Për herë të dytë në Portin e Durrësit është ankoruar anija USNS Trenton, një prej krenarive më të mëdha të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, marina më e fuqishme në botë.

Tregues të fuqisë së partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, e konsideron komandanti i anijes Damon Bateson.

“Shqipëria është një aleat dhe partner i rëndësishëm i NATO-s me të cilin ne punojmë. Bazuar në këtë miqësi që ne kemi, është e nevojshme që miqtë duhet të njihen nga afër përmes takimeve, në avancimin e të punuarit bashkërisht” Damon Bateson, komandanti i USNS Trenton

Teksa do të qëndrojnë në Durrës për katër ditë, komandanti nuk e fsheh entuziazmin e ekuipazhit të tij për këtë vizitë.

“Ekuipazhi dhe unë jemi të emocionuar të vizitojmë Durrësin dhe të kalojmë pak kohë në këtë qytet historik portual shqiptar. Me këtë vizitë tonën në Shqipëri ne shpresojmë të mësojmë më shumë për kulturën shqiptare duke bashkëpunuar me partnerët tanë ushtarak, në mënyrë për ta fuqizuar këtë marrëdhënie që kemi posaçërisht kur jemi partnerë në NATO” tregon Damon Bateson, komandanti i USNS Trenton

USNS Trenton është një nga anijet transportuese më të shpejta të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe një nga më të rejat, e ndërtuar në vitin 2014. Është unike në  llojin e saj, jo vetëm  për misione ushtarake  por edhe humanitare. Trenton ka një kapacitet  transportues të 312 forcave ushtarake përfshi edhe pajisje logjistike.