Bregdeti i Kunes, pranë grykëderdhjes së Drinit është mbuluar nga mbetjet e shumta që lumi ka sjellë nga fshatrat përreth Lezhës dhe Vaut të Dejës.
Vija bregdetare prej 1 km është mbuluar me mbeturina, duke u kthyer në një landfill të vërtetë.
Në terren, vihen re shishe plastike, qese, qelq, goma, materiale inerte, e deri te kafshë të ngordhura, të cilat rryma i ka transportuar drejt detit dhe më pas i ka nxjerrë në breg.
Situata konsiderohet alarmante si për mjedisin ashtu edhe për turizmin lokal, pasi laguna e Kune-Vainit është zonë e mbrojtur.
Eksperti i mjedisit Jak Gjini thotë se sa herë ka reshje intensive, pjesa veriore e grykëderdhjes së Drinit ndotet sepse banorët i hedhin mbetjet në shtratin e lumit si dhe përgjatë kanaleve.
“Kur reshjet bien me vrull, Drini tërheq gjithçka që njeriu ka hedhur pa asnjë kriter. Sidomos ne fshatrat banoret i hedhin mbetjet ne shtratin e lumit. Pamjet në Kunë flasin vetë – është një nonsens ekologjik dhe një dëm i madh për natyrën.
“Nga një shtëpi e veçuar në zonat rurale na grupe shtëpiash lagje e fshatra, duhet të merren masa të veçanta sidomos nga kryepleqësia për një administrimin më të përshtatshëm. Në skemat e pastrimit të zonave urbane duhet të përfshihen dhe këto zona", tha eksperti.
Gjini shton se përgjegjëse janë bashkitë, pasi nuk janë të organizuara për evadimin e mbetjeve në fshatra dhe s’kanë as burime financiare.
“Bashkitë dhe kompanitë e pastrimit duhet të ndryshojnë mënyrën e operimit, duke kaluar te sisteme me mjete të vogla, që hyjnë në çdo lagje dhe më pas transferojnë mbeturinat te kamionët e mëdhenj evadues”, u shpreh Gjini.
Pastrimi mbetet një sfidë edhe më e vështirë pasi rruga 4 kilometra që lidh fshatin Ishull-Lezhë me lagunen e Kune-Vainit është e përmbytur nga reshjet e javës së shkuar. Mjetet e pastrimit nuk kanë mundësi të hyjnë, duke e lënë bregdetin të ekspozuar ndaj ndotjes katastrofike.
Situata edhe më e rëndë është në plazhin e Velipojës, ku gjithë brezi ranor është i mbuluar nga mbetjet urbane, sic pasqyroi Report tv nje dite me pare. Ndotja nga Shqipëria ka vënë në alarm edhe Kroacinë, në bregdetin e së cilës kanë dalë me tonelata me mbetje.
Komente








Krejt plastika e macedonise kosoves e fshatrat e kuksit shkodres krejt aty ne dri e ne bune vine e shkarkohen.. ah incenerator ku je
PërgjigjuDo i ketë hedh Saliu, te rroje partia.
Përgjigju