Këlliçi: Si reaguan mediat franceze
për vrasjen e Esad Pashës

Këlliçi: Si reaguan mediat franceze <br />për vrasjen e Esad Pashës
Një nga romanet më të njohur të letërsisë shqipe, "Atentat në PARIS", i shkrimtarit Skifter Këlliçi, vjen në botimin e dytë i ripunuar. Botimi i parë i përkiste periudhës së realizmit socialist, i shkruar në kushtet dhe trysninë e ideologjisë së kohës, madje i censuruar, ku nuk janë lejuar të botohen fragmente e personazhe të ndryshme. Ky roman me një univers të madh ngjarjesh, që lëvrijnë nga Italia në Francë, nga Franca në Shqipëri e deri në Greqi, Turqi e Serbi, të cilat lidhen vetëm me një enigmë, "Pse e vrau Avni Rustemi Esad Pashë Toptanin?!", është mjaft mbresëlënës me portretizimet që u janë bërë të gjithë personazheve të veprës, aktorëve politikë e mediatikë të kohës. Shkrimtari rrëfen tashmë këtë bashkëjetesë të historisë me frymëzimin letrar dhe qëndrimin e tij ndaj idesë për rehabilitimin e figurës së Esad Pashë Toptanit.

Në romanin tuaj "Atentat në Paris", një vend të rëndësishëm ka zënë portretizimi i Esat Pashës. Cili është Esat Pasha sipas jush?
-Esat Pasha është ai që përshkruhet nga historiografia shqiptare që në fillimet e saj, duke përfshirë edhe studimet e periudhës paskomuniste, deri në ditët tona: "Veprimtar politik që punoi kundër interesave kombëtare. Si komandant i forcave rezerviste Shqipërisë së Mesme që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës,(1912-13),pas vrasjes së pabesë të komandantit Hasan Riza Pasha,organizuar prej tij,ua dorëzoi qytetin malazezëve. . . Më 1913-n ngriti në Durrës Pleqësinë që iu kundërvu qeverisë së përkohshme të Vlorës. . . Më 1914-n u përball me kryengritjen që nisi kundër tij. I rrethuar në Durrës për afro shtatë muajsh prej kryengritësve, shpëtoi falë ndërhyrjes së ushtrisë serbe që pushtoi Shqipërinë e Mesme. Në verë të vitit 1915 nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Beogradit në dëm të pavarësisë politike të Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Prej vitit 1916 vijoi veprimtarinë në mërgim, duke u vetëshpallur si përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Versajë. U vra me atentat nga Avni Rustemi në Paris më 13 qershor". (Fjalori Enciklopedik Shqiptar,2008,vëll. 3, faqe 2728-29).

Në cilat arkiva e keni zbuluar se Esad Pasha ishte mbrojtës i interesave të Serbisë, siç aludohet në vepër?
-Fakte të tilla nuk i kam gjetur unë, por studiuesit që janë marrë me këtë problem, që nga akademiku Kristo Frashëri,profesorët Muin Cami, Gazmend Shpuza, Hysen Kordha, Ana Lalaj dhe deri tek studiuesi kosovar Sharedin Berisha,që kohët e fundit ka botuar studimin e gjatë me titull "Veprimtaria antikombëtare e Esat pashë Toptanit (1912-1920)".

Mund të përmendi disa nga këto fakte?
-Për shembull, në marrëveshjen midis Pashiqit(kryeministër i Serbisë) dhe Esat Pashë Toptanit, më 17 shtator të vitit 1914, të nënshkruar në Nish, në nenin 7 vihet në dukje se "në emër të miqësisë së përjetshme" Toptani dhe Pashiqi kanë rënë në ujdi për doganën e përbashkët ndaj vendeve të tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit. Sipas studiuesi Sharedin Berisha duken qartë synimet e hapura të Serbisë për aneksimin e Shqipërisë, që i miratonte pa ngurrim Esat pashë Toptani). Shembull tjetër: Pas pushtimit të Shqipërisë së Mesme nga forcat serbe bëhen bisedime midis Mishkoviqit, përfaqësues i komandës ushtarake serbe dhe Esat Pashës, ku ky i fundit kërkon:
"Neni 1.Që nëpunësit të jenë formalisht, kurse serbët të marrin qeverisjen dhe vendosjen e rregullit; në Elbasan prefekti të emërohet njeri i Esatit, por punët t'i kryejë njeri i caktuar Serbisë.
Neni 2.Në Tiranë kajmekami do të emërohet nga Esat Pasha,kurse punët do t'i kryejë një njeri i Serbisë"(Po kështu në Çermenikë,Qukës etj.)
Ja disa nene të marrëveshjes Toptani-Jovanoviq ,më 27 qershor 1918:
Neni 4.Ekselenca e tij, Esat Pashë Toptani, do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Për udhëheqjen dhe instruktimin e ushtrisë qeveria serbe do të verë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsiderueshëm xhandarësh.
Neni 7. Sa të zgjidhet princ, Esat Pasha do t'i paraqesë Asamblesë projekt-kushtetutën e Shqipërisë. Pasi Asambleja të aprovojë kushtetutën, Esat Pasha do të formojë qeverinë nga njerëz që përkrahin idenë e bashkimit serbo-shqiptar"
A nuk të kujtojnë nenet e mësipërme të këtyre marrëveshjeve, pazarllëqet që bënte edhe Enver Hoxha me Titon në vitet 1945-'48, që e shndërronin Shqipërinë në republikë të shtatë të Jugosllavisë?

Pse mendoni se Francës i interesonte të kishte marrëdhënie të mira me Esat Pashën?
-Pas Luftës së Madhe, më 1918-n(kështu quhej atëherë Lufta e Parë Botërore),e cila përfundoi me fitoren e Antantës, (Francë, Angli, Rusi, etj), Esat Pasha me 600 ushtarë u bashkua me ushtrinë franceze në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik. Për shkak të qëndrimeve të tij ndaj çështjes shqiptare,ai nuk mund të kthehej në Shqipëri. Madje studiuesi Sheredin Berisha në studimin e tij "Veprimtaria antikombëtare e Esat pashë Toptanit,(1912 -1920)",vë në dukje:
"Sipas ushtarakut De Fontenej, Esati humbi çdo shpesë për t'u kthyer në Shqipëri, sepse,siç iu shpreh troç,lidhjet e tij me Serbinë kishin kaluar çdo kufi të bashkëpunimit të sinqertë". Kështu ai u vendos në Paris,ku u mbajt si aleat, paguhet me shuma marramendëse nga shteti francez. Madje,për t'u zbavitur, ndonëse i martuar, e ndihmuan të kishte edhe një të dashur 22 -vjeçare, të quajtur Lizetë Dyfur. Synimi ishte që Esat Pasha të kthehej në krye të Shqipërisë. Por Kongresi i Durrësit (dhjetor 1918) dhe sidomos Kongresi i Lushnjës (janar 1920), nga ku doli edhe qeveria e cila u vendos në Tiranë,i preu çdo shpresë Esat Pashës, Francës dhe Serbisë që ai të kthehej në Shqipëri.

Grupimi në pikëpamje pro dhe kundër mbrojtjes së Avni Rustemit i gazetarëve dhe avokatëve francezë, me ç'qëllim është bërë nga ju?
-Që të nxjerr artistikisht në pah të vërtetën,pra duke u bazuar në dosjen hetimore të Avni Rustemit dhe njoftimet e gazetave rreth jehonës së atentatit dhe procesit gjyqësor në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit të viti 1920. Si pasojë, gazetari i "Lë Pëti Parizienit", Gaston Rishar,që ka mbrojtur në procesin gjyqësor Avni Rustemin dhe ka demaskuar në shtyp Esat pashën, si dhe Rene Puoja i "Lë Tanit" që bën të kundërtën, janë personazhe të vërteta, ndonëse janë trajtuar artistikisht.

Cili ishte në të vërtetë Avni Rustemi, vrasësi i Toptanit?
-Një djalosh atdhetar që,pavarësisht se e mbrojti veten në gjyq me tezën se e vrau Esat pashën pa paramendim,se duke u përballur më te në hyrje të hotelit "Kontinental",lexoi "në ballin e tij mizoritë që ky pasha kishte kryer në Shqipëri, dhe i pushtuar nga një ndjenjë urrejtjeje,nuk u përmbajt,nxori revolverin dhe qëlloi", e dinte se do të dënohej me vdekje, siç kërkoi prokuroria deri në çastin e fundit të këtij procesi. Akt me të vërtetë i rrallë pas një atentati gjithashtu të rrallë,ku ndryshe nga atentatorët e tjerë që njeh historia, qëlloi dhe nuk kërkoi të largohej,gjë që kishte mundësi ta bënte,por qëndroi,në mënyrë që në gjyq të demaskonte Esat Pashën, siç ndodhi në fakt,dhe e detyroi jurinë që të jepte vendim për ta liruar, sepse kishte vrarë një tradhtar të atdheut të vet.

Rrugëtimi i Avni Rustemit nga Shqipëria në Paris, është ashtu siç përshkruhet në roman?
-Po,nga Tirana, ku merr përsipër të shkojë në Paris, për të vrarë Esat Pashën,(edhe sot nuk dihet nëse është bërë një takim i fshehtë,kush mori pjesë në të, kush e ngarkoi me këtë detyrë,kush i dha paratë për udhëtimin dhe qëndrimin në kryeqytetin francez. . . ),pra nga Tirana shkon në Romë, u shpjegon shokëve bashkëstudentë se po udhën për në Paris për të ndjekur kurse pedagogjie. Dhe kur kthehet përsëri në Romë, kur shokët e pyesin se përse nuk u kishte treguar të vërtetën,Avniu përgjigjet se kurrë nuk mund t'u zbulonte një të fshehtë të tillë. Madje, deri sa u vra nga njerëzit e Zogut,më 1924,ai nuk tregoi asgjë rreth këtij atentati. Kanë mbetur vetëm ato fakte dhe ngjarje që ka deponuar në hetuesi dhe gjyq,pra pak a shumë ashtu siç i kam përshkruar unë në roman.

-A mund të pohojmë se historianët nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e rolit historik të Esat Pashë Toptanit, dhe pse ju guxuat të shkruanit për një temë kaq komplekse ?
-Historianët,duke u mbështetur në citimet nga Fjalori Enciklopedik, botim i vitit 2008,për mendimin tim, e kanë zgjidhur këtë problem. Mund të shtoj këtu edhe shprehjen e nxjerrë nga zëri "Toptanët" të kësaj enciklopedie, të shkruar nga akademiku Kristo Frashëri, që është njohësi më i mirë i historisë së Tiranës,në të cilin ai vë në dukje se një degë e përfaqësuesve të kësaj familjeje me tradita atdhetare, përfaqësohej nga Abdi, Murat,Refik Toptani dhe vazhdon:"Dega tjetër nuk u shkëput nga disa mendësi feudale, anadollake. Pinjolli më negativ i kësaj dege ishte Gani Toptani,i cili ka kryer zullume,vrasje,plaçkitje jo të pakta në fshatrat e Tiranës;vëllai i tij, Esat pashë Toptani, i cili arriti deri në shkallën e gjeneralit të ushtrisë perandorake osmane, u vra më 1920 me atentat nga Avni Rustemi për veprimtari tradhtare,ndaj atdheut të vet"(faqe 2728).

Jeni pro, apo kundër zërave që duan të rehabilitohet figura e Esad Pashës?
-Si pasardhës i një familjeje të vjetër tiranase:gjyshi im,Masar Këlliçi,ish-deputet i Parlamentit të parë shqiptar,1920-'24), larguar pastaj nga jeta politike si kundërshtar i Ahmet Zogut; ,vëllai tij, Mytesin Këllici, një nga atdhetarët që ngritën më 20 nëntor të vitit 1912 flamurin kombëtar, aty ku sot ndodhet selia e Bibliotekës së vjetër Kombëtare,në rrugën e Elbasanit dhe pastaj senator në Kongresin e Lushjës,si nipi i publicistit Reshat Këllici pse jo, do të doja që edhe Esat pashë Toptani të rehabilitohej dhe emri i tij të renditej krahas toptanasve të tjerë atdhetarë. Por faktet historike që përmenda më sipër,mjerisht dëshmojnë për të kundërtën.

Mendon se këta zëra pro rehabilitimit të Esat pashës kanë zbuluar fakte të reja historike?
-Mundet. Nuk do të ishte as rasti i parë dhe as i fundit. Historia e Shqipërisë është minierë ende për t'u eksploruar. Nga arkivat "mund të dalin" fakte që dëshmojnë se Esat Pasha nuk e tradhtoi Ismail Qemalin,se nuk ua dorëzoi malazezve Shkodrën,se nuk vrau pas shpine Hasan Riza Pashën,se nuk cenonte Pavarësinë e Shqipërisë,se marrëveshjet me Serbinë që e kthenin vendin tonë në koloni të saj nuk janë të vërteta, etj, etj. Por kur tërë populli shqiptar mbështeste Kongresin e Lushnjës, pra, kur ky kongres përcaktonte kufijtë e Shqipërisë që kemi sot(për fat të keq, pa Kosovën, Çamërinë dhe vise të tjera shqiptare në Malin e Zi),si mund të justifikohen veprimet e Esat Pashë Toptanit, i cili, që nga Parisi, duke gjetur mbështetjen e Francës dhe të Serbisë,vetëquhej kryeministër i Shqipërisë, me një qeveri kukull të përbërë nga Pal Terka, ministër i Jashtëm dhe Gjergj Goga sekretar? Jo vetën kaq, por si mund të justifikohen veprimet e tij për të rrëzuar me çdo kusht qeverinë e Tiranës, duke dalë kështu kundër vullnetit të popullit shqiptar që e mbështeti dhe e mbrojti atë? Ccdo gjë që shkruhet në roman zbulohet në arkiva. Pas atentatit të Avni Rustemit në vendin tonë u bë festë, gazetave franceze iu dërguan telegrame ku kërkohej me këmbëngulje lirimi i Avni Rustemit. Në shumë qytete të Shqipërisë u organizuan mitingje në mbrotje të tij, populli krijoi për Avni Rustemin këngë si "O Avni Rustem Marina,/Shkove burra, shkove trima,/Qëllove si vetëtima,/Si vetëtima qëllove,/Esat Pashën ç'e rrëzove,/Shqipërinë ç'e shpëtove"? Personalitetet franceze duke përfshirë këtu edhe aktorin tonë të madh, Aleksandër Moisiu, kërkuan gjithashtu lirimin e tij nga burgu, ku thuhej se A.Rustemi kshte vrarë një tradhtar që për ambiciet e tij kishte vënë para të huajve në ankand Shqipërinë? Përse nuk doli askush që të dënonte Avni Rustemin dhe të ngrinte lart figurën e Esat Pashës,përse asnjë gazetë shqiptare nuk lartësoi figurën e tij,por lartësoi figurën e Avniut që u prit në Vlorë,pas kthimit nga Parisi,si hero, përse Esat Pasha mbeti i harruar fill pas vrasjes? Përse? Përse?!

Ju i keni renditur disa fakte të tilla në romanin "Atenat në Paris".
-Dhe tani po rendis fakte të tjera historike që dihen dhe që zbulojnë veprimtarinë antikombëtare të Esat Pashës në vitin 1920. Esat Pasha bëri ç' është e mundur të rrëzonte qeverinë e Tiranës, të kryesuar nga Sulejman bej Delvina. Për këtë, veç të tjerash, dëshmon edhe Eqrem bej Vlora në librin e tij në dy vëllime me kujtime,botuar vitet e fundit:
"Menjëherë pas formimit të qeverisë së Tiranës,-shkruan ai,-të gjitha krahinat shqiptare e njohën autoritetin e saj. . . Ndërkaq, Esat Pashë Toptani me banim në Paris,u dha urdhër njerëzve të tij në Shqipërinë e Mesme që të mblidheshin dhe kur të vinte rasti, të rrëzonin qeverinë. Përballë këtij rreziku të ri,qeveria. . . u përpoq t'i bindte me të mirë esatistët se përmbysja me dhunë e qeverisë do të rizgjonte dëshirat dhe nepset e fqinjëve për të rrëmbyer troje shqiptare dhe kjo mund të ishte rrezik i madh për ekzistencën e Shqipërisë se re". (faqe 163 e veprës së cituar). Më pas Eqrem bej Vlora shkruan se qeveria e Tiranës dërgoi në Paris një delegacion të kryesuar nga Fuat bej Toptani,për të biseduar me Esat Pashën,por esatistët, siç vë në dukje ai:"zgjeruan lëvizjen e tyre në të gjithë Shqipërinë e Mesme,duke vënë në mes Tiranën"(Po aty), etj.
Në ndihmë të këtyre pohimeve të Eqrem bej Vlorës na vinë edhe pohimet e mëposhtme të akademikut Kristo Frashëri. Në një takim që kam pasur me të në pranverë të vitit 1974,kur shkruaja romanin "Atentat në Paris",ai më kujtonte:
"Bandat e Esat Toptanit ,me Osman Balin në krye, në ditët e para të qershorit të vitit 1920,silleshin në kodrat rreth Kishës së Shën Prokopit dhe pritnin një urdhër nga Esat Pasha që të pushtonin Tiranën dhe të rrëzonin qeverinë. Atëherë kryeministri Sulejman Delvina iu lut Mytesin Këlliçit, myftiu i Tiranës,që të hynte në bisedime me ta dhe t'u kërkonte që të mos shkaktonin gjakderdhje, "sepse kjo qeveri i kishte ditët e pakta". Dhe ata i besuan myftiut si njeri i perëndisë. Por ndërkohë ishte njoftuar urgjentisht Bajram Curri me trimat e tij që ia behën në Tiranë shpartalluan bandat e Osman Balit dhe dogjën dhe kullat e Esat Toptanit. Pikërisht ato ditë edhe Avni Rustemi vrau Esat Pashën dhe lëvizja esatiste mori fund.".

Ju në faqet e romanit shkruani se atentati i Avni Rustemit pati jehonë në shtypin francez dhe botëror. Vërtetë?
-Sigurisht,sepse Esat pasha cilësohej nga Franca zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë. Kjo e detyroi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Versajë, të përbërë nga Mehmet Konica dhe Mithat Frashëri, të bënte këtë deklaratë:
"Zyra e shtypit shqiptar është e autorizuar të deklarojë se Esat pasha nuk kishte asnjë funksion zyrtar,për më tepër nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes,siç e kanë quajtur shumë gazeta franceze. Të gjitha të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës,që ndodhet prej kohësh në Paris"(Gazeta "Ymanite",20 qershor 1920.
Veç kësaj Mithat Frashëri në një artikull të botuar në Paris më 1920,midis të tjerash shkruan kështu për Esat Pashën:
"Esat Pasha u bë foleja drejt së cilës rrodhi gjithçka që mund të kishte te keqe në Shqipëri: tradhti, konservatorizëm, ambicie, lakmim, frikë prej dritës dhe së mirës. Ai u bë qendra e të gjithë atyre që ndiqnin një qëllim-kundër Shqipërisë. Fuqia e tij vinte sa prej shkaqesh të brendshme,aq edhe prej relacioneve të jashtme. Mbi intrigat që kishte lidhur me Serbinë dhe Malin e Zi, pa vonuar shumë u shtuan edhe ato me Greqinë. (Mithat Frashëri "Kush është Esati pasha", ("Chi e quel Esat?", Paris 1920,cituar sipas studimit "Veprimtaria antikombëtare e Esat Pashës,(1912-1920)",nga Sheredin Berisha,në internet).


Cili ka qenë rrugëtimi në vite i romanit tuaj "Atentat në Paris"?
U botua më 1978-n, në 15 mijë kopje që zhdukën në pak ditë, mbase edhe nga titulli sensacional,por unë pas disa muajsh,pavarësisht se u vlerësua nga lexuesit,kuptova që kishte disa të meta të rëndësishme. Me ripunimet që i bëra më 1989,2005 dhe 2011,mendoj se ky roman, i ribotuar nga Ombra GVG, me botues Gëzim Tafën,të cilit i jam mirënjohës, do të mbetet në letërsinë shqiptare si vepër e mirë më temë historike.
Intervista u botua sot Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!