TIRANË, 19 Janar /ATSH/- Në tregun e këmbimit valutor vendas, leku është zhvlerësuar ndaj monedhës së gjelbër amerikane, dollar, dhe asaj evropiane, euro.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë sot, dollari amerikan është këmbyer me rreth 120.99 lekë, duke ruajtur kështu nivelin më të lartë të viteve të fundit.
Ndërkohë monedha europiane edhe pse në tregjet ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm, përballë lekut shqiptar ajo vijon të mbetet e fortë pasi kërkesa për euro është e lartë.
Sipas ekspertëve 40 % të veprimeve shqiptarët i paguajnë në euro. Një euro është shkëmbyer sot me 140,24 lekë, duke ruajtur pozita të forta ndaj lekut edhe në këtë fillim jave.
Ekonomisti Arjan Kadareja shpjegon se gjithçka tashmë varet nga vendimi i Bankës Qëndrore Europiane për të hedhur ose jo euro në treg, pasi leku shqiptar ndjek euron.
"Mendohet që Banka Europiane Qendrore do të ndërmarrë akoma një politikë më lehtësuese, lehtësim sasior që do të thotë se numri i eurove do të shtohet. Synimi është rritja e aktivitetit në eurozonë dhe në varësi të asaj mase që do merret do të shkojë dhe euro. Nëse masa që merrej është më e madhe se sa pritej euro do të zhvlerësohet më tej, por nëse masa që merret është më e vogël se sa pritej euro mund të forcohet. Unë them që ndjekja e euros besoj se do të vazhdojë edhe gjatë 2015, kështu që edhe fatet e lekut kundrejt dollarit do të varen nga euro," shprehet Kadareja.
Sipas tij, dollari amerikan është forcuar ndaj monedhave të tjera për shkak se ekonomia e SHBA-ve ka njohur një ecuri mjaft pozitive kohët e fundit ndërkohë që eurozona vijon të ketë një rritje ekonomike modeste. e,xh//m.m/