Me rezultatin 3-1, por me shumë vështirësi Tirana mori 3 pikë tejet të rëndësishme kundër Erzenit, që e mbajnë në krye të Superligës bashkë me Partizanin pavarësisht se të kuqtë kanë në favor përballjet direkte. Ndaj shijakasve shkëlqeu Florent Hasani me ‘tripletë’, ndërsa Enk vendosi përkohësisht baraspeshën në minutën e 71.
“Më e mira ishte reagimi pas golit. Duhet të them që kjo ndeshje ka patur shumë trysni për ne si dhe nuk dua ti ul vlerat Erzenit sepse janë një ekip që japin maksimumin dhe e ke shumë të vështirë të përballesh,”-u shpreh Sebino Plaku, zv/trajner i Tiranës.
“Po të dilnim barazim mendoj se nuk do vidhnim asgjë, por ky është futbolli. Të tre golat kanë ardhur nga gabime të lojtarëve tani që mendoj se duhet ta zgjidhnin shumë më mirë,”-tha Xhevahir Kapllani, trajner i Erzenit.
Po të dielën me një gol në minutat shtesë Kastrioti mposhti 2-1 Laçin dhe u rifut në luftën për mbijetesë, ndërsa të shtunën Partizani kaloi pa vështirësi 0-2 Teutën dhe vijon të kryesojë me 47 pikë, po aq sa Tirana.
Në vendin e tretë është Egntia që këtë javë shkatërroi 0-3 Kukësin, ndërsa Bylisi i vendit të parafundit ndali në një barazim pa gola Vllazninë në Shkodër. Kuqeblutë nuk ia dolën as në ndeshjen e parë me trajner Auron Milotin, ndërsa e dërguan në 6 numrin e sfidave pa fitore në Superligë.