Nuk është aspak një slang fyes për Berishën. Parashtesa “kara” në turqisht do të thotë “i zi”. Ishte emri që merrnin përpara titullit që sulltani iu kishte dhënë dikur funksionarëve të tij e që më vonë i kishte dënuar me ferman. Kara Mahmut Pashë Bushatlliu; Kara Ali Pashë Janina, sa për të përmendur dy nga historia jonë. Pas kësaj, pashait fillonin i iknin ndjekësit, dezertonin ushtarët, flirtonin me sulltanin oficerët madje edhe fëmijët e atij që shpallej “Kara”. Ali Pashën e tradhtuan edhe tre fëmijë të tij.
Perandoritë zhvillohen bashkë me kohërat dhe krahas teknologjive por kanë të njëjtën logjikë. Dhe pasojat e ushtrimit të pushtetit të tyre janë të njëjta. Siç e thotë edhe Edward Luttwak, strategjisti që paguhet 1 milionë dollarë në vit vetëm për të bërë planet e Pentagonit, perandoritë kanë tre zona: Zona e sigurisë, ku ato duan territor të sigurt dhe nuk lejojnë pavarësi; zona kushinetë e cila ndodhet mes zonës së sigurt dhe asaj armiqësore dhe së fundmi zona armike ku janë fuqitë konkurruese. Shqipëria është në zonën e sigurisë amerikane pasi ndodhet në thellësi të territorit të NATO (dhe në zonën kushinetë të perandorisë latente gjermane).
Perandoria Amerikane është një perandori sui generis, përshtatur me kohët moderne dhe teknologjinë. Nuk nis më fermanë por shpall lista, nuk nis më ushtarë me karvanë mushkash po parashutistë me Herkules. 220 mijë ushtarakë amerikanë janë të shpërndarë në 43 vende të botës të shpërndarë në 544 baza. Sipas Pentagonit bëhet fjalë për baza që e kalojnë vlerën e 10 milionë dollarëve apo mbi 40 mijë m2. Përveç këtyre janë edhe 642 baza nën këtë stekë, në 76 vende. Nuk mbaron këtu. Sipas të dhënave të shefave të shtabeve prezenca amerikane e përbashkët ose operative shtrihet në 170 vende përfshirë Antarktidën dhe. Arktikun (nga 192 që ka gjithsej Toka).
E gjitha kjo tregon se tashmë kemi të bëjmë me një perandori globale e cila kontrollon çdo cep të globit, herë direkt dhe herë me të deleguar. Si e tillë kuptohet impenjimi që ka dhe kur vjen puna që Sekretari i Shtetit merret direkt me ty, tregon që ia ke prurë në majë të hundës. Shpallja “non grata” ka pikërisht statusin “kara”. Dhe shqiptaret që i kanë të zhvilluara instinktet e mbijetesës e kanë kuptuar që si 200 vite më parë me pashallarët rebelë dhe si sot me kryetarë partish “sovranistë”, ka ardhur ora që perandoria të presë kokën. Dikur të nxirrte në kamaren e turpit sot të nxjerr në listat e Departamentit të Shtetit. Efekti është i njëjtë. Ty të ka mbaruar ora. Ndaj nuk ka rëndësi nëse Berisha dënohet me arrest shtëpie apo lihet rrugëve. Ai është shpallur “Kara Berishë” dhe si i tillë do t’i firojnë ndjekësit, militantët dhe besnikët derisa të mbesë vetëm ku askush nuk do ta qajë, se nuk ka as Vasiliqi tek koka / dritare.net/