Kejsi Tola: "Ju rrëfej dashurinë e fshehur"

Kejsi Tola:
Thjeshtësia dhe zëri, janë arma e fortë e saj në skenë! Edhe pse, ajo ishte vetëm 17 vjeçe kur na prezantoi denjësisht në Eurovizon, sot është një këngëtare plot ego dhe sukses në skenë. Kjo është Kejsi Tola, e cila përmes një rrëfimi për “Shqiptarja. Com” na sjell një pjesë ndoshta të panjohur të saj dhe sigurisht detajet e këngës më të fundit “Iceberg” në “Kënga Magjike”. “Iceberg” ka qenë kënga që më ka goditur që në fillim dhe për këtë arsye e kam shijuar nga fillimi deri në ditën e prezantimit”, tregon Kejsi. Më tej, rrëfen edhe një tjetër dashuri, e cila rrënjët i ka te muzika, por që të fal tjetër emocion.
 
Festivali “Kënga Magjike” ju riktheu në arenën e garës me një popbaldë. Si lindi ideja dhe bashkëpunimi me Darko Dimitrov?
Në fakt, që vitin që kaloi doja të isha pjesë e “Këngës Magjike” pasi angazhimi im në muzikë dhe sidomos në festivale ishte prej një viti pushim. Edhe pse dëshira ishte e madhe të merrja pjesë që vitin e kaluar, nuk mundëm që të përfundonim këngën, kështu që bëra dy vjet jashtë festivaleve. Pas pushimit, sëbashku me Darkon vendosëm që këtë vit ta finalizojmë duke më dërguar disa demo dhe vendosa të punoja me demon me të njëtin titull “Iceberg”. Që nga titulli më intrigoi dhe nisa të punoja, por për të finalizuar muzikën na duhej një tekst i mirë, kështu që u lodhëm pak deri në momentin që gjetëm Oltin, i cili u përshtat shumë mirë me tingujt e muzikës. “Iceberg” ka qenë kënga që më ka goditur që në fillim dhe për këtë arsye e kam shijuar nga fillimi deri në ditën e prezantimit. Në momentin që zëri më vishet me emocione, ndihem mirë në skenë dhe është muzika e përshtatshme për mua, atëherë kam goditur në shenjë dhe jap maksimumin tim! E kam shijuar me detaje këngën.
 
“Iceberg” është ndërtuar mbi bazën e dashurisë
sublime, është kjo fabula e këngës?
Kënga është e konceptuar e tillë. Po ta dëgjosh vetëm muzikën pa fjalët ashtu siç e kam dëgjuar unë që në fillim, të jep atë ndjesinë e dashurisë sublime. “Iceberg”, ishte titulli i duhur dhe tematika e një këngë që mund ti përshtatej një kënge të tillë, për më tepër që ishte e konceptuar e tillë edhe nga kompozitori. Ndërsa, Olti i ka dhënë një dimension shumë të madh tekstit, ku strofat vijnë shumë të ngrohta njëra pas tjetrës, vjen e ëmbël dhe e ëmbël. Pavarësisht se në thelb fabula e këngës ka dashurinë e dy njerëzve, herë pas herë të jep përshtypjen e një dashurie sublime. Në tekst thuhet; “Unë një oqean dhe ti një asjberg”, që këtu të jep atë ndjesi që rrallë këngë ta japin.
 
Pas prezantimit të këngës, kritikat kanë qenë pozitive jo vetëm për muzikën dhe vargjet, por edhe stilin që solle
në skenë..?
Mendoj se deri më tani kënga po shkon mirë, këtë e them me
modesti. Më vjen mirë që kënga është pritur mirë, pasi në fund të fundit për këtë sukses kam punuar gjithë këta muaj. Të përcjellësh atë që teksti dhe muzika sjell permes këtyre dy komponentëve tek publiku them se ja arrin qëllimit, pse jo që publiku ta përjetojë si këngë për historitë personale. Ndërsa, përsa i përket stilit të ardhur ndryshe, ishte e guximshme nga ana ime, por që ja dola me sukses.
 
Pas dy vitesh mungesë në skenë rikthehesh në arenën e festivaleve. Ka qenë i qëllimshëm ky largim?
Nuk ka qenë aspak largim i menduar edhe pse dëshira ishte e madhe të merrja pjesë në festivalin e vitit të kaluar, nuk u bë i mundur për shkak të angazhimeve të shumta në ‘live’ dhe studime, pasi secila do kohën e vet. Është fakt se, ta bësh si duhet këtë profesion të duhet kohë, pasi duhet profesionalizëm në radhë të parë, plus që zgjedhja ime ka qenë e tillë duke mos qëndruar larg publikut pasi skena e ‘live’- ve ma ka dhënë këtë mundësi. Unë e kam theksuar dhe herë të tjera se, për të sjell një këngë për një skenë të denjë siç janë festivalet, duhet shumë punë dhe kohë, prandaj për mua ka shumë rëndësi kur prezantohem.
 
Karriera juaj muzikore tashmë ka marrë rrugën e duhur, por si brez i këngëtareve të reja keni zgjedhur të ndiqni këtë anë dhe jo realizimin e videoklipeve. Mendoni se kjo është zgjedhja e duhur për ju?
Është një gjë shumë e mirë që ka tregu dhe sigurisht secili nga ka mënyrën e tij për të bërë karrierë në muzikë. Nuk paragjykoj askënd për mënyrën sesi bën muzikë, madje mendoj se këngëtarët dhe këngëtaret shqiptare kanë shumë guxim, dhe secili ka pro- filet e ndara. Nuk mund të pretendoj që i këndoj të gjitha rrymat, prandaj secili nga ne është i profilizuar në rryma të caktuara. Sa i përket videoklipeve mendoj se janë shumë të rëndësishme në karrierën e një këngëtari, por duhet shumë kohë dhe mundësi financiare për të realizuar një klip, sidomos në Shqipëri.
 
Kush është fansi juaj më i zjarrtë?
Kam shumë njerëz që më simpatizojnë shumë dhe më dërgojnë gjithmonë urime, sidomos kur sjell prurje të reja. Njerëzit që më rrethojnë dhe kam afër më shohin me detaje çdo gjë në lidhje me muzikën janë prindërit e mi, janë ato që i pëlqejnë detajet, ndonjëherë i kurojnë edhe vetë, por janë edhe kritikët më të mirë të muzikës sime. Ato janë skeptik në të njëtën kohë, por edhe i duan risitë e mija në muzikë, ato janë dhe fansit numër një.
 
Veç muzikës dhe familjes, je treguar shumë hermetike me jetën tënde private... Ka të reja në jetën personale?
(Qesh) Nuk më pëlqen të tregoj për jetën time private, por nëse më pyet a kam të dashur? Jo nuk kam! Po shijoj në maksimum çdo minutë të karrierës sime muzikore.
 
Studioni për Kanto në vitin e fundit të Universitetit të Arteve. Keni ndonjë plan veç muzikës, ndoshta synimin e një skene jashtë Shqipërisë?
Nuk e shikoj jetën time jashtë muzikës, çdo gjë lidhet rreth saj. Do doja të ndiqja ndonjë specializim jashtë Shqipërisë, por asgjë nuk është e planifikuar, nuk e di se sa do t’ia arrij. E kam thënë dhe vazhdoj ta them se për mua muzika klasike është shumë e rëndësishme dhe ndoshta një periudhë të jetës sime do t’ia kushtoj asaj. Shpesh herë më pyesin, pse pikërisht muzikë klasike? Ndonjëherë më bëjnë dhe mua shumë lëmsh, por nuk jam bërë kurrë pishman. Muzika klasike është një dashuri tjetër, një përjetim ndryshe nga muzika e lehtë.
 
Pra, mendoni ti riktheheni muzikës klasike?
Unë e dua muzikën klasike aq sa dua atë lehtën. Janë kontradiktore në pamje, por mua më falin emocion secila, ndoshta në një të ardhme do t’i përkushtohem.
 
Cilat janë projektet në vazhdim?
Kohën e kam të limtuar si në angazhimet e ‘live—t ashtu edhe me studimet, por besoj që do të përgatitem për një klip për këngën “Iceberg”. Sigurisht që kam në plan të sjell diçka ndryshe nga baladat, por çdo gjë ja lemë kohës.
Marrë nga numri i sotëm i gazetës së printuar ‘Shqiptarja.com)
Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari