Kara:Ismailaj mori 1.5 mln € nga
CEZ-i para vizitës me Shkëlzenin
Ekskluzive/Shkëlzeni e Ismailaj bashkë në Pragë

Kara:Ismailaj mori 1.5 mln € nga<br />CEZ-i para vizitës me Shkëlzenin<br />Ekskluzive/Shkëlzeni e Ismailaj bashkë në Pragë
Juristi i OSHEE, Romeo Kara u shpreh në "45 minuta" nga Denis Minga në Report  TV, se Shkëlzen Berisha, Kastriot Ismailaj dhe Nuel Kalaj, kanë luajtur rolin e sekserëve të privatizimit të kompanisë OSSH te çekët e CEZ-it. 

Duke iu referuar udhëtimeve drejt Pragës të Shkëlzenit bashkë me Kastriot Ismailajn, pas investigimit të Report Tv, Kara thotë se është bërë me qëllim ndërhyrjen e djalit të ish-kryeministrit për kontratën e kompanisë DIA me CEZ. 

Ai thekson gjithashtu se para realizimit të kësaj vizite, në shtator të 2010-ës, Kastriot Ismailaj ka marrë në formën e pagesave nga CEZ, 1.5 milionë euro. 

"Para datës 8 shtator 2010, Ismailaj ka marrë 3 pagesa nga CEZ. Nga 500 mijë euro në muajin shtator, pra 1.5 mln euro, para vizitës në Pragë me Shkëlzen Berishën. Arsyeja? Kontrata e parë e DIA-s për mbledhjen e borxheve, nuk i është njohur nga bordi i CEZ dhe i duhej një ndërhyrje për kontratën e dytë më 1 shkurt 2010. Prandaj ka qenë Ismailaj atje", u shpreh Kara.

I pyetur nëse ndjehet i rrezikuar për jetën e tij, pasi po hidhet dritë mbi një nga aferat më të mëdha korruptive në vend, Kara thotë se e vetmja gjë që i intereson është dënimi i personave të përfshirë në këtë aferë. 

"Kjo jetë nuk është e përjetshme. Unë vajta 50-vjeç nuk kam ndonjë pishmanllik, unë e kam marrë si sfidë dhe shikoj si t'i kaloj sfidat dhe jo t'i shmangem.
Shoh që njerëzit më shohin me frikë, shoh që njerëzit nuk janë akoma të lirë nga frika. Unë nuk kam frikë. Pra, këtu te ne me këtë frikë që është instaluar nuk kemi as liri dhe as demokraci. Dhe këta që thonë kemi sjellë demokracinë, po bëjnë vjedhjet e mëdha. Unë dua të arrij deri në fund. Këta persona duhet të dënohen. Sot një keqbërës në burg mbahet me kosto mbi 800 euro, këta kanë vjedhur kaq shumë, të gjendet një formë tjetër për këta. Duhet një dënim tjetër për këta më i ashpër dhe shpronësim deri në qindarkën e fundit"
, thotë ai. 



Doja ta nisja me një risi që ne si media kemi zbuluar, disa kontakte të padala, lidhje të Kastriot Ismailajt me Shkëlzen Berishën, kanë qenë bashkë në Pragë. Ju kishit dijeni për këtë lidhje?
Patjetër që kam pasur dijeni. Ata kanë pasur marrëdhënie të ngushta me familjen. Kam pasur dijeni edhe për udhëtimet e Shkëlzenit me Kastriot Ismailajn në Pragë. Vizita e përbashkët në 9 dhjetor 2010, 12 dhjetor 2010 dhe 14 tetor 2011, kanë një kuptim për mua, se para datës 9 dhjetor 2010, Ismailaj ka marrë tre pagesa të majme nga CEZ, për një proces që nuk është bërë kurrë. Ka marrë tre pagesa shpejt. Ka marrë 500 mijë euro në muajin shtator për punën e tij personale dhe dy pagesa të tjera nga 500 mijë euro gjithashtu. Pikërisht përpara kësaj vizite. Dhe pasi janë marrë këto para, kemi vizitën kaq kuptimplotë në Pragë të Ismailajt me Shkëlzen Berishën. Arsyeja? 
Kontrata e parë për mbledhjen e borxheve nuk i është njohur nga bordi i CEZ dhe i duhej një ndërhyrje për kontratën e dytë më 1 shkurt të vitit 2010. Prandaj ka qenë Ismailaj atje, ky ka qenë qëllimi përveç gjërave të tjera.  

Çfarë lidhje ka Shkëlzen Berisha?
Atë duhet ta dijë ai se çfarë e lidh me Kastriot Ismailajn, pse duhet të ishte në këto momente në Pragë me Kastriot Ismailajn. Në datën 24 tetor 2010, kemi një ndërprerje të kontratës DIA-CEZ, të shtyrë nga DIA dhe të ndërprerë nga CEZ. Kastriot Ismailaj s'ka qenë i mërzitur fare për këtë.
 
Po thoni që Ismailaj e ka ndërprerë qëllimisht kontratën?
Njihet që shkalla më e lartë e mashtrimit është përdorimi i kontratave. Heqja e licencës në janar 2013, pikërisht në këtë periudhë Ismailaj dërgon padinë në arbitrazhin në Vjenë. Në këtë moment kemi vendosjen e CEZ-it mes dy zjarreve. Për çudi, kur CEZ-i është marrë nga shteti shqiptar, në këtë moment kemi vendosjen e shtetit shqiptar mes dy zjarreve, midis arbitrazhit të Ismailajt dhe abritrazhit që CEZ-i hapi, për prishjen e kontratës. 

Në vizitën në 2010-ën, deri në atë kohë e kishit dëgjuar emrin e Ismailajt?
E kam hasur për herë të parë në disa emaile të drejtuesve të CEZ-it të Tiranës dhe Pragës. Është personi që iu ka dërguar emaile drejtuesve të CEZ-it në Pragë, i cili ka ndërmjetësuar futjen e CEZ-it në tregun shqiptar.  E kam dëgjuar dhe nga një intervistë e dhënë në një Tv nga ish-ministri Dritan Prifti. Ai përmendte një kontratë të korruptuar të tij. Në shtator të vitit 2010, në kohën që ka qenë Dritan Prifti ministër, Ismailaj figuron kandidat për anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të CEZ i propozuar nga Ministria e cila përfaqësonte pronarin për 24% aksione. Për mua ka qenë një emërim i gabuar se kishte konflikt interesi. Ky person nuk mund të ishte anëtar i Këshillit Mbikëqyrës e të bënte biznes me këtë ndërmarrje, pa marrë më parë miratimin e aksionerëve, shteti shqiptar dhe ai çek e pa bërë më parë deklarimet në QKR sipas ligjit. 

Roli i Nuel Kalajt vijoi pas privatizimit? Kur vjen Ismailaj a keni parë lidhje mes këtyre të dyve?
Nga sa shohim nga letrat, kemi një zbehje të rolit të Kalajt kur vjen Ismailaj. Kemi një sekser tjetër. Nuk është se Ismailaj s'ka pasur lidhje të mëparshme me CEZ-in. Kam dokumente kur në vitin 2007 Ismailaj ka tentuar të hyjë në të gjithë sektorin energjetik shqiptar, ka tentuar të privatizojë TEC-in e Fierit, ARMO-n dhe sektorin minerar. Ai synonte që duke marrë TEC-in e Fierit, të bënte një marrëveshje me CEZ-in. Kam një informacion edhe nga Kastriot Ismailj i cilej ka thënë se unë jam personi që kam hedhur idenë që të gjitha faturat e TVSH-së të mblidhen nga CEZ-i. Dhe në vitin 2008 kemi një letër të ish-ministrit Bode i cili kërkon që OSSH të bëhet agjent tregtar për mbledhjen e kësaj takse. Pra, logjika të çon që fjala e Ismailajt është folur përpara dhe pse është marrë parasysh nga ky ministër? 

Po thoni që kishte ndikim në qeveri?
Patjetër që ka pasur. Ai i ka pasur marrëdhëniet e hapura. Madje edhe vetë Josepf Hejsek është shprehur se ai kishte marrëdhënie të ngushta me qeveritarët e asaj kohe dhe me kryeministrin e asaj kohe. 

Kanë pasur lidhje me djalin e ish-kryeministrit apo me ish-kryeministrin?
Përsa kohë shkuan te djali, kanë pasur lidhje. Djali ka shkuar me këta me leje të të atit. Dhe kryeministri e ka deleguar atë. 

Këta të dy ishin njerëz të besuar të z.Berisha?
Fakti që është gjetur Nuel Kalaj, një person emigrant në Francë, nga Prizreni, për të marrë pjesë në këtë privatizim, tregon se ka qenë i besuar i familjes së tij. Nuel Kalaj dhe Kastriot Ismailaj kanë qenë sekserë në marrëdhëniet mes ERE dhe CEZ, pasi ka pasur luhatje të çmimit të energjisë. Kemi pagesat e bëra në nëntor-dhjetor të vitit 2010 dhe kemi një ulje të çmimit të blerjes së energjisë nga CEZ-i te KESH-i me pasoja për buxhetin dhe favorizime për CEZ-in. Është premtuar 10 milionë dollarë për t'u paguar në dorë, është paguar një shumë e vogël e cila nuk ka shkuar në destinacionin e duhur. Pasi janë bërë këto pagesa, mblidhet ERE dhe merr një vendim për uljen e çmimit të energjisë në favor të kompanisë çeke. P.sh nëse KESH e blinte me 8 lekë e shiste me çmimin 1 lek e ca. Në momentin që prishet kontrata me DIA, çmimi shkon nga 1.48 lek në 2.83 lek. Kemi një letërkëmbim ku futet sërish në lojë Nuel Kalaj. Megjithëse u prish marrëveshja me DIA-a, kemi 8 kompani të tjera, kemi ndërhyrjen e këtyre 8 qokaxhijve të tjerë dhe çmimi i energjisë ulet prapë në qershor, rasti i radhë që ERE të mblidhet dy herë brenda 6 muajve, ulet nga 2.83 lekë në 2.2 lekë. 
 
Këtë rol e ka luajtur Nuel Kalaj?
Ndërmjetësimi është bërë nga Nuel Kalaj. Komunikimet i kanë pasur të përditshme edhe zyrtare e jo zyrtare mes drejtuesve të CEZ e përfaqësuesve të qeverisë. Por, e çuditshme është që fillimisht del më një vendim që nuk i njeh borxhin e keq dhe në vitin 2012 CEZ-i hedh në gjyq ERE-n. Kam informacione që vetë specialistë të ERE kanë mbrojtur CEZ në këtë gjyq. CEZ fiton në shkallë të parë dhe pa kaluar 15 ditë ERE njeh vendimin e vet. Dhe këtu kemi përplasjen e dy ministrave Bode e Naço. Bode kërkon uljen e çmimit të energjisë nga 2.83 lekë në 2.2 lekë dhe Naço i cili e ka kundërshtuar vendimin e ERE-s. Dëmi i shkaktuar ka pasur një kosto të rëndë në buxhet.
 
Duket se paska qenë një marrëdhënie tensioni mes shtetit dhe kompanisë Çeke, e këta dy sekserë luajnë njëherë në favor të njërit dhe njëherë në favor të tjetrit. Opinioni publik ka qenë në errësirë të plotë...Në këtë marrëdhënie ka qenë sektori më i rëndësishëm publik?
Në këtë marrëdhënie ka qenë, sekserësh. Sekserët iknin dhe vinin dhe paskan qenë me shumicë. Por kjo periudhë flet edhe për një pozitë të rënduar të drejtuesve të kompanisë çeke. Ka ardhur koha që ata të hedhin dritë për këtë që po bëhet spasi nuk mund të fshihen më pas gishtit. Letrat janë më të forta se sekserët 
 
Pse nuk vepron Prokuroria?
Më vjen keq që të bëj ironinë me Prokurorinë, por kjo Prokurori pret siç urdhrin e Berishës që të fillojë punë. Por Berisha s'do e japë këtë urdhër që të fillojë punë Prokuroria në dëm të tij apo të bandës së tij.
 
Pse thoni Berisha? Është ai që e ka hedhur këtë tango për palën shqiptare?
Me çfarë shoh nga sistemi TIMS e të dhëna të tjera, po dalin paratë që ka marrë Nuel Kalaj. Nuk ka funksionuar ndonjëherë qeveria Berisha e tillë, që të mos marrë vesh ç'a ndodh në Shqipëri. Edhe pëshpërimat i merrnin vesh kur duhej, e jo më daljen e parave me çanta nga Shqipëria. 
 
Çfarë interesi do kishte Berisha ta hapte këtë histori? Pasi historinë e hapi vetë z.Berisha për zgjidhjen e marrëveshjes...
Sali Berisha as po e hap dhe as po e mbyll këtë histori. Kur e ka hapur këtë problem Berisha, ka qenë një lidhje me një ish-drejtues të DIA-s i cili ka dhënë një dëshmi pranë nesh i cili është vëllai i një këshilltari të Berishës në atë kohë. Berisha nxitoi ta përkrahte edhe në parlament, duke menduar se nuk ka dokumente të tjera e nuk ka gjë brenda, s'kishte dijeni që ne kishim marrë dokumente nga CEZ Group në Çeki. Atyre iu kanë shpëtuar këto dokumente. Nëse i kanë sjellë me qëllim, kanë bërë mirë që mi kanë sjellë mua. Nuk më intereson korrupsioni në Çeki, por ajo që ka ndodhur në pjesën shqiptare.
 
Z.Basha ka thënë se shteti humbi 400 mln euro për zgjidhjen me mirëkuptim të aferës me CEZ. A kishte zgjidhje të tjera z.Kara?
Privatizimi dihet botërisht është i dështuar. Të gjitha lëvizjet më pas janë pasojë e këtij dështimi. Të thuash pse bërë këtë e atë, kur në këtë pikë na çoi ky privatizim i dështuar, i nxituar dhe i korruptuar. E dyta, në mënyrë sesi janë dhënë licencat privatizimi ka qenë edhe kundër sigurisë, pse duhet të privatizosh asetet, kur mund të privatizosh shërbimin? Këta kanë bërë gabimin më të madh, duke privatizuar asete të sigurisë kombëtare. Duke privatizuar astet ishim duke shkuar në kolaps energjetik. Janë shkelur të gjitha llojet e ligjeve. Në mënyrën sesi janë hequr dy licencat, duke vendosur një administrator të përkohshëm, ne kemi shkelur të gjitha ligjet, Kushtetutën e Shqipërisë. Kemi edhe një letër shumë komprometuese të ardhur në muajin prill 2013 në drejtim të Kryeministrit, ambasadores çeke, zv/ministrit Eno Bozdo dhe aty, në këtë letër, zv/drejtori i përgjithshëm i CEZ-it në Çeki, paralajmëron që ne, në mënyrë formale apo jo formale, jemi të detyruar të ruajmë interesat tona, duke ngritur një padi në arbitrazh me jo me bazë kontratën, por me bazë kontratën e Energjisë dhe Investimeve të huaja. Edhe vetë BDO më pas ka thënë se hapja e kësaj padie nuk lejon që t'i të hapësh kundërpadinë.
 
Ishte e pamundur për shtetin shqiptar kundërpadia?
Ishte e pamundur për shtetin shqiptar për padi, pasi Rumania dhe Bullgaria po humbin përballë CEZ.
 
Kush lejon që të bësh një shpronësim me dhunë?
Ke ndërhyrë në investime dhe ai ia la në derë. Në janar të 2013 që i more administrimin me dhunë, DIA ngriti padinë dhe administratori Dollapi e ka njohur këtë padi. E njohën procesin e DIA-s dhe më pas shoh që nuk u reagua më pas derisa është dorëzuar qeveria.
 
Këta kanë pritur po të dalë gocë të mbajë qeveria, po të dali djalë kemi bërë ca punë të mira. Këta e lanë në mënyrë të papërgjegjshme.
 
Mos veprimet janë me qëllim dhe të dëmshme. Kemi një letër të studios ku thotë se të gjitha kërkesat tona nuk janë plotësuar, madje edhe telefoni nuk është hapur, është për të vënë duart në kokë.
 
Sipas jush, si arriti qeveria Rama ta mbyllte me këtë marrëveshje?
Qeveria Rama ka bërë një çudi, ka qenë një fitore shumë e madhe. Arritje shumë e madhe.
 
Pse është çudi?
Nuk jam euforik. Por, kompania mund të kërkonte sa të donte, prandaj e quaj sukses.
 
Mund të kërkonin edhe dhjetëra miliarda?
Po pa fund, mund të kërkonin sa të donin. Marrëveshja me çekët ka parashikuar arbitrazhin, ndërsa marrëveshjet mes CEZ dhe OST janë parashikuar për t’u zgjidhur këtu dhe jo në arbitrazh.
 
BDO nuk ka bërë audit, ky është një material për t’iu kundërvënë CEZ. BDO ka dashur të rrisë pretendimet në mënyrë që ne të kishim kundërvënie, por gjetëm zgjidhjen më të mirë.
 
Në rastin e DIA-s e zgjidhëm shumë shpejt dhe kursyem 150 mijë euro në muaj për avokatët.
 
A ka pasur tentativa mes DIA-s dhe vetë CEZ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes?
Ka pasur në fund të 2013. Mesa di pala ceke ka dashur ti ofrojë 16 milionë Kastriot Ismailajt për të mbyllur këtë punë, por ai ka pasur frikë që ti marrë për shkak se kishte frikë se i rrezikohej jeta nga pushtetarët në Shqipëri.
 
Si i mblidhni tani borxhet, që institucionet i kanë OSHEE, për shembull si ia mblidhni Kryeministrinë?
Jo. Kryeministria nuk ka borxhe. Nëse ka borxhe nga kosumatorët, u ndërpresim energjinë.
 
Organizimi i OSHEE ka ndryshuar kemi rritur të ardhurat pa kompani seksere në mes për mbledhjen e borxheve.
 
Ka pasur mjaft interes fotoja juaj me Izet Haxhinë. Pse shkuat në Turqi, ndonjë komplot kundër Berishës?
Në Turqi isha për arsye pune. Nuk shkova për Izet Haxhina, e kam njohur kur njoha edhe Berishën në 1990, e kam njohur për djalë të mirë.
 
Gjeta një djalë dhe një Izet që kishte bërë pendesën e vet dhe kërkonte të jetonte me të vërtetën.
 
Isha në Stamboll kur u njoftova se më akuzuan për problemet e mia psikike dhe korrupsion, kuptova mesazhin, ishte një lloj pretence se çfarë mund të ndodhte nesër.
 
Bëra deklarimet e mia në shtyp dhe devijova rrugëtimin tim, takova Izetin dhe në mënyrë të hapur duke u përballur me çdo lloj sfide.
 
Atyre që më urojnë të më shohin të vetëvrarë unë u them se nuk do ta mbyll gojën, por edhe nëse nuk do të jem unë e vërteta do të dalë.
 
Ata duan të denigrojnë personin që servir këto fakte, e-mailet dhe të gjitha provat. Unë u garantoj që provat e mia do të krijojnë te ata probleme psikike dhe jo te unë.
 
Keni frikë për jetën tuaj dhe familjen?
Kjo jetë nuk është e përjetshme. Unë vajta 50-vjeç nuk kam ndonjë pishmanllik, unë e kam marrë si sfidë dhe shikoj si t'i kaloj sfidat dhe jo t'i shmangem.
 
Shoh që njerëzit më shohin me frikë, shoh që njerëzit nuk janë akoma të lirë nga frika.
 
Unë nuk kam frikë. Pra, këtu te ne me këtë frikë që është instaluar nuk kemi as liri dhe as demokraci. Dhe këta që thonë kemi sjellë demokracinë, po bëjnë vjedhjet e mëdha.
 
Unë dua të arrij deri në fund. Këta persona duhet të dënohen. Sot një keqbërës në burg mbahet me kosto mbi 800 euro, këta kanë vjedhur kaq shumë, të gjendet një formë tjetër për këta.
 
Duhet një dënim tjetër për këta më i ashpër dhe shpronësim deri në qindarkën e fundit.
 
Keni besim te Reforma në Drejtësi?
Nuk besoj që do të shkojë mirë gjithçka që në fillim. Besoj që diçka do të lëvizë, por duhet të vrasim frikën.
 
Cila do të ishte këshilla juaj, pasi po tentohet të privatizohet sërish kompania?
Privatizim asetesh nuk bëhet fjalë të bëhet më. Mund të privatizohen shërbimet dhe jo asetet, por cdo gjë bëhet për të rritur të ardhurat. Unë nuk jam për privatizim por për fuqizimin e shërbimit shtetëror.
 
E keni bërë një analizë pse u tentua me cekët dhe pse jo me një gjigant tjetër të Europës në fillim për privatizimin?
Nuk është thjeshtë ekonomikë, ka shumë pikëpyetje. Ka disa qarqe, për shembull kush është ai që ka bërë krushqi mes Ismaliajt dhe Berishës?
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë