TIRANË- Goditja e zyrtarëve të lartë, për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është tregues se reforma në drejtësi po jep rezultate. Komentet i bëri gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, kur u pyet nga gazetarët për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kyçe, është në zemër të gjithë punës sonë. Dhe kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë provë që sistemi po funksionon. Ajo që po shohim është fuqizimi i sistemit gjyqësor”, tha Von der Leyen.
I pyetur nëse mban përgjegjësi politike për emërimin e Hysenit, Rama tha se përgjegjësia e tij është që reforma në drejtësi të mos ndalet, ndërsa theksoi se kushdo që “tradhton qëllimin e përbashkët” duhet të përballet me drejtësinë.
“Për mua, përgjegjësia politike është një: që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprimeve që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit. Ata që tradhtojnë qëllimin e përbashkët duhet të përballen me pasojat përmes sistemit të pavarur gjyqësor”, tha Rama.
Për rastin e Vlora Hysenit, Rama deklaroi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, por edhe njëherë theksoi se ajo çfarë i ndodh SHISH, që sipas tij u ekspozua ndaj një dëmi të madh, nuk është parë asnjëherë në historinë e botës.
“Një shqetësim i tillë nuk na ka ardhur deri më tani nga asnjë partner. Kur fola për partnerët që kanë mbetur pa fjalë, thashë për partnerët në sistemin e sigurisë, që kanë punuar dhe punojnë me Shërbimin. Pa fjalë se ajo që i është bërë Shërbimit me atë metodë është e paparë në historinë e botës”, tha Rama.
Von der Leyen solli me vete planin e ri të KE-së për zgjerimin, i cili do të prezantohet javën e ardhshme, bashkë me një udhërrëfyes për vendet që kanë avancuar më shumë, mes tyre Shqipëria.
“Do të përcaktojmë udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh. Shqipëria është një ndër to. Ne do të sqarojmë se çfarë mbetet për t’u bërë dhe deri në çfarë date”, vijoi Von der Leyen.
Plani që po përgatit Brukseli parashikon kufizimin e përkohshëm të së drejtës së vetos për vendet e reja. Një ide që mori mbështetjen e Ramës, i cili kujtoi se Shqipëria vetë ka qenë viktimë e vetos gjatë rrugës së integrimit.
“E drejta e vetos nuk është e drejtë që i bën mirë BE-së, nuk është e drejtë që i bën mirë vendeve anëtare. Shqipëria ka qenë viktimë e ushtrimit të asaj të drejte. Ne si Shqipëri nuk na duhet vetoja për të bërë të fortin në tryezën e BE”, tha Rama.
-
Mirësepovini! Do uleni përtokë në cep të dhomës, larg tavolinës. Do merreni vetëm me atë kockën që ndoshta do t'ju hedhin. Do flisni vetëm nëse ju pyesin dhe do thoni çfarë do t'ju thonë të thoni
Përgjigju







Komente
Komento