SHKODER- Mbrëmja e se dieles dhuroi emocione të forta artistike, ku publiku shkodran pati mundësinë të përjetojë nga afër disa prej veprave më të spikatura të krijimtarisë së kompozitorit Tish Daija.

Këngët më të njohura u interprtuan me rastin e 100-vjetorit te lindjes nga artistët e njohur të skenës shqiptare, Justina Aliaj, Frederik Ndoci, Nina Muho, Anjeza Marku, Valbona Bushati, Ergi Papadhimitri dhe Vikena Kamenica.

Protagonistët e kësaj mbrëmjeje vlerësuan rëndësinë e rikthimit në skenë të veprave të Tish Daijas dhe ndikimin e tyre në kulturën muzikore shqiptare.

“Tish Daija ka bërë këngë  që nuk vdesin kurrë. Është shumë e zorshme sot të bëhen këngë të tilla. Sot merret komplet kënga prej diku tjeter edhe futet këtu me fjalë shqip edhe bëhet e jona emërtohet turbo”, tha Frederik Ndoci, këngëtar

“Repertori i muzikës lehtë dhe normalisht Tish Daija për mua në shijet e mia personalisht pa diskutim që ka shkruajtur një muzikë të pastër shqiptare edhe vërtetë me një identitet shumë të fortë që jo gjithmonë e  gjejme në këto vite të tranzicionit ose dhe vitet që po jetojmë nuk po kuptojmë ku i kemi rrënjët”, tha Vikena Kamenica, mezzosoprano.

Koncerti ne teatrin “Migjeni” u prit me duartrokitje të gjata nga spektatorët, duke shënuar një nisje të suksesshme të sezonit artistik për Orkestrën Simfonike të Shkodrës dhe duke rikthyer në vëmendje vlerat e trashëgimisë muzikore shqiptare.