Sipas agjencisë prestigjioze ndërkombëtare të vlerësimit ekonomiko-financiar Standard and Poor’s, situata e krijuar në botë nga pandemia e koronavirusit e ka hedhur ekonominë në krizë globale.

”Bota ndodhet tashmë në recesion”, kanë konkluduar të martën ekspertët e agjencisë, sipas të cilëve pengimi i lëvizjeve dhe kontakteve të njerëzve po sjell një kolaps të kërkesës në shkallë globale, si në Kinë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Evropë.

Standard & Poor’s vlerëson se, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, rritja ekonomike në botë mund të ndalet në nivelin e 1 përqindëshit gjatë vitit në vazhdim, por pasojat do të ndihen edhe më negative vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, sipas analizave të bankës së madhe amerikane Morgan Stanley, recesioni global tani po paraqitet edhe më i keq se ai i vitit 2001, viti i sulmit terrorist mbi kullat binjake të Nju Jorkut.