TIRANE- Një shpërthim tronditi ambientet e kompleksit sportiv ‘Skënder Halili’ në Tiranë. Objekt i sulmit ishte portieri i dytë i ekipit të futbollit të Tiranës, Xhino Sejdo. Nga shpërthimi është dëmtuar lehtë makina e portierit, ku për fat të mirë Sejdo nuk ka qenë brenda. Ngjarja ka ndodhur në momentin që portieri bashkë me pjesën tjetër të ekipit ishin duke kryer seancën e radhës stërvitore në prag të ndeshjes me Laçin.

Lënda shpërthyese mësohet se ishte vendosur poshtë mjetit. Autorët kanë përfituar edhe nga errësira dhe prania e shumë tifozëve në ambientet e kompleksit dhe janë larguar. Sipas të dhënave të policisë së Tiranës, makinës së futbollistit i është vendosur një kapsollë. I pyetur për ngjarjen, Xhino Sejdo shprehet se “ngjarja ka ndodhur në momentin që ishte duke u stërvitur me pjesën tjetër të ekipit.

Ka qenë një mjet shpërthyes pak më i fortë se një fishekzjarr, i cili shkaktoi shumë zhurmë, por që nuk ka shkaktuar shumë dëme. Jam i habitur për ngjarjen, pasi nuk kam asnjë konflikt personal, por mendoj se gjithçka vjen si pasojë e zilisë dhe inateve nga jeta private. E përjashtoj pistën që sulmi mund të ketë ardhur nga tifozët kundërshtarë, pasi nuk kam pasur asnjë incident apo konflikt. Policia është duke bërë hetimet, ndërsa makina ka pësuar dëmtime të lehta”.

Ndërsa për ngjarjen ka folur edhe portieri i parë i ekipit të Tiranës, njëkohësisht edhe kapiteni i ekipit bardheblu, Ilion Lika, i cili shprehet se lënda shpërthyese nuk ka qenë tritol, por një shashkë, e cila nuk ka shkaktuar dëme. “Ka qenë një shashkë, e cila nuk ka shkaktuar asnjë dëmtim.

Xhino është një djalë shembullor dhe nuk e di cilat janë arsyet e ngjarjes, policia po heton gjithçka” deklaroi ai. Policia e Tiranës deklaron se është duke vazhduar hetimet në disa pista për të zbardhur identitetin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes. Ndërsa shefi i ekipit të futbollit të Tiranës, Krenar Alimehmeti nuk ka pranuar që të prononcohet për ngjarjen.

 
makines qe ju vu tritoli
(Në Foto: Makina e porierit të Tiranës Xhino Sejdo, që iu vendos lënda plasëse) Foto të tjera

policia ne vendin e ngjarjes
(Në foto: Makina e policisë në vendin e ngjarjes, Foto A.Çakshiri/shqiptarja.com) Foto të tjera

d.b/shqiptarja.com