Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë fillimisht për ndihmën ekonomike. Ai ka sqaruar se cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar ndihmën ekonomike dhe cilat janë procedurat që duhen ndjekur. Profesor Kepi ka shpjeguar edhe dokumentacionin që duhet për të përfituar ndihmën ekonomike, si dhe ka sqaruar se a njihet si vjetërsi pune periudha e trajtimit me ndihmë ekonomike. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.
Sot do të flasim për ndihmën ekonomike. Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar ndihmën ekonomike dhe cilat janë procedurat që duhen ndjekur? Cili është dokumentacioni që duhet për të përfituar ndihmën ekonomike? A njihet si vjetërsi pune periudha e trajtimit me ndihmë ekonomike?
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 955, të datës 7 dhjetor 2016, ndihmë ekonomike përfitojnë familjet që janë në nevojë, p.sh. pa punë, pa asistencë, pa pension, pa të ardhura të tjera, jetimët që nuk jetojnë më në institucionet, në shtëpitë e fëmijës, që kanë plotësuar moshën dhe janë ende pa punë. Këta fëmijë trajtohen me përparësi nga Zyrat e Punës për t’i punësuar, por në monentin që ata nuk mund të qëndrojnë më në shtëpitë e fëmijës dhe deri në momentin kur punësohen, trajtohen me ndihmë ekonomike. Gjithashtu ndihmë ekonomike përfitojnë nënat që kanë lindur trenjakë, katërnjakë, pesënjakë etj., derisa fëmijët të mbushin moshën 18 vjeç. Por gjithnjë, nëse familjet e tyre janë në nevojë. Ndihmë ekonomike përfitojnë viktimat e trafikimit deri në momentin kur punësohen. Përfitojnë ndihmë ekonomike viktimat e dhunës në familje.
Sa është pagesa e ndihmës ekonomike?
Pagesa e ndihmës ekonomike, në bazë të dokumenteve që dorëzojnë të interesuarit, llogaritet nga punonjësit socialë që merren me ndihmën ekonomike, në njësitë bashkiake. Pagesa totale e ndihmës ekonomike nuk mund të jetë më shumë se 8.000 lekë të rinj në muaj.
Si ndahet kjo pagesë?
Pagesa e ndihmës ekonomike për çdo jetim që nuk jeton më në shtëpinë e fëmijës dhe për çdo viktimë të trafikuar, është 3.000 lekë të rinj në muaj.
Pagesa e ndihmës ekonomike për një trenjak është 3.000 lekë të rinj në muaj, gjithnjë kur prindërit janë në vështirësi ekonomike. Në këtë rast për trenjakët pagesa e ndihmës ekonomike është 9.000 lekë të rinj në muaj.
Për një katërnjak, pagesa e ndihmës ekonomike është 4.000 lekë të rinj në muaj. Gjithsej, pagesa e ndihmës ekonomike në këtë rast, është 16.000 lekë të rinj në muaj.
Për një pesënjak, pagesa e ndihmës ekonomike është 5.000 lekë të rinj në muaj. Gjithsej, pagesa e ndihmës ekonomike është 25.000 lekë të rinj në muaj. Gjithmonë në rastet e nënave me shumë fëmijë, pagesa e ndihmës ekonomike u jepet nënave deri kur fëmijët të mbushin moshën 18 vjeç.
Në vendin tonë janë 125 raste kur kanë lindur trenjakë; janë 4 raste kur kanë lindur katërnjakë dhe 1 rast kur kanë lindur pesënjakë.
Jam nga Shkodra. Jam i datëlindjes 1957. Kam punuar 4 vite në kooperativë dhe 13 vite në punë shteti. Jam siguruar 10 vite në bujqësi. Kam bërë edhe 2 vite shërbimin ushtarak. Sa vjeç do të dal në pension dhe sa vite pune më duhen gjithsej për të përfituar pension të plotë?
Sivjet zotëria është 62 vjeç. Në pension do të dalë kur të mbushë moshën 65 vjeç, pra pas 3 vitesh, në vitin 2022. Për të përfituar pension të plotë pleqërie, zotërisë do t’i kërkohen 37 vite e 8 muaj punë të siguruar. Nëse zotëria nuk i ka vitet e punës që i duhen, sipas dëshirës dhe sipas mundësive të tij financiare, duhet të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore. Nëse nuk ka mundësi të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore për vitet e punës që i mungojnë, atëherë me kaq vite pune sa ka zotëria, do të marrë pension kooperative. Unë i këshilloj që t’i paguajë kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore sepse do t’i vlejnë. Por kjo pagesë duhet bërë përpara se të mbushë moshën e plotë për të dalë në pension. I këshilloj zotërisë që të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Shkodrës, në mënyrë që atje t’i bëhen edhe një herë më saktë llogaritë e duhura për vitet e punës që ka, që të mos i dalë ndonjë problem në fund, sepse e dimë që ndodh shpesh kur nuk njihen vitet e punës sepse mungon dokumentacioni i duhur. Ose rasti kur personi ka punuar një vit në kooperativë, por faktikisht kur bëhen llogaritë nuk i njihet ai vit pune sepse nuk ka realizuar sasinë e duhur të ditëve, pra 280 ditë pune në një vit kalendarik. Prandaj duhen llogaritur saktë vitet e punës.
Gruaja ime ka dalë në pension në shtator të vitit 2018. Ka gjithsej 39 vite e 4 muaj punë. Ka punuar 15 vite në kooperativë dhe 24 vite e 4 muaj ka punuar në punë shtetërore. Mua më duket se i ka dalë i ulët pensioni, 15.900 lekë të rinj në muaj.
Bashkëshortja e zotërisë merr pension shteti sepse ka pasur më shumë vite pune në sektorin shtetëror sesa në kooperativë bujqësore. Ajo ka punuar 39 vite e 4 muaj gjithsej, ndërkohë që kur ka dalë zonja në pension i duheshin gjithsej 36 vite e 4 muaj punë. Zotëria ka të drejtën e tij që të mos jetë i bindur me shifrën e pensionit. Ligji për Sigurimet Shoqërore thotë që kur nuk bindesh, do të bësh një ankesë me shkrim drejtuar Komisionit të Ankimit, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Komisioni i Ankimit përbëhet nga 4 specialistë, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën dhe ankesën e zonjës. Dhe brenda 42 ditëve ky komision do t’i kthejë zonjës një përgjigje zyrtare. Pasi zonja të marrë përgjigjen, nëse përsëri nuk është e bindur, ka edhe një rrugë tjetër. Duhet t’i bëjë një ankesë tjetër me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Ky është një komision i një niveli më të lartë dhe shqyrton ankesat e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria. Theksoj se që të dy komisionet janë të përbërë nga specialistë profesionistë. Por e drejta e qytetarit nuk mbaron këtu. Nëse përsëri zonja nuk bindet edhe nga përgjigjja zyrtare e Komisionit Qendror të Ankimit, atëherë ajo ka të drejtë që t’i drejtohet gjykatës. Por unë nuk ia rekomandoj këtë gjë sepse Gjykata e Shkallës së Parë i zvarrit shumë proceset, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë nuk i kemi në funksionim. Dhe arsyeja tjetër që nuk duhet të shkojë në gjykatë është se Ligjin për Sigurimet Shoqërore e njohin më mirë specialistët e Sigurimeve Shoqërore.
Na ka ardhur një letër. Na shkruan zonja Vjollca, nga Durrësi: “Së shpejti pres të bëhem nënë për herë të parë. Sa ditë është leja e lindjes? Si paguhet dhe sa ditë është e detyrueshme?”.
Leja e lindjes, e detyrueshme për nënën, është leja e paralindjes, 35 ditë kalendarike kur nëna do të lindë një fëmijë, dhe 60 ditë kalendarike kur ka binjakë ose trenjakë e më shumë. Dhe 63 ditë pas lindjes. Pra leja e detyrueshme është 98 ditë kalendarike. Pas 63 ditëve nga lindja e fëmijës, pra ditën e 64-t, nëna ka të drejtë që të shkojë në punë. Edhe në qoftë se qendra e punës e ka zëvendësuar me një punonjëse tjetër, është e detyruar që ta pranojë në vendin e saj të punës. Ka edhe një klauzolë tjetër. Në nenin 46 të Kodit të Punës thuhet që, në rast se nëna paraqitet në punë pa e mbaruar lejen e lindjes, derisa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç, qendra e punës është e detyruar që t’i japë leje, me të drejtë page, 2 orë në ditë për të ushqyer fëmijën. Pra nëna do të punojë 6 orë në ditë dhe jo 8 orë.
Jam nga Shkodra por banoj në Tiranë, prej 16 vitesh. Më 24 tetor 2016 kam mbushur moshën. Kam dorëzuar dokumentet te Sigurimet Shoqërore, por atje më kanë ngatërruar emrin me mbiemrin. I kam sjellë nga gjendja civile e Shkodrës të gjitha dokumentet e rregullta, edhe me dëshmitarë, por nuk kam marrë akoma asnjë përgjigje. U bënë 7-8 muaj që dokumentet ndodhen në Gjykatën e Apelit.
Shpesh lindin probleme të tilla kur qytetarët ndërrojnë vendbanimet e tyre. Unë përfitoj nga rasti t’u këshilloj qytetarëve që të dalin në pension në qytetin ku banojnë, pastaj mund t’i transferojnë dokumentet në qytete të tjera. Për rastin konkret, në qoftë se zotëria i është drejtuar gjykatës, atëherë është i detyruar që të presë vendimin e saj. Në qoftë se nuk i është drejtuar gjykatës, atëherë unë i këshilloj që të takojë Drejtorin e Përgjithshëm në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, z. Astrit Hado, por gjithnjë, në rast se problemi është në sistemin e Sigurimeve Shoqërore. Për sa u përket gjykatave, nuk di ç’të them. Duhet pritur vendimi i tyre.
Përfitoj nga rasti që të këshilloj edhe specialistët dhe të gjithë punonjësit e Sigurimeve Shoqërore, që të jenë më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm në punën e tyre, në mënyrë që të mos u krijohen probleme të tilla pensionistëve, të mos përfundojnë pas dyerve të gjykatave për të gjetur të drejtën e tyre nëpërmjet proceseve gjyqësore që zgjasin pa fund.