Gjykata e Apelit në Shkodër ka ndryshuar vendimet për  6 zyrtarët e akuzuar, mes tyre 4 punonjës të Kadastrës dhe 2 Topografë të Shëngjinit pasi akuzoheshin për abuzim me tjetërsimin e kënetës në bregdet në tokë bujqësore dhe dhënia e tyre tek banorëve të zonës së Kunes në Lezhë.
 
Në seancën gjyqësore në ngarkim të 6 dyshuarve trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Fuat Vjerdha, Lindita Hoxha e Selim Kryeziu, kanë ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë në Lezhë, e cila i kishte shpallur të pafajshëm 6 zyrtarët të akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje duke i dënuar prej me nga 1-3 vite burg.
 
Trupi gjykues vendosi deklarimin fajtor për ish-shefin e Kadastrës, Fran Licaj për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e tij me 2 vite burg, deklarimin fajtor për specialistin Shan Gërdhati për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e tij me 2 vite burg, deklarimin fajtor të Agostin Gjinit specialist i Katadastrës dhe dënimin e tij me 1 vite burg, deklarimin fajtor të Nikoll Prelaj me detyre ish-kryetar i fshatit Ishull-Shengjin dhe dënimin e tij me 2 vite burg.
 
Për të gjithë zyrtarët gjykata vendosi heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 3 vitesh. Ndërkohë, Gjykata e Apelit shpalli fajtor edhe Luigj Paloken me detyre topograf për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe dënimin e tij me 1 vit burg.
 
Ndërsa për topografin tjetër Avni Mali vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë për një periudhë prej 2 vjetësh me kusht që gjatë periudhës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
 
Sipas prokurorisë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar, kanë shndërruar tokën kënetore në zonën turistike të Kunes, në Shëngjin, në tokë bujqësore dhe ua kanë shpërndarë disa banorëve.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)