Kastriot Çipi: Diskriminohen
aktoret e teatrit me rrogat

Kastriot Çipi: Diskriminohen<br />aktoret e teatrit me rrogat
TIRANE- Kundër të gjithë kuadrit ligjor dhe parimeve të të drejtave të njeriut, shumica e artistëve të emëruar në Teatrin Kombëtar marrin rroga të konsiderueshme pa bërë asgjë, ndërkohë që artistët e kontraktuar në Teatrin Kombëtar të Komedisë ose ata që punojmë vetëm me raste premierash si të jashtëm në Teatrin Kombëtar paguhen me rroga ose honorare tejet modeste. Edhe pse praktikisht të kontraktuarit zëvendësojnë me aktivizimin e tyre në TK punën e shumicës së të emëruarve që kanë vite pa u ngjitur në skenë, diskriminimi i tyre nuk mbaron me kaq.

Të kontraktuarit që punojnë për Teatrin Kombëtar, pavarësisht se ky është një institucion shtetëror, shprehen se “punojnë në të zezë”, ku nuk u paguhen as siguracionet, as sigurimet shëndetësore. Artistët shprehen se nuk është “vetëm një diskriminim i hapur”, por edhe një tregues se shteti dhe sistemi ligjor nuk po funksionon siç duhet. Aktorët e Teatrit të Komedisë ndihen të diskriminuar për sa u përket pagave, kur shohim se në Teatrin Kombëtar shumica e kolegëve të tyre marrin paga të rregullta dhe sa dyfishi i tyre edhe në “rastet kur kanë pesë vjet pa u ngjitur në skenë”.

Mjafton të paralelizojmë listën e premierave tepër të rralla shfaqur në sytë e publikut me borderonë e rrogave të 65 punonjësve të Teatrit Kombëtar për të parë këtë kontrast të madh që të çon në edhe në shkeljen e kodit ligjor, ku siç argumenton drejtori i Teatrit të Komedisë, Kastriot Çipi, “Në kontratë përcaktohet përshkrimi i punës që do të kryejë punëmarrësi dhe pagesa që do t’i paguajë, për punën e kryer, punëdhënësi”, që në këtë rast është vet shteti.
 
 
Artistët e Teatrit të Komedisë më janë shprehur se “ndihen të diskriminuar për pagesat, duke u krahasuar me kolegët e tyre të Teatrit Kombëtar”. Cili është shkaku që ata rezultojnë me një diferencë të theksuar pagash?
-Shkaqet janë më shumë se një. Së pari, Teatri Kombëtar i Komedisë që nga themelimi i tij është klasifikuar në sistemin e pagave në një nivel me Teatrin Kombëtar për Fëmijë (ish-Teatri i Kukullave), thënë ndryshe, me paga pothuaj sa gjysma e homologëve të Teatrit Kombëtar. Së dyti, struktura e Teatrit Kombëtar të Komedisë ka 8 vende për aktorë, ndërsa ajo e Teatrit Kombëtar ka 32 vende, gjë që na detyron të zbatojmë kontrata pune 6-mujore, në vend të zbatohen për shembull ato njëvjeçare.

Së treti, fondi i projekteve që ka përfituar Teatri Kombëtar i Komedisë në dy vitet e funksionimit të tij, ka qenë 3-5 herë më i vogël se ai i Teatrit Kombëtar. Prej më shumë se një viti, i kam kërkuar Ministrisë së Kulturës të miratojë një projekt-strukturë të Teatrit Kombëtar të Komedisë, e cila mund të implementohet pa impakt financiar, nëse 7 paga aktorësh të kategorisë së parë, nga të cilat në Teatrin Kombëtar ka 24, t’i kalohen Teatrit Kombëtar të Komedisë. Me dy ministrat e fundit nuk arrita ta miratoj. Shpresoj ta miratojë Ministrja aktuale.
 
Nëse krahasojmë numrin e premierave që ngjiten në Teatrin Kombëtar me atë që ngjiten në Teatrin e Komedisë dhe rezultatin që sjellin ato, çfarë komenti do të bënit për mënyrën si paguhen?
-Vitin e kaluar Teatri Kombëtar i Komedisë ka realizuar më shumë premiera, ka dhënë më shumë shfaqje dhe ka pasur më shumë shikues se Teatri Kombëtar. Gjasat janë që kjo të ndodhë edhe këtë vit. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se salla e Teatrit Kombëtar të Komedisë ka 200 vende, ndërsa ajo e Teatrit Kombëtar 530. Nëse këto shifra përqasen me ato të financimit, raporti del i përmbysur. Nuk mendoj se ka nevojë për komente të tjera.
 
Teatri Kombëtar ka një bordero me 65 punonjës ku pagat jepen në mënyrë konstante dhe nuk jam e sigurt nëse janë  ngjitur me shumë se gjysma e tyre në skenë gjatë gjithë vitit. Me çfarë justifikohet paga e artisteve të tjerë?
-Për këtë duhet të pyesni në Teatrin Kombëtar dhe në Ministrinë e Kulturës.
 
 
A është e ligjshme që punonjësit siç po ndodh me Teatrin Kombëtar e marrin një rrogë, pa e justifikuar me një pune konkrete?
-Kodi i Punës thotë se punëdhënësi dhe punëmarrësi duhet të nënshkruajnë një kontratë. Në kontratë përcaktohet përshkrimi i punës që do të kryejë punëmarrësi dhe pagesa që do t’i paguajë, për punën e kryer, punëdhënësi. Nëse punëmarrësi nuk kryen asnjë punë, punëdhënësi ka të drejtë të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme, pas një afati njoftimi prej tre muajsh.
 
Ky problem është trajtuar edhe më parë në media, ku ankesat që na kanë ardhur janë se ka artistë që “nuk e shkelin pragun e Teatrit Kombëtar, por shkojnë vetëm tek bankomati për të tërhequr pagën”. Sa mendon se është numri i tyre nëse kjo është e vërtetë?
-Po më kërkoni të bëj punën tuaj? Nëse jeni vërtet  e gatshme për ta denoncuar këtë problem, lista e aktorëve të punësuar në Teatrin Kombëtar dhe listat e roleve për çdo premierë janë informacion publik. Mjafton të bëni një listë të thjeshtë të angazhimeve për çdo aktor.

Teatri i Komedisë, që ju drejtoni, ka ngjitur në skenë disa vepra te suksesshme, ku kam qenë e pranishme kur ka marrë shumë duartrokitje nga publiku. Cili është sekreti i sfidës?
-Nuk ka asnjë sekret. Këtu të gjithë ndjehen të barabartë. Kush punon paguhet, kush nuk punon ikën. Askush nuk mund të qahet se rrogën e atij që punon, e merr ai që nuk punon.
 
Çfarë mund të na thoni për premierën më të fundit që pritet të ngjiten në skenë?
-Nuk e dimë ende kur do të jetë premiera e ardhshme. Do të presim të mësojmë buxhetin para se të bëjmë kalendarin e vitit 2014.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

‘Erdgysi i kaloi para me makinë, kishte dhe të dashurën’, fjalët e fundit të Alma Arrazit: E prisja dhe këtë ditë që ta shihja me sytë e mi

‘Erdgysi i kaloi para me makinë, kishte dhe të dashurën’, fjalët e fundit të Alma Arrazit: E prisja dhe këtë ditë që ta shihja me sytë e mi