Kardinali Ernest Simoni ka uruar shqiptarët për 114-vjetorin e Pavarësisë nga një mbrëmje festive të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan. Kardinali solli mesazhin se gjithçka është kalimtare, ndërsa themeli i jetës qëndron te ringjallja.
“Faleminderit të gjithëve ju që keni nderuar dhe vazhdoni ta nderoni kaq lart popullin tonë. Edhe unë, si një bir i përulur i popullit shqiptar, dëshiroj të them dy fjalë. E gjithë bota është e mrekullueshme, por gjithçka është kalimtare. Kisha na kujton gjithmonë ringjalljen. Pikërisht këtu qëndron themeli i jetës së çdo njeriu në këtë botë, sepse ringjallja largon çdo frikë nga vdekja e besimi i jep njeriut dritë dhe i hap horizontin e një jete shpirtërore që nuk do të njohë vdekje, por do të gëzojë lumturinë e pafundme në parajsë”, tha kardinali.
Në mbrëmjen e organizuar ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili e vuri theksin te bashkëjetesa dhe harmonia fetare. Ai shtoi se Shqipëria vijon angazhimin për bashkëpunim me Selinë e Shenjtë për dialog e paqe.
“Shqipëria krenohet, me të drejtë, brenda dhe jashtë vendit, me bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare. Tek ne, ajo nuk është një tolerancë e dhënë nga lart, as një slogan. Është një mënyrë e natyrshme jetese, një kulturë e përditshme respekti që jeton mes fqinjëve, brenda familjeve dhe përcillet ndër breza. Me Selinë e Shenjtë ndajmë angazhimin e palëkundur për dinjitetin njerëzor, dialogun, paqen, zhvillimin dhe begatinë. Në një kohë pasigurie të shtuar, tensionesh, luftërash, konfliktesh dhe vuajtjesh, diplomacia e duruar, këmbëngulëse dhe e palodhur në kërkim të paqes nuk është luks. Është domosdoshmëri”, tha Hoxha.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte prezantimi i pullës së përbashkët kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, në 35-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Seli e Shenjtë.










Komente
Komento