Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Pensionet familjare, dokumentet që duhen për ta marrë

Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Pensionet familjare, dokumentet që duhen për ta marrë

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në puntatën e kësaj jave Profesor Kepi ka vazhduar sqarimin e qytetarëve për çështjen e pensioneve familjare. Eksperti ynë ka sqaruar se çfarë dokumentash duhet për të përfituar pensionet familjare, madje duke sqaruar edhe raste specifike të përfitimit, duke dhënë disa shembuj. Më pas Profesor Kepi u është përgjigjur live pyetjeve që kanë mbërritur nga qytetarët në Report TV.

Do të diskutojmë për pensionet sociale. Por nga emisioni i kaluar, nuk arritëm të sqarojmë se çfarë dokumentesh duhen plotësuar dhe paraqitur nga personat e interesuar, për të përfituar pensionin familjar.
Siç e kemi shpjeguar, pensionet familjare i marrin ata persona, të cilëve u takon pension familjar nga bashkëshorti, nga bashkëshortja, nga babai apo nga nëna që ka ndërruar jetë, që mund të ketë qenë në punë ose në pension. Kur personi që ndërron jetë, p.sh. babai, është në marrëdhënie pune, atëherë qendra e punës kur ai punon në një institucion buxhetor, është e detyruar që t’i japë familjes ndihmë financiare, një rrogë mujore, por jo më pak se 50.000 lekë të rinj.

Kjo ndihmë jepet nga fondi i veçantë. Në qoftë se një person ndërron jetë, p.sh. babai ose bashkëshorti, por ka qenë pensionist, atëherë Sigurimet Shoqërore janë të detyruara që t’i paguajnë pensionin deri në ditën që personi ka ndërruar jetë, dhe përveç kësaj, një ndihmë financiare prej 12.000 lekësh të rinj. Në qoftë se personi që ndërron jetë, ka punuar në një sektor privat, atëherë ky sektor privat ku ai ka punuar, ka të drejtë që t’i japë një ndihmë financiare sipas kontratës së punës, që ka nënshkruar punëmarrësi me punëdhënësit.

Gjithashtu, burrit ose gruas, sipas rastit, i jepet një leje prej 5 ditësh pune, të paguara. Ka edhe raste të tjera, kur leja e zakonshme është marrë, jepen 30 ditë kalendarike leje, pa të drejtë page, por me kushtin që të mos zihet vendi i punës. Në vendin tonë është një ligj me nr.10139, i datës 17 qershor 2010, i cili thotë: “Personat ushtarakë të cilët humbin jetën në krye të detyrës, apo për shkak të detyrës, pjesëtarëve të familjes u jepen ndihmë financiare 200.000 lekë të rinj dhe të gjitha shpenzimet e ceremonisë së varrimit përballohen nga buxheti i shtetit”. Fëmijëve, të cilët marrin pension nga babai që ka ndërruar jetë në kushtet që përmenda më lart, pensioni familjar u llogaritet i barabartë me rrogën që ka marrë babai i tyre i ndjerë dhe i nderuar, ditën që ka dhënë jetën.

Fëmijëve që vazhdojnë studimet në shkollat e larta, pra në universitetet shtetërore, pavarësisht nga kushtet ekonomike, u jepet bursë. Gjithashtu ka edhe përparësi të tjera në trajtimin e këtyre familjeve, të cilat mund t’i themi në një emision tjetër. Kemi edhe një rast të veçantë, kur personat që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, me vendim të komisionit për të fituar statusin e dëshmorit të atdheut, e kanë fituar këtë status. Është varrosur në Varrezat e Dëshmorëve. Në këtë rast, pjesëtarët e familjes, përveç të gjitha këtyre që sapo thashë më lart, përveç pensionit familjar, marrin edhe 7.000 lekë të rinj shtesë mbi pensionin, sepse personi që ka ndërruar jetë është Dëshmor i Atdheut.

Flas nga Shkodra. Unë kam dalë në pension më 13 dhjetor 1918. Më është thënë që më takonte të merrja shpërblimin që qeveria dha për pensionistët në fund të vitit, por në fakt, kur shkova për ta marrë më thanë që nuk më takonte. A mund të më sqaroni?
Vendimi i qeverisë ka dalë më 12 dhjetor 2018 dhe mban numrin 732. Është botuar edhe në Fletoren Zyrtare. Në një paragraf në fund të këtij vendimi, thuhet: “Shpërblimi i Vitit të Ri i përket të gjithë pensionistëve, të cilët data 12 dhjetor i ka zënë në pension”. Kështu që, sipas këtij vendimi të qeverisë, zotërisë nuk i takon shpërblimi i fundvitit.

Më 7 dhjetor 2018 kam mbushur moshën për të dalë në pension. Kam gjithsej 46 vite e 4 muaj punë, nga të cilat 22 vite kam punuar si ushtarak. A mund të më thoni me përafërsi se sa mund të jetë vlera e pensionit që do të marr?
Zotëria ka dalë në pension më 7 dhjetor. Pra, data 12 dhjetor 2018 e ka zënë në pension, kështu që zotërisë i takon shpërblimi i Vitit të Ri. Zotërisë i takon që të marrë dy pensione: në radhë të parë, në moshën 65 vjeç do të marrë pensionin e pleqërisë, në qoftë se gjithsej ka 36 vite e 4 muaj punë të siguruar. Faktikisht, siç na tha, zotëria i ka. Përveç pensionit të pleqërisë, i cili llogaritet mbi pagën mesatare bruto që shumëzohet me disa koeficientë rritës. Meqenëse zotëria ka punuar edhe si ushtarak, atëherë ai do të marrë edhe pension suplementar. Pensioni i pleqërisë dhe pensioni suplementar kanë një ndryshim. Për pensionin e pleqërisë, sa më shumë vite pune që të kesh, aq më i lartë del pensioni. Ndërsa pensioni suplementar nuk mund të shkojë më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë. Ai llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto që zotëria ka marrë si ushtarak, por në qoftë se pensioni i pleqërisë, në bazë të viteve të punës që ka, i del p.sh. 30.000 lekë të rinj, atëherë pensioni suplementar nuk mund të dalë më shumë se 15.000 lekë të rinj, që është gjysma e pensionit të pleqërisë.

Flas nga Shkodra. Gruaja ime ka mbushur 60 vjeç, më 26 janar. Ka 15 vite punë. Kur i takon të dalë në pension dhe sa mund të jetë vlera e pensionit që do të marrë?
Zonja do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 11 muaj, pra më 26 nëntor 2019. Për të fituar pensionin, duhen minimalisht 15 vite punë të siguruar, që nga mosha 16 vjeçe. Meqë zonja i ka 15 vite punë, atëherë ajo e fiton pensionin minimal, i cili është po aq sa pensioni social. Ndërsa për të marrë pension të plotë pleqërie do t’i duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, nga mosha 16 vjeçe, paavarësisht nëse ka punuar në sektorin shtetëror apo në atë privat, në kooperativë bujqësore, e vetëpunësuar, nëse ka bërë sigurime shoqërore vullnetare. Si vjetërsi pune llogaritet edhe periudha e trajtimit me asistencë sociale dhe për femrat periudha e studimeve të larta me shkëputje nga puna, si edhe periudha e trajtimit me raporte mjekësore dhe me leje lindjeje. Sqarime më të hollësishme, zonja duhet të marrë duke u paraqitur me dokumentet e duhura personale të saj, në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Shkodrës.

Flas nga Tirana. Kam 1 vit e gjysmë që kam dalë në pension. Nuk më kanë llogaritur 5 vite pune që kam punuar në kooperativë. Unë i kam gjetur dokumentet e këtyre 5 viteve, por më mungon emri i babait. Në Tiranë kam 30 vite që banoj sepse më parë kam banuar në Tepelenë.
Zotëria ka punuar në Tepelenë dhe i quhen vite pune në kooperativë bujqësore, që nga mosha 16 vjeç. Vit pune i plotë në kooperativë për burrat quhet kur kanë punuar 280 ditë pune në një vit kalendarik. Zotëria duhet t’i kërkojë dhe t’i gjejë dokumentet e tij të punës në Tepelenë ose në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Gjirokastrës. Ka raste që dokumentet nuk gjenden sepse mund të jenë djegur ose nuk gjenden për një arsye tjetër. Këto gjëra kanë ndodhur shpesh. Atëherë, zotëria ka të drejtë që me dy dëshmitarë, me të cilët ai ka punuar në kooperativë bujqësore, të zhvillojë një proces gjyqësor. Procesi zhvillohet shpejt dhe quhet “njohje fakti”, pra dy dëshmitarët vërtetojnë që zotëria ka punuar në atë kooperativë dhe se çfarë procesi pune ka bërë. Pasi mbaron procesi dhe gjykata ia njeh vitet e punës, atëherë këto vite pune i shtohen për efekt pensioni, dhe si rrjedhim i rritet edhe vlera e pagës së pensionit.

Zonja Bukurie Gjata, nga njësia administrative Prezë, na shkruan: “Më 28 maj të vitit 2018 mbusha moshën 60 vjeçe. Kam gjithsej 36 vite e 9 muaj punë, nga të cilat 16 vite kam punuar në ish-kooperativë bujqësore, ndërsa për vitet e tjera jam vetësiguruar në bujqësi dhe në punë shteti. Kur dal në pension?”
Zonja Bukurie do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, pra më 28 mars 2019. Përpara se të dalë në pension, ajo do të marrë lejen e zakonshme të vitit 2019, për 3 muajt: janar, shkurt, mars. Gjithashtu do të marrë edhe një rrogë shpërblim sepse, siç na shkruan, aktualisht punon në një institucion buxhetor shtetëror. Për të përfituar pension të plotë pleqërie, zonjës i duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Në fakt, zonja ka më shumë vite pune. Edhe pse ka punuar disa vite në kooperativë bujqësore dhe ka bërë edhe sigurime shoqërore vullnetare, zonja do të marrë pension shteti dhe jo pension kooperative bujqësore, sepse më shumë vite pune ka si e vetësiguruar në bujqësi dhe si e punësuar në sektorin shtetëror. Por zonja duhet të ketë parasysh që, një vit i plotë pune në kooperativë bujqësore quhet atëherë kur zonja ka punuar nga mosha 16 vjeçe dhe ka realizuar 230 ditë punë për një vit kalendarik ose 20 ditë pune në një muaj. Për sqarime më të hollësishme dhe më të sakta, unë mendoj që zonja Bukurie, me të gjitha dokumentet që ajo ka, të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore më të afërt që ka ajo. Atje do t’ia llogarisin edhe një herë vitet e punës me saktësi sepse nëse nga llogaritë nuk i dalin 36 vite e 8 muaj pune të siguruar, atëherë ajo do të marrë pension kooperative. Dhe nëse rezulton kështu, atëherë ajo duhet t’i plotësojë muajt që do t’i dalin mangët.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kozeta Kopollari: 01/02/2019 10:03

    Pershendetje.Jam nje zonje 54 vjece nga Permeti por banoj n Vlore.Kam rreth 9 vjet vjetersi pune deri n vitin 1991 (1983-1991) normiste ne kooperative bujqesore.Kam marre toke sipas ligjit 7501.Doja te dija a mund te paguaj nga viti 1992 deri ne 2005 si e vetpunesuar dhe sa duhet t paguaj qe te perfitoj pension t pjesshem.Theksoj se qe prej vitit 2005 jam me pashaportizim n vlore.Faleminderit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen