TIRANE - Qeveria do të rishikojë afatin për lëvizjen e lojërave të fatit në drejtim të resorteve dhe zonave turistike në periferi të qyteteve. Ka qenë deputeti i majtë Pandeli Majko i cili propozoi që të shtyhet më 1 vit ky afat, nga 31 janari 2016 që ishte parashikuar deri më 31 janar të vitit 2017, në mënyrë që të ndihmohen industrialistët. 

Për të raportuar për projektligjin e Lojërave të Fatit, në komisionin e Ligjeve ishte zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj, e cila tha se në qytet do të qëndrojnë vetëm bastet sportive, në një distancë 200 metra nga qyteti. Ky projektligj duket se nuk i ka kënaqur edhe deputet të tjerë jo vetëm të Partisë Demokratike por edhe të PDIU të cilët thanë se po bëhet në mënyrë preferenciale dhe klienteliste.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj të vetmen zgjidhje për disiplinimin e lojërave të fatit, sheh mbylljen e tyre! Por zëvendësministrja Beqiraj tha se nëse do të vendosej moratorium për lojërat e fatit do të ishte goditje për mijëra të punësuarit në këto biznese.
 
Beqiraj tha se përmes këtij drafti ndryshon edhe metoda e taksimit për bizneset e lojërave të fatit, të cilat do të taksohen mbi fitimin bruto. 

Megjithatë pas 6 muajve të bllokuar në Komisionin e Ligjeve ky projektligj arriti të miratohet ne parim me votat pro të mazhorancës ku Fatmir Xhafa dhe Tahir Muhedini abstenuan, ndërsa demokratët nuk morën pjesë në votim.

Në Tiranë janë 12 kazino dhe katër bingo të licencuara.

Debatet
Xhafaj: Çfarë problemi ka që ta pengojë qeverinë të vendosë një moratorium për lojërat e fatit, e t'i mbyllë plotësisht lojërat e fatit? Vetëm kështu mund t'i disiplinojmë lojërat e fatit
Beqiraj: E kemi diskutuar por tashmë është industri e ngritur që punëson disa njerëz. Nëse do të vendosim moratorium do të ishte një vendimmarrje ekstreme. Është një industri botërore jo  shqiptare. Lojërat e fatit janë edhe në Evropë dhe me këtë projektligj duam ta kthejmë nga plagë sociale në mjet argëtimi, ta disiplinojmë me ligj. Ka rreth 5600 të punësuar
Xhafaj: Lotaria kombëtare nuk ka shumë punonjës pse duhet lënë. Është problem financiar apo social për vendet e punës që mbylleshin.
Beqeiraj: Problemi social nuk zgjidhet me masa drastike. Në këtë industri janë investuar para nga bizneset. Marrja përsipër e mbylljes totale të tyre mund të zgjidhte plagën sociale por do të sillte një problem ekstrem
Beqiraj: Me ketë ligj mundohemi ta kufizojmë pa marrë vendim ekstrem
Beqiraj: Të ardhurat në vitin 2013 kanë qenë 3.6 miliardë dollarë në 2014-ën 5.4 miliardë lekë. Ligji ndryshon metodën e taksimit. Taksim i do të jetë mbi fitimin bruto, çka do sjellë më shumë të ardhura . Në Tiranë ka 4 licenca bingo dhe 12 kazino. Kryesisht lejen e kanë pasur pa afat. Çdo lojë fati online do jetë e lidhur me njësinë, ne do shohim sa është xhiroja dhe në bazë të saj do të taksohet
Bylykbashi: Pse s'i hiqni të gjitha lojërat e fatit jashtë qyteteve?
Beqiraj: Po heqim kazinotë, kemi lënë bastet sportive me distancë 200 metra nga qyteti.
Bylykbashi: Pse ka preferncialitet dhe klientelizëm? Ata që kanë kohë të caktuar nuk ndërpritet... 
Beqiraj: 1 vit kohë të lëvizin nga qendra e qyteteve.
Muhedini: Janë 12 kazino, a mund të më thoni me emra kush ka paguar kush jo? 
Ndërhyn Xhafaj: Kjo mund të konsiderohet reklamë, le të përgatisë  zëvendësministrja informacionin dhe merre
Majko: Mos është e nevojshme ta shtyni me 1 vit, pra nga 31 janari 2016 në 31 janar 2017 lëvizjen e kazinotë në zonat turistike?
Beqiraj: Ky do afat do të rishikohet. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)