VENECIA - Vizitorët vendas dhe të huaj shijuan një nga shfaqjet më kryesore të karnavaleve të qytetit italian Venezia. “Fluturimi i Engjëllit” në të cilin një grua e veshur me një kostum karnavalesh zbriti poshtë nga lartësia e Kullës së famshme të sheshit Shën Markut.

Tashmë në qytetin romantik të Venecias kanë filluar karnavalet e famshme në të gjithë botën, me një program të titulluar "Jeto në Ngjyra”.

Maska, kostume, ngjyra, personazhe të cilat janë simbole të një tradite qindra vjeçare kanë pushtuar këtë qytet.

Venezia edhe pse mjaft i frekuentuar gjatë gjithë vitit, Në këtë periudhë bëhet më e bukur për shkak të karnavaleve dhe vizitohet nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.

"Është e bukur, kjo është një traditë historike dhe romantike, plot ngjyra dhe atmosphere, kjo është me të vërtetë fantastike", - u shpreh një turiste.

Organizatorët e karnavaleve të Venecias, thonë se gjatë këtyre ditëve në këtë qytet pritet të vijnë me mijëra turistë nga e gjithë Europa e bota, për të ndjekur nga afër ballot e famshme me maska, apo paradat e gondolave në kanalet e ngushta të qytetit në ujë.

Përdorimi i maskave në Venecia datojnë që prej shekullit 12 ku njerëzit mblidheshin në sheshin San Marco, ku nën tingujt e muzikës kërcenin deri në mesnatë, teksa dëgjohet kambana, që lajmëronte ardhjen e mesnatës ku të gjithë hiqnin maskën dhe këndonin së bashku.

Këtë vit karnavalet do të zgjasin deri në datën 12 shkurt, datë e cila do të celë dhe sezonin turistik në qytetin e të dashuruarve.