësve të klasës kanë raportuar tek mësuesit e gjimnazit. Gjatë arrestimit të vajzës të gjitha veprimet janë kryer në prezencë të psikologes së shkollës dhe psikologes së Policisë, dy avokatëve dhe në prezencë të familjarëve.

Masa në gjykatë
Pritet që ditën e hënë G.Fufi dhe 17-vjeçaria M.B të dalin para gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë që do kërkojë prokurori. Praktika juridike në rastet e personave të arrestuar nga policia për “Armëmbajtje pa lejë”, ka treguar se kanë mbetur të gjithë në qeli. Ndërkohë për rastin konkret gjykata mund të bëjë dhe dallime, kjo për shkak se nëse dy të rinjtë lihen në burg, atëherë ata humbin dhe mundësinë për të shkuar në shkollë, pasi momentalisht janë duke ndjekur arsimin me kohë të plotë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)